Disa njerëz, ndoshta për shkak të moshës apo mungesës së sëmundjeve shoqëruese, nuk konsiderojnë për veten e tyre rrezikun e lartë të vdekshmërisë nga COVID-19 me të njëjtin seriozitet siç bëjnë grupmoshat e tjera të popullsisë. Një pjesë e këtij segmenti, mund të ketë edhe qëndrime indiferente ndaj ndjekjes me rigorozitet të masave për mbrojtjen e shëndetit (të tilla si mbajtja e maskës, larja e duarve, distancimi, ajrosja, etj.). Faktikisht, edhe pse vdekshmëria prej COVID-19 është më e hasur te të moshuarit, ende nuk i njohim mjaftueshëm pasojat afatgjata që ky infeksion viral mund të shkaktojë tek të infektuarit e të gjitha grupmoshave. Rrjedhimisht, të gjendur në këto kushte me shumë të panjohura, është thelbësore që të gjithë, pa dallim moshe, duhet të shmangim me çdo kusht infektimin.
Sipas një hulumtimi meta-analitik të botuar së fundmi si preprint, 80% e pacientëve që shërohen nga COVID-19 zhvillojnë një ose më shumë nga 55 pasoja të ndryshme fizpatologjike.
Efekti më i zakonshëm është këputja ose lodhja kronike (e raportuar në 58% të rasteve), ndjekur nga dhimbja e kokës (44%), çrregullimi i vëmendjes (27%), rënia e flokëve (25%), diabeti (4%), etj. Ky i fundit, megjithëse me një hasje të ulët, mund të ketë pasoja serioze për shëndetin e pacientit dhe barrën që krijon në sistemin shëndetësor dhe shoqëror.
Pas shqyrtimit të detajuar të më shumë se 18,000 artikujve shkencorë mbi pasojat e sëmundjes së shkaktuar nga SARS-CoV-2 u përzgjodhën 15, të cilët raportonin incidencën e simptomave dhe plotësonin kriteret e përcaktuara nga autorët, të tilla si përfshirja e më shumë se 100 pacientëve në studim. Simptomat që u studiuan, ishin ato të observuara nga dita e 14-të deri në të paktën 110 ditë pas infektimit. Pacientët e përfshirë ishin rreth 48.000 dhe varionin nga mosha 17 deri në 85 vjeç.
Përshtypja që mbizotëron është se këto efekte afatgjata ndodhin vetëm te njerëzit e moshuar ose te ata me sëmundje shoqëruese, por kjo gjë rezulton të mos jetë e vërtetë. Gjashtë prej studimeve përfshinin vetëm pacientë të shtruar në spital dhe pjesa tjetër përfshinin pacientë në të trija fazat e ashpërsië së infeksionit COVID-19: të butë, të moderuar dhe të rëndë. Ndër simptomat më të zakonshme ishin ato të frymëmarrjes si dispnea (marrje fryme, 24%), polipnea (frymëmarrje e shpejtuar, 21%) dhe kollë (19%). Efektet e pas-COVID-it nuk ishin vetëm të lidhura me sistemin e frymëmarrjes, por preknin edhe sisteme dhe organe të tjera. Përveç humbjes të njohur tashmë të shijes (ageusia, me hasje rreth 23%) dhe nuhatjes (anosmia, 21%), janë vërejtur raste me humbje të dëgjimit (15%) dhe rënie të flokëve (25%), efekte të cilat mund të zgjasin rreth tre muaj.
Humbja e kujtesës (16%) është një tjetër pasojë që shfaqet tek disa njerëz. Ndër pasojat më të zakonshme psikiatrike të raportuara janë çrregullimet e ankthit (13%) dhe depresioni (12%). Për më tepër, çrregullimet e gjumit gjithashtu (11%), mund të kontribuojnë në zhvillimin e çrregullimeve psikiatrike. Nuk mund të përjashtohet që dhe izolimi, mungesa e ndërveprimit shoqëror dhe stresi (i vuajtur gjatë izolimeve) të luajnë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e çrregullimeve mendore.
Një nga rezultatet që intrigoi më shumë ishte ai i diabetit të tipit 2, i cili u has në 4% të rasteve. Megjithëse kjo është një përqindje relativisht e ulët, do të duhet të konsiderohet një rishikim i hollësishëm i këtij fenomeni në studimet e ardhshme.
Një studim tjetër i botuar në janar në revistën shkencore “The Lancet” me pacientë nga Wuhan, raportoi se 73% e pacientëve të shtruar në spital për COVID-19, kishin të paktën një simptomë të manifestuar gjashtë muaj pas infektimit (https://www.thelancet.com/journals/lancet/article/PIIS0140-6736(20)32656-8/fulltext).
Sidoqoftë, siç nënvizon ky studim meta-analizë, efektet afatgjata të COVID-19 nuk janë të pranishme vetëm te pacientët që e kalojnë rëndë sëmundjen por ndodhin edhe te njerëzit me një infeksion të lehtë që nuk kërkojnë shtrim në spital. Për këtë arsye të gjithë ne, pa dallim (veçanërisht moshe), duhet të konsiderojmë zbatimin dhe respektimin e masave parandaluese. Për më tepër informacion mbi efektet potenciale afat-gjata pas COVID-19 shikoni posterin ilustrues.
Kliko për të parë posterin e plotë
Përgatitur nga ekipi HEDA
Burimi: López-Léon S. et. al. More than 50 Long-term effects of COVID-19: a systematic review and meta-analysis (medRxiv 2021.01.27.21250617) https://doi.org/10.1101/2021.01.27.21250617