Për t’u përballur me COVID-19, vendeve të ndryshme në botë iu duhet të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të ndaluar përhapjen e virusit. Në këto kushte kritike emergjence, është e rëndësishme që të gjithë të informohen në lidhje me rreziqet dhe dëmet e mundshme shëndetësore në mënyrë që të mund të mbroni shëndetin tuaj dhe të atyre që ju rrethojnë.
Evidencat (=faktet) e mëposhtme ofrojnë një dritare të rëndësishme informimi në lidhje me konsumin e alkoolit dhe COVID-19. Veç kësaj, këtu do të adresojmë keqinterpretimin dhe konfuzionin në lidhje me alkoolin dhe COVID-19, konfuzion ky që është përhapur me shpejtësi nëpër rrjete sociale dhe kanale të tjera të komunikimit.
Mesazhi kryesor: Në asnjë rrethanë apo mënyrë konsumi i alkoolit NUK mund të mbrojë apo parandalojë infektimin prej SARS-CoV-2.
Alkooli etilik (etanoli) është përbërësi (substanca) kryesor i pijeve alkoolike. Kjo substancë është përgjegjësi kryesor për problemet më të mëdha shëndetësore që lidhen me konsumin e alkoolit, pavarësisht nëse konsumohet në formën e verës, birrës apo pijeve të forta alkoolike (mbi 40% volum alkool).
Substancat e tjera toksike, të cilat mund të kenë erë të ngjashme si etanoli (por që nuk janë etanol), mund t’ju shtohen pijeve të falsifikuara të cilat mund të jenë prodhuar në forma të jashtëligjshme apo informale; ose mund të jenë të pranishme në produktet alkoolike, të cilat nuk janë prodhuar për qëllime konsumi, si p.sh. dezinfektantët (lexo më shumë për dezinfektantët dhe përdorimin e tyre këtu). Përbërësit e shtuar (siç mund të jetë metanoli) mund të rezultojnë me vdekje, qoftë edhe në doza shumë të vogla (gjithashtu mund të shkaktojnë verbëri, probleme me veshkat, intoksikim, etj.). Për shkak të mendësive apo besimeve që alkooli ka efekt mbrojtës ndaj COVID-19 janë shënuar raste vdekjeje në vende të ndryshme të botës (shihni një prej lajmeve këtu). Vdekje këto që mund të shmangeshin me informimin e duhur!
Si ndikon konsumi i alkoolit mbi shëndetin tuaj?
- Konsumi i alkoolit ka efekte afatshkurtra dhe afatgjata shëndetësore, që prekin thuajse gjithë organet e trupit tuaj. Përgjithësisht, faktet shkencore tregojnë se nuk ka një kufi të sigurtë (dozë të sigurtë) – për më tepër, rreziku i dëmtimit të shëndetit tuaj shtohet me çdo pije që ju konsumoni.
- Konsumi i alkoolit (e veçanërisht në sasi të tepruara), dobëson sistemin imunitar (mbrojtës), e për rrjedhojë dobëson aftësinë e organizmit tonë për t’u përballur me sëmundjet infektive.
- Konsumi i alkoolit, madje edhe në sasi fare të vogla, është i lidhur me lloje të ndryshme kanceri.
- Konsumi i alkoolit shtrembëron mënyrën tuaj së të menduarit, gjykuarit, sjellurit dhe vendim-marrjen.
- Konsumi i alkoolit (edhe në sasi të moderuara) gjatë shtatzënisë përbën një rrezik të jashtëzakonshëm për foshnjën ende të pa lindur.
- Konsumi i alkoolit mund të shtojë rrezikun, shpeshtësinë dhe ashpërsinë për sjellje të dhunshme apo agresive (si p.sh.: dhunimi i partnerit intim, dhunim seksual, dhunim i të rinjve, abuzim me të moshuarit dhe dhunë e ushtruar tek fëmijët).
- Konsumi i alkoolit shton rrezikun për vdekje apo lëndime prej aksidenteve rrugore, rënieve nga lartësitë ose mbytjet (në det, liqen, pishina).
- Konsumi i tepruar i alkoolit shton rrezikun për Sindromën e Distresit Respirator Akut, një prej komplikacioneve më të shpeshta dhe të ashpra të infeksionit COVID-19.
Sa ndikon distancimi fizik përgjatë COVID-19 në konsumin e alkoolit?
Për të mbajtur nën kontroll përhapjen e virusit, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) rekomandon distancë fizike (të paktën 1.5m) prej personave të infektuar si një masë mbrojtëse. Baret, kazinotë, klubet e natës, restorantet dhe ambientet e tjera ku njerëzit mblidhen për të konsumuar alkool shtojnë rrezikun për transmetimin e virusit.
Distancimi fizik ul disponueshëmërinë e alkoolit, kështu që paraqet një mundësi shumë të mirë që ne të reduktojmë ekspozimin ndaj konsumit të alkoolit dhe rrjedhimisht të jemi më të shëndetshëm.
Si duhet të sillemi në lidhje me konsumin e alkoolit në kushtet e izolimit ose karantinës?
Është e rëndësishme të kuptojmë se konsumi i alkoolit paraqet një risk shumë të lartë për shëndetin dhe sigurinë tonë shëndetësore, e për këtë fakt duhet ta shmangim gjatë periudhës së izolimit ose karantinës.
- Në kontekstin e të punuarit nga shtëpia, përmbajuni rregullave të zakonshme që mbanit në vendin e punës dhe mos konsumoni alkool. Mos harroni se pas vaktit të drekës ju duhet të jeni ende në gjendje të përshtatshme për të punuar dhe mbaruar detyrimet. Këto detyrime mund t’i arrini më shpejt duke mos konsumuar alkool.
- Konsumi i alkoolit nuk është i nevojshëm për ushqyerjen tonë dhe për këtë arsye nuk duhet të jetë një prioritet në listën e ushqimeve që do të na duhet të blejmë. Shmangni koleksionimin e produkteve alkoolike në shtëpi, kjo mund të sjellë lehtësisht rritjet e konsumit të tij prej nesh dhe pjesëtarëve të tjerë në familje.
- Është më mirë që kohën, paratë dhe burimet tona, t’i investojmë në blerjen e produkteve të shëndetshme. Në këtë mënyrë do të ruajmë një gjendje të mirë shëndetësore dhe përmirësojmë sistemin tonë imunitar.
- Ne mund të mendojmë se konsumi i alkoolit ndihmon në kapërcimin e situatave stresuese, por në fakt, kjo nuk është e vërtetë. Konsumi i tij ndihmon rritjen e simptomave në lidhje me panikun, ankthin, depresionin dhe çrregullime të tjera mendore.
- Në vend që të konsumoni alkool gjatë qëndrimit në shtëpi, ju mund të provoni të bëni ushtrime fizike të thjeshta. Aktiviteti fizik fuqizon sistemin tuaj imunitar (si në perspektivën afatshkurtër ashtu edhe atë afatgjatë), dhe është pa asnjë kundërshtim një prej mënyrave më të dobishme për të kaluar kohë në momentin e izolimit apo karantinës.
- Kujdesuni që të mos ekspozoni fëmijët ndaj alkoolit apo konsumit qoftë edhe të një gllënjkë përpara tyre. Konsumi i alkoolit mund të ashpërsojë situatën veçanërisht në familjet e mëdha, ku midis anëtarëve të familjes ndonjë prej tyre mund të jetë konsumues i rregullt i alkoolit.
- Është shumë e rëndësishme që t’i mbajmë produktet e alkoolit larg nga fëmijët, adoleshentët dhe personat që kanë varësi prej alkoolit. Këta të fundit, gjithnjë do të përpiqen që të gjejnë një mënyrë për të gjetur atë që kërkojnë, dhe kjo i bën ata edhe më shumë të ekspozuar.
- Gjatë periudhës së izolimit ose karantinës, konsumi i alkoolit mund të shtojë riskun për vetëvrasje. Nëse në mendjen tuaj kalon ndonjë mendim i tillë është gjithmonë më mirë për ju dhe ata që ju doni, të telefononi në numrat e telefonit të institucioneve përgjegjëse. Ata do të jenë kurdoherë në shërbimit tuaj.
- Konsumi i alkoolit është ngushtësisht i lidhur me dhunën, duke përfshirë partnerin/-ren intim/-e. Meshkujt priren të ushtrojnë më shumë dhunë ndaj femrave kur marrim në konsideratë edhe këtë faktor (konsumin e alkoolit). Ndërkohë, femrat të cilat gjenden në këto kushte u rriten gjithashtu gjasat e konsumit të alkoolit, duke e menduar atë si një zgjidhje të situatës së krijuar. Nëse ti je një viktimë e kësaj dhune të ushtruar dhe jeton ‘nën të njëjtën çati’ me dhunuesin/-sen, të duhet me patjetër të mendosh për një plan sigurie nëse situata përkeqësohet. Kjo mund të përfshijë konsiderimin e komshinjve, shoqërisë, të afërmve në rast se të duhet të braktisësh shtëpinë menjëherë apo telefono policinë. Mundohu të krijosh mbështetjen e njerëzve të afërt ose telefononi organet përgjegjëse që ju sigurojnë mbrojtje.
Çfarë lidhje ekziston mes çrregullimeve nga konsumi i alkoolit dhe COVID-19?
Çrregullimet nga konsumi i alkoolit karakterizohen prej konsumit të tepruar të alkoolit dhe humbja e kontrollit në të pirë. Edhe pse këto çrregullime janë ndër më të hasurat globalisht, njëherazi janë edhe më të stigmatizuarat.
Njerëzit të cilët kanë një prej këtyre çrregullimeve janë në një risk të madh për ashpërsim të COVID-19, jo vetëm sepse konsumojnë sasi të mëdha alkooli, por edhe sepse kanë më shumë gjasa të jenë të pastrehë ose të burgosur krahasuar me anëtarët e tjerë të shoqërisë. Për këto arsye, është shumë e rëndësishme në kushtet aktuale të pandemisë, që njerëz të tillë të cilët kanë nevojë për ndihmë, t’ju jepet kjo ndihmë.
Nëse ju ose një person afër jush përjeton të tilla çrregullime me konsumin e alkoolit, ju lutem konsideroni si më poshtë vijon:
- Situata në të cilën ndodhemi është një nga mundësitë më të mira për të hequr dorë nga konsumi i alkoolit, ose tek e fundit të ulni sasinë e konsumit (nëse heqja dorë nga alkooli është e pamundur) në aktivitetet (siç janë: festat, grupimet me shoqërinë, restorantet, klubet, etj.) që do të vijnë në të ardhmen tuaj të afërt. Të gjitha këto janë të shmangshme. Ju mundet që të përmirësoni shëndetin tuaj!
- Këshillimet online (mbi çrregullimet në lidhje me konsumin e alkoolit) prej profesionistëve dhe grupimeve ndihmuese mund të jenë shumë më pak stigmatizuese pasi ato ofrojnë anonimitet dhe privatësi. Kështu që, mos harroni të merrni në konsideratë edhe këtë lloj ndihme.
- Mbështetuni tek dikush që ju i besoni dhe kërkoni ndihmë nëse ju nevojitet.
- Praktikoni distancimin fizik por jo izolim social: telefono, shkruaju të njohurve/shokëve/afërmve. Përdorni mënyra të reja dhe kreative (mos ngurroni) për të krijuar lidhje me njerëz.
- Shmangni/injoroni promocionin e produkteve alkoolike, që mund t’ju shfaqen në TV apo rrjete të ndryshme sociale.
- Fokusohuni tek gjërat që ju e dini mirë që keni kontroll (metoda relaksimi, aktivitet fizik, lojra dhe hobi të ndryshme).
- Nëse infektoheni, ndiqni këshillat e personelit shëndetësor.
Si mund të gjeni informacion të besueshëm dhe si mund të shmangni keqinformimin?
- Përpiquni të gjeni burime të sakta informacioni, si: HEDA, IShP, KORONAVIRUS, MShMS, ECDC, OBSh.
- Gjithmonë verifikoni informacionin e marrë. Bëni kujdes me informacionin që nuk ka një burim zyrtar (referenca) të përfshira në të. Mund të jenë keq informuese, e për rrjedhojë shëndet-dëmtuese.
- Jini vigjilentë nga deklaratat false dhe nga personat jo kompetent, veçanërisht kur bëhet fjalë për efektet shëndetësore të konsumit të alkoolit dhe imunitetit. Asnjëherë mos harroni, se konsumi i alkoolit është shumë i dëmshëm për shëndetin tuaj dhe në çdo rrethanë përkeqëson situatën e COVID-19.
- Bëhuni gjithashtu të kujdesshëm në marrjen e mesazheve prej deklaratave në internet, të cilat mbështesin konsumin e tij gjatë izolimit apo karantinës. Alkooli nuk është një element i dobishëm për të përmbushur nevojat tuaja shëndetësore.
MESAZHI FINAL:
NË ASNJË RRETHANË, KONSUMI I ALKOOLIT NUK ËSHTË I KËSHILLUESHËM PËR SHËNDETIN TUAJ E PËR MË TEPËR NË PARANDALIMIN APO TRAJTIMIN E COVID-19!
Referenca:
- Shield, K., et al., National, regional, and global burdens of disease from 2000 to 2016 attributable to alcohol use: a comparative risk assessment study. The Lancet Public Health, 2020.
- Pál, L., et al., Aliphatic alcohol contaminants of illegally produced spirits inhibit phagocytosis by human granulocytes. Immunopharmacology and immunotoxicology, 2013. 35(2): p. 251-256.
- Bujdosó, O., et al., Is there any difference between the health risk from consumption of recorded and unrecorded spirits containing alcohols other than ethanol? A population-based comparative risk assessment. Regulatory Toxicology and Pharmacology, 2019. 106: p. 334-345.
- Szucs, S., et al., Could the high level of cirrhosis in central and eastern Europe be due partly to the quality of alcohol consumed? An exploratory investigation. Addiction, 2005. 100(4): p. 536-542.
- Lachenmeier, D.W.; Walch, S.G. Composition of alcoholic beverages-an under-researched dimension in the global comparative risk assessment. Addiction 2017, 112, 1002-1003. doi:10.1111/add.13790
- International Agency for Research on Cancer (IARC,2007) Monographs on the Evaluation of Carcinogenic Risks to Humans, Vol. 96, Alcoholic Beverage Consumption and Ethyl Carbamate (Urethane). Lyon, France
- World Health Organization, Global status report on alcohol and health 2018. 2019, Geneva, Switzerland: World Health Organization.
- Battaglia R, Conacher HBS, Page BD. (1990) Ethyl carbamate (urethane) in alcoholic beverages and foods: A review. Food Addit Contam 7:477–96.