Çfarë ushqimesh të konsumojmë në ditët e nxehta?

ushqime

Vera është një nga stinët më të bukura që të gjithe e presim me padurim, por nga më të vështirat për t’u përballuar në raste të temperaturave ekstreme. Personat e moshuar dhe fëmijët e vegjël (≤ 4 vjeç) janë më të ndjeshëm nga i nxehti. Kur temperaturat janë të larta trupi ynë mundohet të mbajë një temperaturë të qendrueshme (37°C), nëpërmjet djersitjes.

Si duhet vepruar për të kufizuar pasojat që sjellin temperaturat e larta në organizëm në këto ditë të nxehta vere?

Përveç masave kryesore si qendrimi në hije, mos ekspozimi në diell nga ora 11h-16h, mbajta e kapeles, syzeve, dhe aplikimi i kremrave mbrojtës, një vend te rëndësishëm në parandalimin e pasojave nga temperaturat e larta zënë hidratimi (marrja e mjaftueshme e ujit) dhe mënyra e ushqyerjes. Një rol të rëndësishëm ka dhe tretja e ushqimeve, e cila sforcon organizmin të shpenzojë energji, i cili më pas ka tendencë që të rrisë temperaturën trupore (termogjenezë).

Ja disa këshilla për të përballuar sa më lehtë verën e nxehtë:

  1. Hidratohuni rregullisht, mos prisni të keni etje. Për bebet dhe fëmijet e vegjël, rekomandohet t’u jepet ujë çdo orë, si dhe gjatë natës në qoftë se zgjohen. Të rriturit duhet të kenë kujdes e të kujtohen të pinë ujë, pasi duke filluar nga mosha 50 vjeç, ndjeshmëria për të pirë ujë zvogëlohet 1. Për personat e moshuar, këshillohet pirja e 1.3 deri në 1.4 litra ujë në ditë (13-14 gota) 2.
  2. Preferoni ushqimet me përmbajtje të lartë uji. Një tjetër alternativë në marrjen e mjaftueshme të ujit është nëpërmjet frutave dhe perimeve si p.sh  shalqi, pjepër, luleshtrydhe, qershi, pjeshkë, domatë, kungull, kastravec, sallatë, finok, por duke mbajtur një ekuilibër në konsumimin e tyre. Kosi përmban gjithashtu një sasi të madhe uji që shkon në 70-90%. Kastraveci dhe sallata jeshile janë ushqimet që përmbajnë më shumë ujë (97% dhe 95%)3 dhe janë më të lehta për t’u tretur, duke ju dhënë njëkohësisht mineralet e humbura gjatë djersitjes.
  3. Kufizoni sasinë e proteinave me origjine shtazore (sidomos mishin) pasi janë më të vështira për t’u tretur dhe asimiluar nga organizmi gjatë verës . Një mundësi e mirë për të siguruar sasinë e mjaftueshme të proteinave gjatë kësaj periudhe është konsumimi i vezës, orizit, thjerëzave ose cerealeve në sallatë.
  4. Shmangni pijet me alkool dhe ato të ëmbla pasi nxisin djersitjen dhe si rrjedhojë dehidratimin. Po ashtu duhen shmangur dhe pijet me bazë kafeine të cilat kanë një efekt diuretik (urinim të shpeshtë).
  5. Shmangni konsumimin e picave , hamburgerave sidomos në darkë.
  6. Përpiquni të mos konsumoni ushqim në çdo moment, sepse në këtë mënyrë stimuloni aparatin tretës i cili i kërkon trupit më shumë energji duke prodhuar kështu nxehtësi.

Lexoni edhe: Ide recetash për një verë sa më të freskët nëpërmjet ushqimit

Referencat