Maskat rekomandohen si një masë e thjeshtë për të ndihmuar në parandalimin e përhapjes së pandemisë COVID-19. Mekanizmi me anë të të cilit maskat pengojnë përhapjen e virusit është bllokimi i kalimit të spërklave të pështymës në ajër kur personi që mban maskën kollitet, tështin, ose bisedon. Ky proces njihet me emrin kontrolli i burimit. Ky rekomandim bazohet në ato që dimë në lidhje me rolin që spërklat e pështymës luajnë në përhapjen e virusit që shkakton COVID-19.
COVID-19 mund të përhapet nga njerëz që nuk kanë simptoma dhe nuk që nuk e dinë se janë të infektuar. Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme që të gjithë të përdorin maska në ambiente publike dhe të praktikojnë distancimin social.
Por cilat janë evidencat mbi efektivitetin e përdorimit të maskave?
Sipas një sërë studimesh (1,2,3) maskat duket se janë efektive, si më vete ashtu edhe në kombinim me higjienën e duarve, për të parandaluar përhapjen e viruseve të transmetueshme me anë të frymëmarrjes, në popullatën e përgjithshme. Në të njëjtën kohë, studime të kryera në persona të infektuar kanë treguar efikasitet të lartë të maskave për të parandaluar përhapjen e infeksionit tek kontaktet e shëndetshme (4).
Një përmbledhje sistematike e literaturës dhe meta-analizë (5), ku u përfshin 21 studime të ndryshme dhe 8686 persona, arriti në përfundiminse përdorimi i maskave nga popullata, mund të zvogëlojë rrezikun e infeksionit nga viruset respiratore me 47% (OR = 0.53, 95% CI = 0.36–0.79). Efekti mbrojtës i maskave ndryshonte në bazë të vendeve të ndryshme, duke pasur një efekt më të lartë në Azi (OR = 0.31) në krahasim me vendet perëndimore (OR = 0.45).
Në analizën e bërë për epidemi apo pandemi të vecanta, kjo përmbledhje raporton se përdorimi i maskave ka patur një efekt mbrojtës kundër viruseve të gripit prej 45% (OR = 0.55), ndaj SARS 74%, dhe ndaj SARS-CoV-2 96%. Megjithatë nuk u gjet një efekt mbrojtës sinjifikativ i përdorimit të maskave kundër AH1N1.
Në studimin e tyre Cheng e tj, krahasuan incidencën e COVID-19 në Hong Kong, Kinë me vende si Spanja, Italia, Gjermania, Franca, Sh.B.A, Singapor, dhe Koreja e Jugut gjatë 100 ditëve të para të pandemisë. Ata arritën në përfundimin se incidenca e COVID-19 gjatë kësaj periudhe ishte më e ulët në Hong Kong, ku mbajtja e maskave nga popullata arriti deri në 96.6%, në krahasim me vendet e tjera që kishin shkallë më të ulët të mbajtjes së maskave (6).
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka përditësuar udhëzimet e veta dhe këshillon që për të parandaluar transmetimin e COVID-19 në mënyrë efektive në komunitet, qeveritë duhet të inkurajojnë publikun e gjerë që të përdorin maska në situata specifike si një përqasje për të penguar transmetimin e virusit (7). Kjo është bërë duke marrë parasysh studimet e deritanishme që vlerësojnë transmetimin para dhe asimptomatik të SARS-CoV-2, provat në rritje mbi përdorimin e maskave nga publiku i gjerë në disa vende si dhe vështirësinë e distancimit fizik në shumë kontekste.
Referenca:
1.Aiello, A.E. , Perez, V. , Coulborn, R.M. , Davis, B.M. , Uddin, M. , Monto, A.S. Facemasks, hand hygiene, and influenza among young adults: a randomized intervention trial. , 2012; PLoS ONE 7 (1) .
2.Aiello, A.E. , Murray, G.F. , Perez, V. , Coulborn, R.M. , Davis, B.M. , Uddin, M. , et al. Mask use, hand hygiene, and seasonal influenza-like illness among young adults: a randomized intervention trial. 2010J. Infect. Dis. 201 (4), 4 91–4 98.
3.MacIntyre, C.R. , Cauchemez, S. , Dwyer, D.E. , Seale, H. , Cheung, P. , Browne, G. , et al. Face mask use and control of respiratory virus transmission in households. 2009. Emerg. Infect. Dis. 15 (2), 233
4.Barasheed, O. , Almasri, N. , Badahdah, A.M. , Heron, L. , Taylor, J. , McPhee, K. , et al. , Pilot randomised controlled trial to test effectiveness of facemasks in preventing influenza-like illness transmission among Australian Hajj Pilgrims in 2011. 2014: Infect. Disord. Drug Targets. 14 (2), 110–116
5.Mingming Lianga, Liang Gaoc, Ce Chengd, Qin Zhoue, John Patrick Uyf, Kurt Heinerg, Chenyu Sunf. Efficacy of face mask in preventing respiratory virus transmission: A systematic review and meta-analysis. 2020: Travel Medicine and Infectious Disease, https://doi.org/10.1016/j.tmaid.2020.101751
6.Cheng VC, Wong SC, Chuang VW, Chuang VW, So SY, Chen JH, et al. The role of community-wide wearing of face mask for control of coronavirus disease 2019 (COVID-19) epidemic due to SARS-CoV-2. J Infect 2020. https://doi.org/10.1016/j.jinf.2020.04.024
7.World Health Organization. (2020). Advice on the use of masks in the context of COVID-19: interim guidance, 5 June 2020. World Health Organization. https://apps.who.int/iris/handle/10665/332293.