Gratë, Shtatzania dhe Foshnjet: COVID-19 përmbledhje e studimeve të fundit

grua shtatzene

Përgatitur dhe përshtatur në shqip nga

  • Julia Daragjati, PhD

Recensente:

  • Teuta Muhollari, PhD (c)

Studimet që kemi  përmbledhur më herët [1]  dhe[2] janë realizuar në Kinë, epiqendrën e përhapjes së virusit SARS-CoV-2. Ajo që dihej për të gjitha këto nëna me COVID-19 ishte se kishin kontaktuar me një person të infektuar. Duke e krahasuar këtë infeksion me sëmundjet e SARS-CoV-1 dhe MERS, rastet tregojnë se kjo sëmundje nuk është aq vdekjeprurëse sa këto dy të fundit.

Cilat ishin simptomat  që shfaqnin nënat shtatzëna?

Duke u bazuar në këto studime u vërejt se pacientet shtatzëna kishin të njëjtat simptoma si popullata adulte:

  • Temperaturë,
  • kollë,
  • diarre,
  • dispne,
  • simptoma atipike (humbje e nuhatjes, ose vetëm diarre pa temperaturë),

Por kishte dhe raportime të rasteve asimptomatike e shpesh RT-PCR për SARS-CoV-2 jepte rezultate false negative për to.

Cila ishte mënyra më e saktë e diagnostikimit të gruas shtazënë?

Përveç testit nazofaringeal, Imazheria CT ishte diagnostikuesi më i saktë i COVID19 për gratë shtatzëna.

Lindjet e nënave ishin lindje natyrale?

Pothuajse të gjitha lindjet që ndodhën ishin lindje cezariane (vetëm 2 lindje natyrale të raportuara). Kjo varej si nga rasti ashtu edhe nga vendimi i mjekut.

A ishin të infektuara indet dhe mjedisi i përbashkët nënë-bebe?

Analizat e marra nga mostrat e indeve intrauterine, lëngut amniotik, kordonit umbelikal, kulloshtrës dhe qumështit të gjirit rezultuan të gjitha SARS-CoV-2 negative. Supozimi i një transmetimi shumë pak të mundshëm mund të shpjegohet prej pranisë së ulët të receptorëve ACE2 (‘porta e virusit’) pak ose aspak të shprehur në qelizat fetale-amësore.

Po qumështi i gjirit a ishte i infektuar dhe a këshillohej gjidhënia?

Qumështi i të gjitha nënave rezultoi të ishte koronavirus negativ. Në Kinë,  nënave me COVID-19 nuk i këshillohej të ushqyerit direkt me gji edhe nëse testi i qumështit ishte negativ. Nënës i jepej mundësia të ushqente beben pasi të ishte krejtësisht e shëruar, ndërkohë beben e ushqenin me qumësht formul. Megjithatë vlen të theksojmë se OBSH nuk këshillon ndarjen nënë-foshnje dhe sugjeron që të ndiqen  rregullat e kujdesit shëndetësor të gjidhënies sipas rastit.

A është i mundshëm transmetimi vertikal i SARS-CoV-2 nga nëna tek foshnja?

Ndërkohë transmetimi vertikal i SARS-CoV-2( transmetimi nga nëna te foshnja) nuk u provua në studimet e para, që merrnin për bazë një foshnje apo një grup foshnjash (max 10). RT-PCR i këtyre foshnjave (mostra sputum nazofaringeale/ anale) rezultuan negative për SARS-CoV-2 dhe nuk bëheshin analiza të tjera tek foshnjat [1]

Kur filluan të bëheshin testet serologjike për antitrupat IgM dhe IgG tek nëna, por edhe tek bebet, u krijua një ‘dritare e hapurdyshimi për një transmetim të mundshëm vertikal të virusit nga nëna tek foshnja![2]. Zakonisht këto antitrupa nuk shfaqen deri nga dita e 3-7 pas infektimit; dhe rasti i foshnjës me nivelet e antitrupave të larta 2 orë pas lindjes konfirmon infektimin e nënës, por edhe të foshnjës. Falë përgjigjes imunitare ekziston mundësia që nëna të prodhojë antitrupa të mjaftueshëm, pa shkaktuar gjendje të rënduar. Këto antitrupa mund të kenë veprim mbrojtës tek foshnja.

Sa të vërteta janë këto studime?

Kufizimi më i madh i këtyre studimeve është numri i vogël i rasteve, por këto rezultate sigurisht që krijojnë mundësi të mëtejshme për hulumtimin e karakteristikave serologjike të foshnjave të lindura nga nëna me COVID-19. Megjithatë, nevojiten hulumtime të tjera shkencore dhe më shumë raste në mënyrë që të provohet mundësia e transmetimit vertikal për koronavirusin SARS-CoV-2.

Përfundim

Këto studime [1] dhe [2] tregojnë rëndësinë e një përkujdesjeje të veçantë për nënat me COVID-19 dhe foshnjat e lindura prej tyre, duke bërë analiza dhe testet e nevojshme për diagnostikimin e duhur dhe si rrjedhim marrjen e masave për të vepruar në kohë pa ekspozuar nënën dhe beben në rrezik.