Integratorët ushqimorë janë produkte ushqimore që kanë për qëllim të plotësojnë një dietë të zakonshme. Përbëjnë një burim të përqendruar lëndësh ushqyese apo substancash të tjera me efekte ushqyese apo fiziologjike, të cilat tregtohen në forma apo doza të ndryshme, si p.sh.: tableta, kapsula dhe lëngje në doza të caktuara.
Ndër përbërësit më të zakonshëm të integratorëve ushqimorë përmendim:
- lëndët ushqyese që janë: vitaminat dhe mineralet;
- lëndë të tjera, si: aminoacidet, acidet yndyrore esenciale, probiotikët, prebiotikët, fibrat, bimë të ndryshme dhe ekstrakte bimore.
Integratorët ushqimorë kanë për qëllim të korrigjojnë mangësitë në dietë:
- për të mbajtur nivelin e duhur të lëndëve të caktuara ushqyese;
- për të mbështetur funksionet fiziologjike në organizëm.
Ato nuk janë medikamente dhe, si të tilla, nuk mund të kenë veprim farmakologjik, imunologjik apo metabolik. Përdorimi i tyre nuk synon të trajtojë a të parandalojë sëmundjet e as të modifikojë funksionet fiziologjike të organizmit.
Në rregulloret e Bashkimit Europian integratorët ushqimorë kategorizohen si produkte ushqimore dhe është përgjegjësi e prodhuesit, importuesit, furnizuesit e shpërndarësit të garantojë sigurinë e një integratori ushqimor të hedhur në treg. Prodhuesve u kërkohet të prodhojnë integratorë ushqimorë në mënyrë cilësore dhe të sigurojnë që ato nuk përmbajnë ndotës ose papastërti. Integratorët duhet të jenë të etiketuar saktë, sipas praktikës së mirë të prodhimit (cGMP) dhe rregulloreve të etiketimit.
Në Amerikë, FDA-ja (Agjensia Federale e Administrimit të Ushqimeve dhe Barnave) nuk është e autorizuar të shqyrtojë sigurinë dhe efikasitetin para hedhjes në treg. Por, nëse ndodh një problem serioz ose një ngjarje e padëshirueshme lidhur me një integrator ushqimor, prodhuesit duhet të raportojnë tek FDA. Kjo e fundit, nëse zbulon se është i pasigurtë, nëse informacionet për këtë produkt janë të rreme apo përmbajnë mashtrime, mund të marrë masa deri në ndalimin e tregtimit të tyre.
Konsumatorët, për arsye të ndryshme, mund të vendosin që, përmes integratorëve ushqimorë, të përfshijnë në dietën e tyre një sasi të caktuar të lëndëve ushqyese. Për këtë arsye është e rëndësishme t’i garantohet një produkt i sigurtë e me etiketim korrekt.
Ndryshe nga medikamentet me recetë, FDA nuk kërkon që prodhuesit e vitaminave dhe suplementeve dietike të përfshijnë një datë skadence në paketim. Disa kompani prodhuese vullnetarisht sigurojnë një datë “të konsumohet para…” në kapak ose etiketë. Kjo do të thotë se produkti ruan efikasitetin e plotë deri në atë datë, por, nëse konsumohet më vonë, nuk duhet të shkaktojë ndonjë dëm për shëndetin. Thjesht pas kësaj date prodhuesi nuk garanton më cilësinë e produktit.