Imuniteti sterilizues nënkupton eliminimin e virusit përpara se ai të jetë në gjendje të shkaktojë një ri-infeksion (pasi trupi ka qënë i ekspozuar edhe më parë). Virusi neutralizohet nga antitrupat neutralizues.
Kitet (=mjetet laboratorike) komerciale që përdoren në diagnozën rutinë për vlerësimin e IgG kundrejt proteinës së gjilpërës (=Spike (S) IgG), nukleokapsidit (=mbështjellëses) (N)), apo RBD (=pikës ku ‘lidhet’ virusi me receptorin qelizor) (etj.) nuk mund të shpjegojnë apo përcaktojnë tërësisht nivelin e mbrojtjes nga një ri-infektim potencial. Megjithatë niveli i antitrupave neutralizues (=sterilizues), mund të na informojë për këtë!
Niveli i antitrupave lidhës ndaj proteinave të sipërpërmendura S, RBD, N, etj. nuk lidhet drejtpërdrejtë me titrat (=’sasinë’) e antitrupave neutralizues. Të parat (antitrupat lidhës jo neutralizues) nuk kanë efekt të drejtpërdrejtë në eliminimin e virusit, por mund të aktivizojnë citotoksicitetin e varur nga antitrupat (angl. ACCD). Ky i fundit eliminon virusin duke aktivizuar dhe qeliza të tjera imune.
Antitrupat neutralizues bllokojnë ndërveprimet biologjike të virusit në mënyrë të drejtpërdrejtë.
Një botim shkencor mbi këtë temë, ka konfirmuar se në një pjesë të pacientëve titrimi i SARS-CoV-2 IgG ishte i qëndrueshëm deri pas 2 muajsh, por niveli i antitrupave neutralizues ishte pothuajse përgjysmuar. Përdorimi i esesë serologjike që bazohet në antigjenicitetin e gjilpërës është tregues më i saktë për praninë e antitrupave neutralizues (për më shumë detaje referojuni: (https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pmc/articles/PMC7418752/#SD1)
Përgatitën:
Prof.Ass Mirela Kuka, Dr.shk Denisa Baci, Dr.shk Aldi Pupuleku, Dr.shk Erand Llanaj
Në vijim ekipi i mësipërm i specialistëve imunologë dhe epidemiologë do qartësojë çeshtjet që lidhen me imunitetin dhe efektin e vaksinave.
Nëse keni pyetje, mund t’i dërgoni në adresën info@heda.al