Çrregullimet pelvis-perineum. Si të gjeni qetësinë tuaj?

Në artikullin e mëparshëm (kliko këtu) folëm për dyshemenë pelvike (Perineumi), si një strukturë muskulare komplekse me një rëndësi të veçantë në jetën e gruas. Ajo mban të gjithë organet e brendshme, si: vezikën urinare, mitrën, zorrët etj. Simbolikisht këto organe përfaqësojnë elementin Ujë, si vendin e emocioneve, që mbështetet mbi perineumin dhe është në kontakt me të. Pa perineum nuk do të mund të mbanim pezull të gjithë organet e brendshme, gjithçka do binte poshtë. Ai është dyshemeja e trupit tonë. Duke i qëndruar metaforës, mund të themi që uji ka nevojë për Tokën ku të ndalojë dhe të mbështetet mbi të, metaforë kjo e konkretes, e rrënjëve.

Në këtë rast perineumi përfaqëson qendrën e tokës.

  • Ai është vendi i ndjenjave dhe emocioneve më të thella të gruas, si: frika, ankthi, kuraja, forca dhe kënaqësia.
  • Është qendra e pavetëdijes dhe instiktit.
  • Është vendi i identitetit dhe integritetit femëror.
  • Është vendi i instikteve që lidhen me mbijetesën, si: seksualiteti, riprodhimi e frymëmarrja.
  • Ështe organi i orgazmës dhe nxit prodhimin hormonal (oksitocinën, endorfinat, adrenalinën)

Mungesa e vetëdijes mbi funksionimin e perineumit e bën të vështirë kujdesin për këtë kompleks muskulor, duke bërë që, me kalimin e kohës, ndryshimet fizike, hormonale dhe ato psikologjike të çojnë në një mosfunksionim normal të tij, duke e kthyer feminilitetin tonë në një “çrregullim”.  Njohuritë e pakta ose injorimi i rolit të dyshemesë pelvike (Perineumit) në jetën tonë do të thotë humbje progresive dhe e pashmangshme e qëndrueshmërisë, ndjeshmërisë dhe kontrollit të saj.

Nuk është për t’u çuditur, që shumë gra rizbulojnë këtë pjesë të trupit të tyre vetëm në momente “kritike” të jetës së tyre. Kjo ndodh shpesh në fund të shtatzanisë, në momentin e lindjes, kur një perineum i papërgatitur detyrohet t’i nënshtrohet epiziotomisë (inçizion/prerje e pjesës së poshtme të vaginës deri në muskujt e poshtëm për t’i krijuar hapësirë foshnjës dhe për të evituar çarje/plasje të pakontrolluara). Pas lindjes shumë nëna të reja zbulojnë se kanë probleme me humbjen e pavullnetshme të urinës gjatë sforcimeve. E në moshën e tretë, të njëjtat gra përjetojnë për herë të parë mbi veten e tyre kuptimin e fjalës prolaps. Prolapsi është zbritje e organeve të brendshme, pasi perineumi nuk arrin t’i mbajë siç duhet.

Organizata Botërore e Shëndetësisë sugjeron që përdorimi rutinë i epiziotomisë ose traumës gjatë kalimit të foshnjës duhet të shmanget.

Pothuajse një e katërta e popullsisë femërore vuan nga çrregullime të perineumit, me pasoja të konsiderueshme në mirëqënien fizike dhe mendore të tyre.

Faktorët e rrezikut që rrisin mundësitë e çrregullimeve të perineumit janë:

  • mosha e madhe gjatë shtatzënisë;
  • lloji i lindjes;
  • numri i lindjeve;
  • pesha e fëmijës;
  • numri i fëmijëve në të njëjtën shtatzëni etj…

Vlen të theksohet që këto probleme janë akoma një tabu e madhe sociale. T’i mposhtim ose thjesht t’i kufizojmë do të thotë të përmirësojmë “cilësinë e jetës” së grave që vuajnë prej tyre.

Përse vazhdoni ta injoroni problemin?

Organizata Botërore e Shëndetësisë, në statutin e saj të vitit 1948, e ka përkufizuar shëndetin jo vetëm si mungesë e një sëmundje, por si një gjendje e mirëqënies së plotë fizike, sociale dhe mendore. Në raportin “Promovimi i shëndetit 1998” të publikuar nga kjo organizatë ftohen të gjitha vendet pjesëmarrëse të hartojnë një strategji efektive për të parandaluar sëmundjet kronike invaliduese që prekin gratë.

Menaxhimi i këtyre sëmundjeve duhet të përfshijë disa grupe profesionistësh, si: mamitë, fizioterapistët, gjinekologët, urologët, kirurgët kolonorektal, psikologët e nutricionistët.

Mamia, duke qenë profesioniste e shëndetit, duhet të ndryshojë qëndrimin pasiv të grave ndaj këtyre çrregullimeve dhe të mposhtë qëndrimin minimizues dhe penalizues të simptomave. Ndërhyrjet që mamitë mund të zbatojnë janë:

  • Informative-edukuese
  • Parandaluese
  • Kuruese
  • Paliative/mbështetëse

Përpjekjet kryesore duhet të synojnë planifikimin e iniciativave të parandalimit, të informimit dhe edukimit. Qëllimi kryesor është përhapja e njohurive dhe kujdesi për strukturat pelvis-perineum, në çdo etapë të jetës femërore.

Rezultatet e pritura janë:                                                                                                               

  • Reduktim i incidencës së patologjive fillestare dhe i prolapsit të organeve gjenitale.
  • Reduktim i terapisë kirurgjikale invasive.
  • Të përmirësojë vetëvlerësimin e gruas, cilësinë e jetës dhe seksualitetin e saj.
  • Ulje e shpenzimeve shëndetësore