A mjafton numri i testimeve të kryera për të kuptuar ecurinë e epidemisë në Shqipëri?

teste diagnostike

Debat kompleks dhe jo lehtësisht i kuptueshëm për jo-epidemiologët! Koncepti i testimeve është një librari më vete në epidemiologji. Eshtë e rëndësishme që:

  1. Të bëhet testimi i kontakteve të ngushta.
  2. Të ruhet një nivel pozitiviteti afër 10% (të testuar/pozitivë) që të kuptohet se në cilin drejtim po shkojmë dhe
  3. Eshtë shumë e rëndësishme që të rritet stoku për të ardhmen e afërt kur të hapemi ngadalë, ku do të duhet do të duhet të merremi më shumë me individët.

Shihni se çfarë është duke bërë sot Kina në Vuhan. Njerëzit janë lejuar të lëvizin por vetëm negativet dhe ata pa simptoma (në bazë të kodeve QR ose mekanizmave të tjerë). Tani një drejtim tjetër i diskursit (=të menduarit) për testimet që ka marrë pak vëmendje, por që në fakt meriton më shumë vëmendje është procesi i ‘gjurmimit të kontakteve’ i cili nuk ka lidhje me diagnozën, por me kontrollin e sëmundjes. Për sa i përket strategjisë së testimit në Shqipëri, po ndiqet koncepti testimit prioritar.

Çfarë do të thotë testim prioritar?

E para, nuk mund të merret një punonjës marketi, polic, shofer, etj. dhe të testohen pa arsye.

Testimi po bëhet dhe duhet të bëhet duke hetuar:

  • rastet pozitive dhe
  • kontaktet e ngushta të tyre.

Më pas, midis këtyre kontakteve duhet të bëhet identifikimi i atyre të cilët vuajnë nga:

  • kushte shëndetësore ekzistuese ose
  • të moshuar (pra, grupet me rrezik të lartë për ashpërsim të sëmundjes).

Hapi tjetër është që ndërmjet kontakteve të ngushta të gjykohet se kush prej këtyre kontakteve ka pasur më shumë mundësi të përhap më shumë infeksionin dhe cilat kanë qenë kontaktet e tjera të tyre.  Nëpër kontaktet e disa brezave ndiqet e njëjta strategji dhe këta persona testohen, por edhe kur del testimi negativ ekipi i epidemiologëve në Shqipëri, ka rekomanduar karantinën ose vetë-izolimin.

Një shembull tipik është ai i një rasti i një punonjësi banke në Elbasan. Pra testimi behet në vatër dhe nuk bëhet për hir vetëm të vatrës. Epidemiologikisht, ‘vatra’ përdoret si koncept pasi epidemia mund të imagjinohet sikur përhapet si flakët e një zjarri dhe aty nis zanafilla e infeksionit. Testimi duhet të shihet si një mjet analitik e strategjik, por kurrsesi vetëm si një numër. Mund të bëhet një hetim masiv, por të dështojë, por ama mund të bëhet një hetim i targetuar (=i synuar, orientuar) dhe të ketë sukses maksimal! Kjo për sa i përket një pjese të vogël të modelit të testimit, që është pjesa e gjurmimit të kontakteve – pjese integrale e kontrollit të shpërthimit epidemik!

Po ashtu pjesë e kontrollit është dhe survejanca e sëmundjeve infektive – infrastrukturë kjo ekzistuese dhe funksionale, e cila bën grumbullimin, përpunimin, analizimin në kohë dhe në vijueshmëri e të dhënave mbi sëmundshmërinë infektive, të dërguara në ISHP (në Departamentin e Kontrollit të Sëmundjeve Infektive) nga Shërbimet Epidemiologjike e të gjitha rretheve të vendit dhe ndërhyn apo vepron në bazë të këtyre të dhënave. Në kuadër të kësaj survejance, zbulohen ose identifikohen rastet e rënda me probleme respiratore që shtrohen në spitalet e vendit, p.sh. me sindromë respiratore të ashpër infeksioze dhe në këtë mënyrë bëhet dhe identifikimi i rasteve shtesë që mund t’i ‘shpëtojnë’ hetimit bazë epidemiologjik.

Pjesë tjetër e depistimit është kapja e hershme e rasteve nga komuniteti si p.sh. nëpërmjet numrit 127 ose formave të tjera. Pra kemi një seri dhe larmishmëri procesesh që përdoren për kontroll derisa vijmë tek ndjekja e të sëmurit apo rastit asimptomatik. Pyetja a është i mjaftueshëm numri apo jo nuk ka më rëndësi nëse nuk konsideron qasjen epidemiologjike!