A po e ndryshojnë vaksinat virusin? A do na duhen doza ‘përforcuese’?

vaksinat

Analizë e përgatitur nga: Dr.shk Erand Llanaj dhe Dr.shk. Aldi Pupuleku

Ajo që dimë me siguri është se vaksinat kundër COVID-19 janë krijuar për të mbrojtur individët e vaksinuar prej shtamit fillestar që u shfaq në Vuhan. Kjo pasi gjenomi i këtij të fundit u përdor për pothuajse të gjitha vaksinat.[1][2]. Gjithashtu dimë që këto vaksina funksionojnë kundër Deltës, por në mënyrë më pak efektive [3]. Në këtë kontekst, nga pikëpamja evolucionare mund të deduktojmë se variantet virale që i shmangenpatrullës imunitare’ të krijuar prej vaksinës kanë përparësi , pasijanë në gjendje të shmangin pjesërisht ‘policinë’ imunitare të antitrupave.

Në parim, është e pritshme që të kemi një ‘garë’ ndërmjet vaksinave dhe virusit, të cilat ndoshta do të duhet të modifikohen për të adresuar evolucionin viral [4]. Kjo ka rëndësi themelore për debatin aktual në lidhje me dozatpërforcuese’, të paktën për disa nëngrupe në rrezik të lartë.

Duke qenë se tashmë kemi hyrë në epokën e terapive të precizionit në nivel gjenetik dhe molekular, një nga risitë në nivel teknologjik që solli kjo pandemi ishte aplikimi në masë për herë të parë i vaksinave me metodologjinë e ARN mesazhere (mARN), të cilat kishin më tepër se tre dekada që po testoheshin dhe zhvilloheshin (5). Kjo teknologji rezultoi mjaftueshëm efikase, efiçiente dhe e sigurtë.

Më tej, shmangia e antitrupave ka rëndësi për sa i përket transmetimit nga të vaksinuarit. Konkretisht, vaksinat aktuale e reduktojnë mundësinë për të transmetuar virusin te të tjerët, por nuk e bllokojnë atë! Kjo do të thotë se të jesh i vaksinuar ende ke gjasa të transmetosh nëse infektohesh, por më pak dhe do ta kalosh më lehtë.

Nga pikëpamja evolucionare, ekziston një ‘kompromis’ ndërmjet transmetueshmërisë së virusit dhe sa rëndë do të sëmuret një person (virulenca)[6]. Ky parim është i vërtetë të paktën për shumicën e mikroorganizmave dhe viruseve të njohura. Arsyeja është se për të qenë në gjendje të infektosh dikë nëse je infektuar, nevojitet një ngarkesë e caktuar virale. Duke qenë se vaksinat nuk e bllokojnë plotësisht transmetimin, pritet një ndryshim në ekuilibrin transmetim-virulencë.

Me fjalë të thjeshta, një efekt ‘anësor’ i aftësisë së virusit të transmetohet prej individëve të vaksinuar është, se me kalimin e kohës tek personat e pavaksinuar sëmundja mund të manifestohet më ashpër. Kjo ka implikime praktike pasi virusi në këtë rast do të përbëjë rrezik më madhor, për ata që nuk janë vaksinuar, në krahasim me të vaksinuarit. Kjo dukuri ka filluar të konstatohet, ku në një studim të CDC-së amerikane, u konstatua se të pavaksinuarit kishin 29 herë më shumë gjasa të shtroheshin në spital se të vaksinuarit me dy doza! (7). Gjithashtu të dhëna nga Singapori konfirmojnë se te të pavaksinuarit (në krahasim me të vaksinuarit) sasia e virusit ishte më e lartë dhe përgjigjja imunitare me më shumë variacion (8). Nga po të njëjtat të dhëna nga Singapori u provua gjithashtu se ngarkesa virale binte më shpejt te të vaksinuarit dhe përgjigjja imunitare ishte më robuste.

A duhet të vaksinohemi ne që e kemi kaluar infeksionin COVID-19?

Para së gjithash duhet të qartësojmë se:

  • Pas kalimit të COVID-19 trupi ynë prodhon një përgjigje imune, por ajo ndryshon nga personi në person.
  • Ashpërsia e sëmundjes përcakton se sa e fortë dhe e qëndrueshme në kohë do të jetë kjo përgjigje.
  • Fakti nëse e keni kaluar lehtë ose rëndë sëmundjen përcakton dhe se sa i ‘fortë’ do të jetë imuniteti juaj ndaj virusit.

Tashmë është konfirmuar se nëse e keni kaluar lehtë ose pa simptoma, atëherë niveli i antitrupave dhe mbrojtjes do të jetë relativisht i ulët. Me vaksinat këtë pjesë e kemi të zgjidhur pasi marrim një dozë optimale dhe të njohur.Në këtë mënyrë vaksina shërben si një përforcues i sistemit imun.

Lexo edhe:

Çfarë do të ndodhë me Deltën? Përse përhapet më shumë? Si pritet të evolojë situata?