Cila është origjina e SARS-COV-2?

Emergjenca Covid 19

Përmbledhur nga AIRinforma dhe përshtatur në shqip nga:

  • Aldi Pupuleku, PhD

Recensente:

  • Teuta Muhollari, PhD (c)

SARS-CoV-2 është një nga tre korononaviruset së bashku me SARS dhe MERS, me të cilët ndan një ngjashmëri të lartë gjenetike në ARN-në prej 30kb. Rezervuari i tij më i përshtatshëm janë lakuriqët e natës. Kafshë të tjera gjithashtu kanë shërbyer si vektorë për kapërcimin e këtyre viruseve në specie të tjera duke fituar një potencial për të infektuar këto specie, e gjithashtu edhe njeriun duke shkaktuar së fundmi të ashtuquajturën COVID-19. Virusi është i mbështjellë me një perikapsid i cili e bën atë të ndjeshëm ndaj alkoolit, ndërsa falë proteinave të tij “spike”(gjilpërave) që i japin formën e kurorës, është në gjendje të njohë receptorin ACE2 (i njëjtë me SARS-CoV-1) dhe të infektojë indet njerëzore.

SARS-CoV-2 është një virus që i përket familjes Coronaviridae dhe së bashku me SARS CoV-1(i 2003-shit) dhe MERS, janë të njohur për shkaktimin e një niveli të lartë të sëmundshmërisë. Struktura e tij mbështillet me një perikapsid/membranë e jashtme, e cila infekton qelizat dhe në të njëjtën kohë, pikërisht kjo membranë mund të bëjë virusin të ndjeshëm ndaj alkoolit dhe dezinfektuesve të tjerë të përdorur kundër viruseve. SARS-CoV-2 ka një gjenom me një fije ARN afërsisht 30,000 baza. Duke patur parasysh madhësinë dhe përbërjen e tij, gjenomi i këtij virusi është relativisht i qëndrueshëm po të bëjmë krahasimin midis disa izolimeve klinike. Ky stabilitet ndoshta varet nga prania e aktivitetit korrigjues nga ana e virusit. Analizat fillestare të Institutit të Virologjisë në Wuhan, treguan se SARS-CoV-2 ka një identitet 96% me një koronavirus (RaTG13) të izoluar në kampionët e lakuriqëve Rhinolophus affinis.

Peplomerët viralë të proteinave spike, ndërmjetësojnë hyrjen e virusit dhe përmbajnë një zonë lidhëse për receptorin ACE2. Në SARS-CoV-2, kjo është identike me atë të një koronavirusi të izoluar nga kafsha Pangolin Borneo (Manis javanica – i importuar në mënyrë të paligjshme në provincën e Guangdong) e cila fillimisht sugjeroi që infeksioni vinte nga Pangolinët. Sidoqoftë, koronaviruset e identifikuar në pangolinë kanë treguar ngjashmëri të përafërt me SARS-CoV-2 por jo aq sa të sugjerojnë transmetim të drejtpërdrejtë tek njeriu. Proteina spike tek SARS-CoV-2 ka një domen lidhës të receptorit që sugjeron një afinitet të fortë për proteinën ACE2 të njerëzve, primatëve, derrave dhe maceve.

Nga ana tjetër, SARS-CoV-2 ka më pak afinitet për ACE2 të specieve të tjera të lidhura me viruse të ngjashëm me SARS, duke përfshirë brejtësit dhe bufat. Meqenëse virusi SARS CoV-1 përdor gjithashtu ACE2 për të hyrë në qelizë, deri tani janë zhvilluar disa modele kafshësh transgjenike për ACE2 në mënyrë që të jetë e mundur studimi në kontekstin pre-klinik dhe aktualisht disa grupe po vlerësojnë nëse janë të përdorshëm për SAR-CoV-2.

Si përfundim, SARS-CoV-2 përmban një pozicion të veçantë prerjeje për proteinën furin, e cila është e nevojshëme që virusi të kapërcejë në një specie tjetër (për shembull nga lakuriqët te njerëzit). Ky pozicion nuk është gjetur në ndonjë virus apo organizëm tjetër, i cili kundërshton teoritë se është artificiale. Studimet e ndryshme që aktualisht janë duke u zhvilluar jo vetëm që do të ndihmojnë në përcaktimin e origjinës së virusit, por do të lehtësojnë zhvillimin e vaksinave dhe terapive.

Referenca:

David Tuller, Gertrud U. Rey (2020) Furin cleavage site in the SARS-CoV-2 coronavirus glycoprotein. Virology Blog.

Denison MR, Graham RL, Donaldson EF, Eckerle LD, Baric RS. Coronaviruses: an RNA proofreading machine regulates replication fidelity and diversity. RNA Biol. 2011 Mar-Apr;8(2):270-9.

K.G. Andersen, A. Rambaut, W.I. Lipkin, E.C. Holmes, R.F. Garry (2020) The Proximal Origin of SARS-CoV-2. virological.org.

Letko M, Marzi A, Munster V. Functional assessment of cell entry and receptor usage for SARS-CoV-2 and other lineage B betacoronaviruses. Nat Microbiol. 2020 Feb 24

Hu B, Zeng LP, Yang XL, Ge XY, Zhang W, Li B, Xie JZ, Shen XR, Zhang YZ, Wang N, Luo DS, Zheng XS, Wang MN, Daszak P, Wang LF, Cui J, Shi ZL. Discovery of a rich gene pool of bat SARS-related coronaviruses provides new insights into the origin of SARS coronavirus. PLoS Pathog. 2017 Nov 30;13(11):e1006698.

Zhou P, Yang XL, Wang XG, Hu B, Zhang L, Zhang W, Si HR, Zhu Y, Li B, Huang CL, Chen HD, Chen J, Luo Y, Guo H, Jiang RD, Liu MQ, Chen Y, Shen XR, Wang X, Zheng XS, Zhao K, Chen QJ, Deng F, Liu LL, Yan B, Zhan FX, Wang YY, Xiao GF, Shi ZL. A pneumonia outbreak associated with a new coronavirus of probable bat origin. Nature. 2020 Mar;579(7798):270-273.