Fibromialgjia, një dhembje në të gjithë trupin

Shpesh jemi përballë pacientëve (më së shumti të gjinisë femërore), që ankojnë për dhembje në zona të ndryshme të trupit. Në këto situata mund të kemi të bëjmë me diagnostifikimin e një sëmundjeje, të pranuar si e tillë nga OBSH vetëm në vitin 1992, me termin Fibromialgji, dhe që mendohet të ketë një prevalencë prej 5.4 % në rang botëror.

Fibromialgjia është një sëmundje kronike që përfshin aparatin muskulo-skelektrik dhe karakterizohet nga dhembje në të gjithë trupin, nga probleme me gjumin, nga lodhje të vazhdueshme dhe nga stresi.

Vetë fjala “fibromialgji” do të thotë dhembje (algos) që ndjehet në indet fibroze (fibro), si tendinat dhe ligamentet, dhe në muskuj (myo).

Personat që kanë fibromialgji janë më të ndjeshëm ndaj dhembjes, sepse kanë një perceptim anormal ndaj saj.

Shkaku i kësaj patologjie nuk dihet, por kërkimet shkencore hamendësojnë përfshirjen e sistemit nervor.  Është një sëmundje që mund të menaxhohet dhe të trajtohet.

Kjo sëmundje mund të prekë persona të çdo moshe, por më e shprehur është duke filluar mosha e mesme e në vazhdim, me një mundësi që vjen në rritje progresive me moshën. Sipas statistikave, femrat janë më të prekura.

Disa nga faktorët më të njohur të rrezikut janë:

  • Artriti reumatoid
  • Gjendjet e stresit
  • Traumat si pasojë e aksidenteve ose si pasojë e problemeve me stresin
  • Obeziteti
  • Historia familjare
  • Sëmundje të tjera, si, p.sh. një infeksion viral.

Ku mund të drejtohemi kur shfaqen këto shenja?

Është e rëndësishme gjetja e mjekut të përshtatshëm për të trajtuar këtë çrregullim. Mund t’ju ndodhë të konsultoheni me disa mjekë përpara se të merrni diagnozën e duhur. Hamendësohet se kalojnë mesatarisht 2 vite dhe 3 konsulta të ndryshme derisa të diagnostikohet saktë kjo patologji. Kjo ndodh, sepse simptomat kryesore të fibromialgjisë janë të ngjashme me ato të patologjive të tjera, të cilat, si rregull, fillimisht duhet të përjashtohen përpara se të bëhet një diagnozë e saktë.

Mjekët e përshtashëm, tek të cilët duhet të drejtohemi fillimisht, janë mjeku i familjes, i cili do t’ju drejtojë më pas tek mjeku reumatolog. Për diagnostifikimin e drejtpërdrejtë nuk ka teste specifike, ndaj mjeku hap pas hapi mund të kërkojë analiza dhe grafi për të përjashtuar sëmundje të tjera.

Trajtimet e fibromialgjisë

Mjeku mund t’ju këshillojë përdorimin e disa medikamente, si p.sh.: ibuprofen, naproxen a të tjera, të cilat kanë si qëllim lehtësimin e simptomave.

Edhe pse ka disa mundësi trajtimi, kujdesi vetjak është jetësor për përmirësimin e simptomave. Shumë i rëndësishëm është ndryshimi i stilit të jetesës.

Ju duhet:

  • të flini aq sa ju nevojitet për t’u ndjerë të çlodhur;
  • të kryeni ushtrime fizike;
  • të ushqeheni mirë;
  • të kryeni fizioterapi (masazhe, terapi të lëvizjeve, agopunturë).

Mund të përdoren dhe suplementë ushqimorë, që kanë në përbërje të tyre elementë për të ndihmuar në reduktimin e dhembjes, në përmirësimin e gjendjeve të stresit dhe të cilësisë së gjumit. Këto elementë mund të jenë: 5-HTP9 (hidroksitriptofan), melatonine, L-carnitine, vitamin B kompleks, vitamin D3, magnez etj.