Shumë prindër ngrenë pyetjet:
- A është i përshtatshëm përdorimin e biberonit gënjeshtar tek foshnjat?
- A dëmton shëndetin e tyre?
- A krijon varësi tek ata?
Refleksi i thithjes shfaqet që në barkun e nënës, ku foshnjat thithin gishtin e tyre. Disa e kanë më të shprehur refleksin e thithjes duke mbajtur gishtat në gojë dhe pas lindjes. Në fakt thithja, përveç funksionit të të ushqyerit, ka dhe efekt qetësues tek foshnjat.
Përpara se të vendosin përdorimin e biberonit gënjeshtar, prindërit duhet të kenë parasysh anët pozitive dhe negative.
Anët pozitive
- Për shumë foshnja është çelësi i qetësisë mes vakteve.
- Mund të qetësojë një fëmijë të grindur.
- Ofron një hutim të përkohshëm gjatë bërjes së një vaksine apo ndonjë procedure tjetër.
- Mund të ndihmojë për vënien në gjumë.
- Mund të lehtësojë parehatinë gjatë udhëtimeve.
- Mund të ndihmojë në reduktimin e rrezikut për Sindromën e vdekjes se papritur të foshnjave
Anët negative
- Në qoftë se përdoret shumë shpejt, mund të vështirësojë gjidhënien. Thithja në gji është e ndryshme nga ajo e biberonit dhe shumë foshnja mund të irritohen nga ky fakt. Këshillohet të niset përdorimi i biberonit 3-4 javë pas lindjes, jo më herët.
- Foshnja mund të krijojë varësi ndaj tij. Madje ndodh që edhe të zgjohet natën për ta kërkuar, nëse nuk e ka më në gojë.
- Përdorimi për një kohë të gjatë i biberonit mund të bëhet shkak për probleme të daljes së dhëmbëve e të zhvillimit të harkut dentar.
- Përdorimi i tij mund të rrisë rrezikun e shfaqjes së sëmundjeve të veshit të mesëm (otiteve), sidomos tek fëmijët që e mbajnë atë edhe në gjumë.
Pasi keni peshuar anët pozitive dhe negative të përdorimit të biberonit dhe vendosët ta përdorni, duhet të keni parasysh disa rregulla të përgjithshme për një përdorim të sigurtë dhe të matur.
- Duhet të prisni derisa gjidhënia të jetë normalizuar. Shoqata Amerikane e Pediatrisë rekomandon që të mos përdoret pa kaluar 3-4 javë nga lindja.
- Mos e përdorni si mënyrën e parë për ta qetësuar foshnjen, pasi ndonjëherë mjafton një ndërrim pozicioni ose një lëkundje e lehtë.
- Lëreni foshnjen të vendosë, nëse e do apo jo. Mos e sforconi atë!
- Gjatë përdorimit të biberonit gënjeshtar duhet t’i kushtoni shumë rëndësi higjienës. Nga biberonat e padezinfektuar mund të transmetohen shumë infeksione. Mos e vendosni kurrë në gojën tuaj biberonin! Kjo nuk është një mënyrë për ta pastruar por për të shtuar rrezikun e infeksioneve që mund të kalojnë nga ju tek foshnja.
- Mos i shtoni sheqer ose ëmbëlsues të tjerë, sepse ndihmon zhvillimin e karies te dhëmbët.
- Përdorni modelin, formën dhe përmasën që i përshtatet më shumë fëmijës suaj.