Përgatitën:
Erand Llanaj MPH,MSc, PhD(c), Denisa Baci PhD, Aldi Pupuleku PhD, Julia Daragjati PhD, Livia Tepshi PhD, Ina Mexhitaj PhD, Teuta Muhollari PhD(c), Irma Kuka.
Shumë studime që lexoni, mund të kenë vërtetësi, por më vonë ndoshta mund të provohen që janë, të paktën pjesërisht, të gabuara.
Shkenca është një mekanizëm vetërregullues në përmirësim, por është edhe mekanizmi më i mirë që kemi për momentin. Nuk është perfekt, por funksionon më mirë se gjithçka tjetër që kemi në dispozicion.
Duke parë pas në kohë dhe duke hetuar kërkime klinike dhe paraklinike shohim se si shumë nga terapitë që në pamje të parë dukej se funksiononin, më vonë kanë shfaqur efekte anësore të rënda që e bënin të pamundur përdorimin e tyre
Kjo është e pritshme dhe ka ndodhur shumë herë gjatë historisë së species tonë. Barna të zbuluara si efektive për: Alzajmerin, obezitetin, sëmundjet e zemrës, osteoporozën, etj., mund të kenë pasur rezultate fillestare pozitive, por këto rezultate mund të kenë ‘avulluar’ pas një inspektimi të kujdesshëm e të detajuar. Për publikun kjo duket një gjë e largët ose e çuditshme, sepse nuk ka njohuri të mjaftueshme shkencore (pjesërisht edhe për shkak të komunikimit të pamjaftueshëm të komunitetit shkencor me publikun e gjerë), por për komunitetin shkencor ky fenomen është i zakonshëm.
Të tilla raste janë përsëritur herë-pas-here gjatë historisë shkencore, për të siguruar vërtetësinë, aplikueshmërinë, efikasitetin dhe mbi të gjitha sigurinë e një medikamenti potencial. Për të gjitha këto prova është e nevojshme të kryhen studime të hollësishme që mund të provojnë këto aspekte në mënyrë të saktë e të paanshme.
Skicimet më të sakta kërkimore janë ato, që në anglisht i referohemi si “Randomized double-blind and placebo ose SoC (standard of care) controlled, Clinical trial” dhe në shqip njihen, si ‘prova klinike rastësore me verbëri të dyfishtë dhe në krahasim me placebo ose standartin aktual të shërbimit shëndetësor’. Pra, për prova klinike eksperimentale rastësore (për të shmangur efektet potenciale që lidhen me karakteristikat e pacientëve, subjektet shpërndahen në mënyrë rastësore nëpër grupet përkatëse) sigurohet verbëri e dyfishtë. Verbëria e dyfishtë bën të mundur eliminimin e ndikimeve qoftë nga kërkuesit, po ashtu edhe nga pacientët, pasi asnjëra nga të dyja palët nuk e di se cili trajtim administrohet. Ky informacion zotërohet vetëm nga kreu i kërkimit, në raste të tjera informacioni mbyllet në një zarf dhe hapet pas përfundimit të studimit.
Më pas, e gjithë praktika dhe rezultatet e trajtimit eksperimental krahasohen me ato placebo (një trajtim pa efekt) dhe në këto studime (por jo vetëm) nuk mund t’i ‘biem shkurt’ dhe/ose të pranojmë ‘besime’ të pabazuara. Gjithashtu nuk mund të ‘supozojmë’, bazuar në dëshira vetjake.
Përgjithësisht mund të themi se këto praktika dhe lloje të tjera skicimesh kërkimore shkencore shtojnë fuqinë e studimit.
Shumë shpejt do të publikojmë shkrime të detajuara për ‘fuqinë’ apo ‘nivelet’ e evidencave të studimeve.
Këtu po ju prezantojmë me konceptin e ‘madhësisë së efektit’ (magnituda e një fenomeni që tregon fuqinë e lidhjes mes dy [ose më shumë] faktorëve). Ky koncept (madhësia e efektit), nuk është shumë i njohur jashtë fushës së kërkimeve epidemiologjike apo klinike, ndaj për thjeshtësi në të kuptuar po e ilustrojmë duke shmangur qasjen e thellë akademike.
Mund t’ju ndodhë të ndesheni në diskutime me ide që përcjellin një mesazh të ngjashëm si situata e mëposhtme:
‘Nuk ke pse kryen një provë të kontrolluar klinike për të kuptuar që parashutat funksionojnë! Çfarë do të bësh? A mos vallë do të marrësh një aeroplan me 100 njerëz dhe do të hedhësh nga aeroplani pa parashutë 50 prej tyre në mënyrë të randomizuar (të përzgjedhur rastësisht) dhe të testosh hipotezën tënde?’ Kjo qasje na rikthen tek koncepti i madhësisë së efektit për të shpjeguar situatën. Në lartësinë 10,000 metra madhësia e efektit është shumë e madhe. Kur madhësia e efektit është e madhe mostra mund të jetë më e vogël dhe të ketë ende kuptim. Në hulumtimet klinike për gjetjen e një terapie apo trajtimi, qasja investiguese dhe menduese nuk është e njëjtë me rastin e parashutave.
Përbërësit kimikë ose barnat që testohen, ndihmojnë disa pjesë/segmente të popullsisë së pacientëve, në nivele dhe mënyra të ndryshme, kurse përdorimi i së njëjtës lloj parashute ndihmon thuajse njësoj çdo person që hidhet nga aeroplani.
Ndoshta për shumë prej nesh, situata e COVID-19 duket një situatë e ngjashme me situatën e parashutës, por duhet të marrim në konsideratë faktin që shumë individë mund të infektohen me virusin pa e ditur fare se janë të sëmurë. Gjë që, për shumicën e aspekteve, nuk ngjason fare me situatën e hedhjes nga aeroplani.
Shumica e njerëzve që infektohen prej koronavirusit mbijetojnë. Niveli i rast-fatalitetit është një subjekt debati këto kohë, por që përgjithësisht luhatet vlerës 2-4% (në varësi të kontekstit dhe faktorëve të sistemit shëndetësor). Nga perspektiva e shëndetit publik, kjo është një shifër e ‘tmerrshme’, pra 10 deri në 20 herë më e madhe se ajo e gripit sezonal dhe me një nivel infeksioziteti shumë herë më të lartë. Megjithatë, gjetja e një alternative terapeutike është diçka e ‘koklavitur’. ‘Nëse të gjithë do të shëroheshin me terapitë e kujdesit të zakonshëm shëndetësor, atëherë si mundet të testohet ideja jote?’
Kjo është një pyetje që duhet të kalojë në mendimet tona. E më pas të tjera pyetje mund të pasojnë në lidhje me shqyrtimin e ecurisë së sëmundjes. Për shembull: ‘Sa individë kanë nevojë për terapi intensive?’, ‘Sa gjatë qëndrojnë në spital?’, e kështu me radhë. Këto janë elemente me një rëndësi madhore, nëse duam të përmirësojmë gjendjen shëndetësore e të parandalojmë pasojat në shëndet te pacientët e infektuar, sepse fokusi i gjithë këtyre indikatorëve është pacienti dhe pasojat shëndetësore që ai mund të pësojë.
Në këtë rast ngarkesa virale mund të përbëjë një shembull të mirë të një treguesi të drejtpërdrejtë të gjendjes së pacientit.
Ju mund të mendoni se ngarkesa virale mund të ketë lidhje (korrelacion) me treguesit e tjerë, të cilët kanë në qendër pacientin, por kjo duhet të provohet dhe ndoshta mund të jetë një lidhje jo aq e fortë nga sa ç’mund të pritej.
POR, nuk duhet kurrsesi të nënvlerësohet fuqia indikative e ngarkesës virale.
Ndoshta në nivel popullate ka nevojë për më shumë hulumtim, për të kuptuar më mirë dobinë e saj. Në nivel individi ngarkesa virale është një tregues i provuar dhe një tregues/parametër shumë i rëndësishëm për të kuptuar më mirë ecurinë e sëmundjes.
Në nivel popullate, ajo që ka vlerë në këtë situatë pandemie është numri i individëve të cilët sëmuren; si sëmuren; sa sëmuren dhe sa shpejt mund ta marrin veten. Të gjithë këta tregues kanë repertorin e tyre të ndryshorëve (variablave) që mund të maten, por për momentin nevojiten të dhëna dhe evidenca cilësore, për të kuptuar se çfarë është duke ndodhur realisht.
Një tjetër aspekt i rëndësishëm është se shpeshherë, kur përballemi me faktet ose kur i përcjellim ato, shkaktojmë një ndjenjë pasigurie tek disa individë. Por, ajo që duhet të kuptojmë dhe për të cilën duhet të ndërgjegjësohemi është se vërtetësia dhe transparenca janë armët më e forta në një luftë, si kjo me COVID-19. Sepse, nëse shtetet do të fillojnë të mos ndajnë të dhënat e tyre publikisht, studiuesit do të fshehin faktet për dëmet që shkakton një bar i përdorur gjerësisht dhe modeluesit do të tregojnë modele optimiste e do të fshehin modelet reale, etj.
A u bindët se KJO do të jetë katastrofa më e madhe e njerëzimit dhe jo ‘ndjesia e mungesës së shpresës’!
Pozitiviteti mund të ketë doza pesimizmi edhe optimizmi brenda tij: të dyja na nevojiten, sepse, për t’u kthyer tek shembulli i aeroplanit, optimisti shpiku aeroplanin dhe pesimisti parashutën.