Çfarë është Mjekësia Gjinore?

mjekesia gjinore

Mjekësia Gjinore (Gender Medicine) është disiplina mjekësore që studion ndryshimet fiziologjike, biologjike, klinike e farmakologjike të popullsisë femërore dhe mashkullore.

Shprehja “gjinore” (gender) përdoret shpesh në lidhje me Teorinë Gjinore (Gender Theory), një temë shumë e diskutuar dhe e debatuar që është në gjendje të ushqejë frikë dhe skandal, të cilat më pas amplifikohen përmes mediave sociale apo thashethemeve.

Duke pasur parasysh rëndësinë e temës, është e nevojshme të sqarohet se ky artikull nuk po trajton Teorinë Gjinore, por Mjekësinë Gjinore.

Qendra e parë në Europë që filloi studimet e Mjekësisë Gjinore ishte Qendra e Mjekësisë Gjinore të Institutit Karolinska (Stokholm, Suedi). Qëllimi kryesor i saj ishte mbështetja e  hulumtimit dhe e edukimit që çojnë drejt inovacionit në kujdesin shëndetësor, përmes promovimit dhe zhvillimit të studimit të të ashtuquajturit dimension gjinor. Duke qenë qendra e parë e këtij lloji në Europë, ajo shërbeu si shembull për zhvillimin e grupeve të tjera në mbarë Europën, por edhe jashtë saj.

Dimensioni gjinor mjekësor është ndërdisiplinar dhe përfshin jo vetëm çrregullimet hormonale apo sëmundjet e aparatit riprodhues, por të gjitha fushat klinike, si:

  • kardiologjinë,
  • sëmundjet kronike të organeve joriprodhuese (p.sh.: veshka, mëlçia, etj),
  • çrregullimet neurologjike,
  • farmakologjinë
  • përdorimin e barnave,
  • pa lënë pas dore dhe kërkimet që fokusohen në të kuptuarit më mirë të parandalimit dhe zhvillimit të sëmundjeve.

Studimet mjekësore klinike deri në vitet 2000 merrnin për bazë vetëm subjektin mashkull, rreth moshës 40 vjeçare, me peshë 75 kg dhe gjatësi 1.70 m.

Duhet të kuptojmë se femrat vuajnë njësoj dhe mund të vdesin nga të njëjtat sëmundje, si meshkujt (si p.sh.: infarkti i miokardit, tumori, osteoporoza etj), por ato nuk përzgjidheshin të merrnin pjesë në studime klinike të sëmundjeve kardiovaskulare.

Për shembull, infarkti i miokardit mendohet të ketë incidencë më të madhe tek burrat se tek gratë, por e vërteta është se gruaja vdes 2 herë më shumë se burrat nga kjo sëmundje, sepse simptomat e saj janë të ndyshme nga ato të shpjeguara në libra (ku jepen simptomat e burrave), ndaj tek gratë ndërhyrja e duhur bëhet më me vonesë, duke menduar fillimisht për shkaqe të tjera.

Nga ana tjetër, osteoporoza mendohej se ishte një sëmundje me prevalencë femërore e megjithatë është parë që burrat mund të vdesin më shpejt sesa gratë pas thyerjes së femurit për shkak të saj. Gratë pas menopauzës duhet të fillojnë marrjen e integratorëve, barnave për parandalimin apo trajtimin  e osteoporozës, sipas këshillës së mjekut (nganjëherë janë ato vetë që ia kërkojnë mjekut të tyre). E kundërta ndodh me meshkuj të cilët as që kujtohen të marrin ndonjë integrator për kocka.

Mjekësia Gjinore, nuk përfaqëson vetëm sëmundjet e grave dhe aq më pak nuk është trajtim alternativ, por synon të studiojë se si ndryshimet biologjike dhe social-kulturore ndikojnë në mirëmbajtjen e shëndetit apo në zhvillimin e sëmundjeve tek gratë dhe burrat.

Mjekësia Gjinore përshkruan se si të njëjtat sëmundje shfaqen ndryshe tek burrat dhe tek gratë.

Ajo ka si qëllim të aplikojë mënyra të sakta e specifike diagnostikuese, terapeutike dhe parandaluese për burrat dhe për gratë.

Studimi i gjinisë është veçanërisht i rëndësishëm në rastin e studimit të përcaktuesve shëndetësor që varen nga mënyra e jetesës, si:

  • konsumimi i alkolit
  • duhanpirja
  • aktiviteti fizik
  • ushqimi
  • pesha trupore.

Në fakt, këto pasqyrojnë zgjedhje individuale, të ndikuara pikërisht nga konteksti social-ekonomik dhe mjedisor ku jetohet.

Mjekësia Gjinore synon të arrijë trajtime më të përshtatshme dhe më specifike për burrat dhe gratë, duke filluar me ndryshimin e mentalitetit të popullatës, por edhe të mjekëve.

Përse flitet për Mjekësi Gjinore?

Sepse na përket në mënyrë direkte.

Vajzat apo gratë, djemtë apo burrat duhet të kenë sigurinë që, duke përdorur ndryshimin gjinor, rezultatet e kërkimeve të reja të jenë më të sakta.

Këto rezultate të ndikojnë gjithë mjekësinë me:

  • produkte,
  • shërbime
  • sisteme shëndetësore,

në menyrë që, qëllimi parësor të jetë përmirësimi i shëndetit në gjithë popullatën.