Skleroza Multiple (MS) është një sëmundje neurodegjenerative kronike e sistemit nervor qendror, që shkaktohet nga një inflamacion autoimun i qelizave nervore.
MS karakterizohet nga humbja e shtresës së mielinit, një shtresë izoluese e përbëre nga proteina dhe lipide, që rrethon qelizat nervore dhe në kushte normale përshpejton transmetimin e impulseve nervore nga truri dhe palca kurrizore drejt sistemit nervor periferik. Në rastin e Sklerozës Multiple (MS), shtresa e mielinit është e dëmtuar nga qelizat e sistemit imunitar të quajtura limfocitet T. Këto qeliza T shndërrohen në autoreaktive dhe shumëfishohen, si rrjedhojë e aktivizimit nga antigenet e sistemit nervor qendror të mielinit dhe e sulmojnë atë vazhdimisht, duke ngadalësuar transmetimin e impulseve nervore dhe duke sjellë shkatërrimin progresiv të funksionit të neuroneve. Kjo shkakton defiçite okulare, kognitive dhe motorike nervore duke sjellë kështu probleme me shikimin, lëvizjet dhe memorien. Gjithashtu, përfshin edhe komplikacione të tjera, si: dhembje të përgjithshme, dobësi të gjymtyrëve dhe depresion.
MS është një sëmundje komplekse, që ndikohet nga faktorët ambientalë dhe shfaqet tek individë gjenetikisht të predispozuar. Konsiderohet si një sëmundje e vetme, me disa variante klinike tek të rriturit, por në 20 vitet e fundit është hasur edhe tek fëmijët dhe adoleshentët.
Diagnoza e MS bazohet në kritere diagnostifikuese, që marrin parasysh manifestimet klinike, karakteristikat e pllakave që mund të vërehen me imazhe rezonance magnetike (MRI) si dhe analizat e lëngut cerebrospinal, ku identifikojnë një grup antitrupash që shfaqen në shumicën e pacientëve me MS. Pavarësisht progresit të vazhdueshëm në shkencë dhe në mjekësi në lidhje me MS, sidomos këto 30 vitet e fundit, kjo sëmundje konsiderohet akoma shumë e vështirë për t’u diagnoztifikuar dhe trajtuar, sepse nuk ka një test specifik për të dhe, për më tepër, sëmundja manifestohet në disa variante klinike.
Deri më sot, fatkeqësisht, asnjë trajtim nuk i shëron të prekurit nga kjo sëmundje. Procesi i degradimit të mielinit dhe neuroneve është i pakthyeshëm, por nuk ndikon në jetëgjatësi.
MS prek më shumë se 2.5 milionë persona në mbarë botën dhe më së shumti individë nga mosha 20-40 vjeç, me një raport 3:1 të femrave në krahasim me meshkujt. MS konsiderohet të ketë një prevalencë më të lartë në zonat e hemisferës veriore, por me kalimin e kohës përhapja e saj është rritur edhe në rajonin mesdhetar.
Kjo sëmundje kronike i rëndon jo vetëm emocionalisht, por edhe psikologjikisht dhe ekonomikisht pacientët dhe familjarët e tyre. Duke qenë se popullata e prekur nga MS është heterogjene dhe kjo sëmundje manifestohet në disa faza klinike, është e rëndësishme për publikun e gjerë dhe sidomos për mjekët të familjarizohen me disa nga karakteristikat, simptomat, kriterin e diagnozës si dhe trajtimet, në mënyrë që përshpejtimi dhe përkeqësimi i MS tek pacientet të parandalohet.