Komuniteti shkencor global, duke përdorur të gjithë arsenalin aktual hulumtues, që nga testimi i medikamenteve ekzistuese e deri tek terapitë e reja inovative, po garon për gjetjen e një zgjidhjeje për situatën e COVID-19. Megjithatë, zgjidhja më e favorshme do të ishte gjetja e një vaksine kundër COVID-19!
Gara për vaksinën po vazhdon. Më shumë se 135 kandidatë po punojnë ditë-e-natë për gjetjen e një vaksine efektive. Kujtojmë se pas shpërthimit të SARS-it në vitin 2002, u deshën rreth 20 muaj për të pasur një vaksinë të vetme kandidate, ndërkohë për Ebola-n 7 muaj, për Zikën 5 muaj e gjysmë dhe për SARS-CoV-2 vetëm 2 muaj!
Vaksinat janë një prej zbulimeve më të rëndësishme të njerëzimit. Sipas një anketë globale të realizuar në vitin 2018 rezultoi se 92% e popullsisë së prindërve globalisht, besonin se vaksinat janë të rëndësishme për të mbrojtur fëmijët nga sëmundjet e parandalueshme infektive (burimi). Në Shqipëri shifra është po aq e kënaqshme dhe sipas një ankete (burimi) 87.15% e prindërve duan të vaksinojnë fëmijët e tyre. Kjo shifër tregon se qëndrimi ynë si shoqëri shqiptare dhe ai global përputhen. Theksojmë që kjo shifër nevojitet të jetë në këtë nivel, nëse dëshirojmë të arrijmë imunitetin e tufës me vaksinim – kur (nëse) vaksina do të jetë gati.
Shumë individë mendojnë se edhe pse na nevojitet një vaksinë, asnjë e tillë nuk të mbron në nivelin 100% – dhe kanë të drejtë! Nga ana tjetër, efektiviteti ‘100%’ nuk ekziston. Për më tepër, vaksinat nuk kanë nevojë të jenë 100% efektive për të na mbrojtur.
Mjafton të kujtojmë milionat e jetëve që merrte Lija e vërtetë (Variola Vere) dhe se si pas një fushate globale vaksinimi të sukesshme, u deklarua e zhdukur (=eradikuar) në vitin 1977 me një vaksinë 95% efektive. Kujtojmë shpërthimet epidemike dhe vdekjet nga poliomieliti, fruthi, tuberkulozi, hepatiti B, difteria, tetanozi, kolla e mirë, e shumë sëmundje të tjera infektive që sot janë të shmangshme me vaksina me efektivitet jo ekzaktësisht 100%.
Ekipi i HEDA Albania ka përgatitur një grafik ndërgjegjësues që tregon ‘grabitqarët’ mikroskopik të njeriut dhe si vaksina ofron mbrojtje. KLIKO