Ndryshimet klimatike përbëjnë një kërcënim për shëndetin. Miliona njerëz vuajnë nga alergjitë sezonale të shkaktuara nga poleni.
- Sy të skuqur e të përlotur, rrufë, teshtima e kollë – janë simptoma të njohura nga të gjithë, si tipike të pranverës.
- Por, tani faktet tregojnë se këto simptoma nuk shfaqen vetëm në pranverë, por edhe në verë dhe në vjeshtë. Madje pritet që numri i tyre të rritet, si pasojë e ndryshimeve klimatike në mbarë botën.
Dioksidi i Karbonit (CO2) si burimi kryesor i ushqyerjes së bimëve për kryerjen e procesit të fotosintezës, është edhe gazi kryesor që ndikon drejtpërdrejt në ngrohjen globale.
Kur ekspozohen ndaj:
- temperaturave të ngrohta,
- niveleve më të larta të CO2,
bimët e fillojnë procesin e vegjetacionit më herët dhe e mbarojnë më vonë, si rrjedhojë ato prodhojnë më shumë polene. Temperaturat e larta bëhen shkaktare për zgjatjen e sezonit të alergjive, sepse:
- zgjatet koha e polenizimit të bimëve,
- rritet niveli i ndotjes së ajrit,
të dy këto faktorë ndikojnë në intensifikimin e simptomave të astmës alergjike.
Sipas të dhënave të EPA (Agjensia për Mbrojtjen e Mjedisit në SHBA) rritja e temperaturave në periudhën 1995-2005 ka zgjatur sezonin e poleneve nga 6-21 ditë (në varësi të vendit).
- Moti më i ngrohtë krijon polene dhe alergenë më të fuqishëm duke shkaktuar akoma më shumë alergji.
Gjithashtu faktorë të tjerë ambientalë si:
- kufizimi i ekspozimit ndaj alergenëve në fëmijëri, si pasojë e normave higjenike më të larta që aplikohen në botën perëndimore,
- ndryshimet e dietës,
kanë ndikuar zhvillimin e sistemit imunitar dhe në përhapjen e astmës dhe rrufës alergjike. Llogaritet që 10-30% e popullsisë botërore të jetë e prekur nga riniti alergjik dhe 300 milionë njerëz në mbarë botën të jenë të prekur nga astma.
Prirja e përgjithshme na tregon që denduria e shfaqjes së astmës, duke përfshirë format e sëmundjes shkaktuar nga poleni, myku dhe substanca të tjera alergjike, është në rritje. Simptomat e astmës dhe rinitit alergjik shpesh konsiderohen nga pacientët si gjendje virale. Duke i nënvlerësuar këto simptoma:
- sëmundja përkeqësohet,
- ulet cilësia e jetesës,
- rriten shpenzimet për ta kuruar si duhet.
Disa këshilla për pacientët e diagnostikuar mund të jenë:
- Mos lejoni që alergjitë të ndikojnë në aktivitetin tuaj ditor.
- Takoni mjekun specialist alergolog, i cili do ju ndihmojë për trajtimin dhe do ju këshillojë për ecurinë e sëmundjes.
- Kur është e mundur, mundohuni të shmangni kontaktet me alergenët.
- Mbani gjithmonë me vete medikamentet që ju ka këshilluar mjeku.