A është vërtetë kaq e pafajshme aspirina?

Aspirina është një nga medikamentet më të njohura e më të studiuara. Me siguri, secili prej jush e ka përdorur të paktën njëherë ose e mban një paketë diku në një raft të shtëpisë. Organizata Botërore e Shëndetësisë, duke i njohur efektivitetin e masivitetin në përdorim, i ka dhënë dhe vlerësimin si një nga barnat më të dobishme në botë

Por…

  • A është vërtetë kaq e pafajshme Aspirina?

Dhe…

  • A duhet ta përdorim?

Në qoftë se do të pyesnim mjekët para një viti, me siguri do të na siguronin se Aspirina, e përdorur me një dozë modeste prej 100-150 mg, është efektive për parandalimin e aksidenteve kardiovaskulare.

Në studimin “Aspirina në Reduktimin e Sëmundjeve tek të Moshuarit” të publikuar së fundmi në revistën e mirënjohur “New England Journal of Medicine” pohohet se:

Studimi u krye në Australi dhe Shtetet e Bashkuara, në vitet 2010-2014, tek të moshuarit që jetojnë në komunitet (jo në spitale apo në shtëpi të moshuarish). Personat e përfshirë në studim ishin të moshave mbi 70 vjeç (për popullatat kaukaziane) dhe mbi 65 vjeç (për popullatat me ngjyrë ose hispanike, për shkak se te këto popullata rrezikshmëria është më e lartë). Është e rëndësishme të theksojmë se grupi i pacienteve të përshirë në studim nuk kishin paraprakisht: sëmundje kardiovaskulare, incidente cerebrovaskulare të mëparshme (si tromboza në kokë), demencë apo invaliditet.

Pjesëmarrësve iu dha një dozë e përditshme prej 100 mg tabletë Aspirinë ose Placebo. Nga 19,114 persona të përfshirë në studim: 9525 përdoren Aspirinë dhe 9589 përdorën Placebo. Gjatë 4.7 viteve të studimit u regjistruan 1052 vdekje. Pacientëve që humbën jetën gjatë këtij studimi, iu analizuan dhe klasifikuan arsyet e vdekjes nga një grup specialistësh të pavarur.

Rezultatet treguan se:

  • Arsyeja më e zakonshme e vdekjes ishte kanceri.
  • Rreziku i vdekjes ishte më i lartë në grupin e pacientëve (paraprakisht të shëndetshëm), të cilët përdorën Aspirinë, në krahasim me grupin që përdorën Placebo.

Në fakt, studimi tregoi se përdorimi i saj jep më shumë efekte anësore të padëshiruara, në krahasim me efektet e pritura për parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare.

Pëfundimet e këtij studimi ishin: 

  • Marrja e një doze parandaluese nuk është më e rekomanduar për personat e shëndetshëm.
  • Masa më e mirë parandaluese është ndjekja nga mjeku kardiolog, i cili informon mbi rrezikun e këtyre ngjarjeve, para përdorimit të aspirinës.