Përgjigja e shkurtër është: Sigurisht!
Individët të cilët e kanë kaluar COVID-19, nuk janë të gjithë njësoj nga pikëpamja imunologjike: disa prej tyre mund të kenë pasur nivele relativisht të larta të aktivizimit të sistemit imunitar, disa të tjerë jo. Prania e niveleve relativisht të larta të antikorpeve IgG është një shenjë shumë e mirë, por nuk do të thotë që domosdoshmërisht këto antitrupa ofrojnë mbrojtje, e cila jepet kryesisht nga antikorpet neutralizuese. Testet që detektojne antitrupat neutralizuese nuk janë gjerësisht të disponueshme pasi janë teste komplekse dhe minimalisht duhen laboratore me nivele të sigurisë biologjike 3 ose 4. Nga ana tjetër edhe nëse nivelet e antikorpeve neutralizues bien kemi mbrojtjen e imunitetit qelizor që është detektuar në nivele të larta 8-muaj pas infektimit natyror.
Gjithësesi kohëzgjatja e imunitetit nga infektimi natyror mbetet ende objekt studimi dhe personat që e kanë kaluar infeksionin COVID-19 duhet të vaksinohen. Vaksinat anti-COVID të deritanishme nuk kanë kundër-indikacione të njohura për individët që e kanë kaluar COVID-19. Disa studime raportojnë që tek këta individë mund të jetë e mjaftueshme edhe një dozë, por nëse mund të aplikohet apo jo si strategji, mbetet të përcaktohet në bazë të ecurisë dhe rezultateve të studimeve shkencore që do pasojnë.
Rruga më e sigurtë për një imunizim lokal dhe global sa më të shpejtë dhe mundësisht të njëkohshëm, është vaksinimi i të gjithëve duke përjashtuar:
- Individët nën 16 vjeç.
- Gratë shtatzëna (sipas vlerësimit të rrezik/përfitimit individual).
- Personat me histori alergjish të rënda.
- Ata që kanë nje sëmundje inflamatore të një formë akute.
- Kush ka qenë pozitiv për COVID-19 dhe ka marrë plazmë konvaleshente për më pak se 90 ditë.
- Individët me një sëmundje kronike serioze (siç janë pacientët me kancer ose pacientët me patologji auto-imune) mund të marrin vaksinën, por gjithmonë duke u konsultuar me specialistin përkatës.
Përgatitën:
Prof.Ass Mirela Kuka, Dr.shk Denisa Baci, Dr.shk Aldi Pupuleku, Dr.shk Erand Llanaj.
Për informacione në lidhje me këtë temë, kliko edhe:
https://www.heda.al/artikuj/vaksinimi-pas-infektimit
https://www.heda.al/artikuj/cfare-tregon-sasia-e-antitrupave