Përgatiti: Irma Kuka Recensent Dr. Shk. Erand Llanaj
Shpeshherë rekomandohen integratorë ushqimorë me përmbajtje vitaminat C, D dhe zink gjatë trajtimit të infeksionit COVID-19. Në disa raste, këto suplemente dhe të tjera, rekomandohen edhe si masë parandaluese ndaj kësaj sëmundjeje. Pyetjet që lindin natyrshëm janë: A ka evidenca që e mbështesin përdorimin e tyre te pacientët me COVID-19? Çfarë tregojnë evidencat e studimeve për këto suplemente në njerëz të infektuar me COVID-19? A kanë ndonjë ndikim në ecurinë e sëmundjes së COVID-19? Cili është efekti i tyre (nëse ka një të tillë)?
Suplementet e Vitaminës C dhe të Zinkut përshkruhen zakonisht nga mjekët si mbështetje e terapisë gjatë virozave stinore. Por evidencat e deritanishme që mbështesin përdorimin e tyre janë të diskutueshme. Rezultatet e një rishikimi sistematik dhe meta-analiza e provave klinike të randomizuara, si niveli më i lartë i evidencave shkencore, kanë treguar vetëm efekte modeste të këtyre suplementeve përinfeksionet respiratore dhe për gripin stinor (shiko këtu).
Në një provë klinike të randomizuar, të botuar në revistën shkencore të Shoqatës Amerikane të Mjekësisë (shiko këtu), studiuesit testuan në një grup prej më shumë se 200 pacientësh, nëse trajtimi me Zink dhe Vitaminë C ose një kombinim i të dyjave, kishte ndonjë efekt në ecurinë e COVID-19. Rezultatet treguan se krahasuar me regjimin e zakonshëm klinik, Vitamina C dhe Zinku të administruara më vete apo në kombinim, nuk patën ndikim në reduktimin e kohëzgjatjes së simptomave të lidhura me infeksionin COVID-19 (Figura 1, pjesa B dhe D).
Studimi dhe provat e mësipërme nuk e mbështesin përdorimin e tyre për pacientët me COVID-19, sepse efektet e tyre pozitive në ecurinë klinike të pacientëve me COVID-19 apo dhe në parandalimin e infeksionit nga SARS-CoV-2 ende nuk janë të provuara.
Vlen të theksohet se marrja e suplementeve pa një përfitim të provuar mund të bëhet kundër-produktive për shkak të efekteve anësore të tyre. Përdorimi i gabuar i tyre mund t’ju bëjë të kërkoni shërbim urgjencë në disa raste (shiko këtu). Kujtojmë se doza të larta të Zinkut shkaktojnë një shije karakteristike metalike, thatësirë në gojë dhe efekte të tjera gastrointestinale. Gjithashtu doza të larta të vitaminës C mund të shkaktojnë përzierje, diarre dhe dhembje abdominale.
Po Vitamina D?
Marrja e vitaminës D3 në reduktimin e rrezikut të infeksioneve respiratore akute ka prodhuar rezultate pozitive në studime vëzhguese dhe prospektive, por studimet më serioze nuk e mbështesin marrjen e vitaminës D3 për infeksione respiratore (shiko këtu). Një meta-analizë e provave klinike të randomizura, e botuar në revistën shkencore The Lancet, që hetoi lidhjen mes marrjes së vitaminës D3 për parandalimin e infeksioneve akute respiratore, nuk tregoi ndonjë efekt domethënës. Të vetmet efekte pozitive të vëzhguara ishin modeste, të kufizuara vetëm për fëmijët e moshave 1-16 vjeç, në doza ditore 400-1000 UI të marrë për një kohëzgjatje 12 mujore ose pak më pak. Përdorimi disa ditor/javor kishte efekte të papërfillshme. Këto gjetje nuk përfshinë pacientët me COVID-19.
Një studim i botuar para pak kohësh nga JAMA analizoi efektet e suplementimit të një doze të lartë të Vitaminës D3 te pacientët e shtruar me COVID-19. Gjetjet e tij treguan se marrja e kësaj doze të lartë të vitaminës D3 nuk pati asnjë ndikim në kohë-qëndrimin në spital. Rrjedhimisht, këto gjetje nuk e mbështesin përdorimin e vitaminës D në doza të larta për trajtimin e pacientëve me COVID-19 të moderuar ose të ashpër (Figura 1, pjesa A dhe C).
Ajo që njihet dhe që mbështetet prej evidencave shkencore më serioze është se mënyra më e mirë për të stimuluar sistemin tonë imunitar mbetet stili i shëndetshëm i jetesës, përfshirë këtu aktivitetin e rregullt fizik (shiko këtu), mospirjen e duhanit (shiko këtu), moderimin deri në eliminim të alkoolit (shiko këtu), regjimi i rregullt i gjumit (7-8 orë) (shiko këtu dhe këtu) dhe një dietë e shëndetshme dhe e ekuilibruar (shiko këtu dhe këtu).
Referenca të rekomanduara për lexim të mëtejshëm:
- Hemilä H, Chalker E. Vitamin C for preventing and treating the common cold. Cochrane Database Syst Rev. 2013;(1):CD000980.
- Singh M, Das RR. Zinc for the common cold. Cochrane Database Syst Rev. 2011;(2):CD001364.
- Eby GA, Davis DR, Halcomb WW. Reduction in duration of common colds by zinc gluconate lozenges in a double-blind study. Antimicrob Agents Chemother. 1984;25(1):20-24.
- Hemilä H. Zinc lozenges and the common cold: a meta-analysis comparing zinc acetate and zinc gluconate, and the role of zinc dosage. JRSM Open. 2017;8(5):2054270417694291.
- Jolliffe, David A et al.Vitamin D supplementation to prevent acute respiratory infections: a systematic review and meta-analysis of aggregate data from randomised controlled trials. The Lancet Diabetes & Endocrinology, Volume 9, Issue 5, 276 – 292
- Thomas S, Patel D, Bittel B, et al. Effect of High-Dose Zinc and Ascorbic Acid Supplementation vs Usual Care on Symptom Length and Reduction Among Ambulatory Patients With SARS-CoV-2 Infection: The COVID A to Z Randomized Clinical Trial. JAMA Netw Open. 2021;4(2):e210369.
- Murai IH, Fernandes AL, Sales LP, et al. Effect of a Single High Dose of Vitamin D3 on Hospital Length of Stay in Patients With Moderate to Severe COVID-19: A Randomized Clinical Trial. JAMA. 2021;325(11):1053–1060.
- Rachael A. Lee, Robert M. Centor, Linda L. Humphrey, et al. Appropriate Use of Short-Course Antibiotics in Common Infections: Best Practice Advice From the American College of Physicians. Ann Intern Med.