Të gjendur përballë një konfuzioni kolektiv, ku ende flitet për imunitet tufe natyral, më poshtë shtjellojmë këtë koncept kaq të rëndësishëm dhe aktual.
Imuniteti i tufës – që i referohet mbrojtjes së individëve të rrezikuar (=suseptibël) nga një infeksion, kur ekziston një numër i mjaftueshëm individësh imun në popullatë, nuk duhet të shihet kurrsesi jashtë kontekstit të vaksinave. Me fjalë të tjera, imuniteti i tufës mund të arrihet kur individët e imunizuar (=të vaksinuar) ndihmojnë në pengimin e transmetimit të virusit tek individët e rrezikuar. Sipas përllogaritjeve aktuale, përqindja-kufi që duhet të arrihet për të pasur imunitet të tufës është mbi 50-67% e popullatës së rrezikuar. Për ta kuptuar më mirë këtë koncept, po e zbërthejmë matematikisht, bazuar në formulën epidemiologjike për gjetjen e kufirit për arritjen e Imunitetit të Tufës (IT):
Ku: Ro është numri i rasteve të reja që potencialisht infektohen nga një rast aktual me COVID-19. Aktualisht, ky numër lëviz ndërmjet 2 dhe 3 individë. Nëse marrim si shembull rastin e Shqipërisë, në skenarin kur Ro është 2, IT mund të arrihet nëse infektohen të paktën 50% e popullsisë totale në Shqipëri (~1.4 milionë). Në skenarin kur Ro është 3, IT mund të arrihet nëse infektohen të paktën 67% e popullsisë (~1.9 milionë). Sot kemi të infektuar, sipas shifrave zyrtare, më pak se 5% të popullsisë dhe e shikojmë se në çfarë presioni e kemi vënë sistemin shëndetësor! Për më tepër nëse e lejojmë virusin të përhapet do të kemi humbje jete tërësisht të parandalueshme, që shkon kundër zotimit profesional ‘Primum non nocere’ fillimisht mos dëmto!
Theksojmë se nuk kemi pasur asnjë rast në historinë e njerëzimit ku të kemi eliminuar ose arritur imunitet tufe për një infeksion përmes infektimit natyral! Rrjedhimisht, nëse do të përdorej si strategji me justifikimin për të dalë më shpejt nga kjo pandemi, do të ishte e papranueshme, fatale, jo etike, si dhe do të kushtonte shumë jetë të humbura njerëzish të parandalueshme.
Vetëm përmes vaksinimit të shpejtë dhe të gjerë mund të arrijmë imunitet të tufës – çdo formë tjetër e njohur është deluzion ose papërgjegjshmëri!
Referenca:
https://www.heda.al/artikuj/cfare-ndodh-nese-nje-variant-behet-dominant
https://www.heda.al/artikuj/memorandumi-shqiptar-per-ruajtjen-e-shendetit