Agjërim në kohë pandemie: si të sillemi?

Ramazan koronavirus

Gjatë këtij muaji miliona njerëz po agjërojnë në kuadër të muajit të Ramazanit. Megjithatë, ka disa aspekte të agjërimit të cilat duhet të ri-konsiderohen në kontekstin aktual të pandemisë, pasi periudhat e zgjatura pa ushqim ose lëngje mund të rrezikojnë dobësimin e sistemit imunitar nëse nuk informohemi për mënyrat se si mund të shmanget ky dobësim.

Këtu nuk flasim për agjerim në kohë paqeje dhe normaliteti, por në kohë pandemie, kështu që informacionet më poshtë duhet të konsiderohen vetëm për kontekstin dhe jo të merren jashtë tij. Për këtë arsye është e rëndësishme që të gjithë besimtarët të kujdesen që të:

1. Marrin sasinë e mjaftueshme të kalorive që ju nevojitet

2. Marrin sasinë e mjaftueshme të makronutrientëve – karbohidrateproteina dhe yndyrna

3. Mikronutrientë – vitamina dhe minerale

Ju mundeni ta realizoni këtë duke u kujdesur që dieta juaj të jetë e shumëllojshme. Kjo mund të arrihet duke përfshirë, në periudhën që ju lejohet të ushqeheni, perime dhe fruta me ngjyra të ndryshme, bishtaja dhe legume (=fasule, thjerrëza, etj.).

Nën- ose mbi-ushqyerja mund të prekë sistemin imunitar, kështu që ju duhet të krijoni një gjendje ‘ekuilibri energjetik’. Gjithashtu duhet të kujdeseni që të mos dehidroheni, pasi nga dehidrimi mund të preket sistemi i frymëmarrjes dhe specifikisht veshja mukoze e rrugëve të frymëmarrjes, e cila shërben si një barrierë mbrojtëse.

Në të njëjtën kohë ju duhet të kujdeseni për aspekte të tjera të shëndetit tuaj si : gjumi i mjaftueshëm, aktiviteti fizik dhe shëndeti mendor – duke ruajtur qetësinë dhe duke parandaluar stresin e mbingarkesën. Këto të fundit ju ndihmojnë të forconi imunitetin në mënyrë jo të drejtpërdrejtë, por ju ndihmojnë. Më thjesht, ju duhet të kujdeseni për shëndetin tuaj dhe të parandaloni ekspozimin ndaj virusit.

A mund të agjërojnë personat me kushte shëndetësore ekzistuese?

Çdokush mund të agjërojë nëse ndjek rregullat e agjërimit, mirëpo individët me kushte shëndetësore ekzistuese apo me COVID-19 duhet të kenë kujdes e të mos agjërojnë. Veçanërisht besimtarët që vuajnë nga kushte shëndetësore afat-gjata të tilla si diabeti mund të kenë komplikacione shëndetësore. Vendimi gjithsesi është një reflektim personal, por nëse këta individë do të duan të agjërojnë, duhet të marrin parasysh që të konsumojnë karbohidrate komplekse që e çlirojnë shumë ngadalë përmbajtjen e tyre sheqerore, të tilla si drithërat integrale dhe të monitorojnë sheqerin në gjak.

A mund të agjërojnë anëtarët e personelit shëndetësor nëse janë besimtarë?

Gjithsekush që është besimtar mund të agjërojë, por nëse dikush është i përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë në kujdesin e pacientëve të infektuar me COVID-19 , gjatë kësaj situate emergjence,  është e mira të mos e bëjë. Kjo rekomandohet pasi janë vazhdimisht nën trysninë e vendimeve dhe proceseve që vendosin në rrezik jetën e të tjerëve, kështu që duhet të kenë një gjendje të çlodhur dhe të jenë të ngopur. Ndërkohë ata anëtarë të personelit të cilët nuk janë të përfshirë drejtpërdrejtë e vendosin vetë.

A mund ta përmirësojë shëndetin në kontekstin e pandemisë aktuale agjërimi?

Edhe pse kufizimi i kalorive brenda një dite mund të dobësojë përgjigjen imunitare, efektet e agjërimit mbi sistemin imunitar nuk janë kaq të thjeshta për t’u shkruar të përmbledhura këtu, por duhet të kuptojmë që sistemi imunitar nuk është një çelës që mund ta ndezim apo ta fikim. Sistemi imunitar është një seri mekanizmash kompleks që duhet të mbahen në një ekuilibër të brishtë. Gjatë agjërimit çlirohet kortizol, hormon ky që mund të supresojë përgjigjet imunitare. Megjithatë ekzistojnë studime në kavje laboratori që tregojnë se agjërimi i herë-pas-hershëm, i ngjashëm me atë të njeriut, mund të ndihmojë procese të caktuara rigjeneruese, duke nxitur ‘rifreskimin’ e indeve. Gjetjet janë shumë më të ndërlikuara se kaq, por përmbledhtazi në gjuhë të thjeshtuar po i shkruajmë në këtë mënyrë. Për më tepër, këto gjetje vijnë nga kavje dhe janë të vështira për t’u replikuar në njerëz. Madje, nuk është ende e qartë se sa kohë do të duhet të agjërohet për të replikuar efektin rigjenerues dhe kur ai humbet. Për ndihmë ju paraqesim një skemë që ju tregon se si të ushqeheni në periudhën që ju lejohet.

Kliko për të parë skemën