Si virusi i gripit (në zhargonin mjekësor influenca) edhe SARS-CoV-2 shkaktojnë kushte shëndetësore që prekin kryesisht traktin respirator (aparatin e frymëmarrjes), por ekzistojnë ndryshime të rëndësishme ndërmjet dy viruseve sëmundjeshkaktues, kryesisht në mënyrën se si ato përhapen.Kjo analyze krahasuese bazohet në të dhënat zyrtare e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Në përgjithësi viruset çaktivizohen (denatyrojnë) me rritjen e temperaturës së mjedisit: viruset mund të qëndrojnë të padëmtuara në natyrë në temperaturën 4 ◦C ose për më gjatë në 10 ◦C, por kur temperaturat afrohen pranë 30 ◦C ato përgjithësisht çaktivizohen. Mirëpo për këtë virus nuk ka një skenar të të tillë, sepse tashmë ka përhapje në vende me temperatura të larta.
Së pari, virusi që shkakton infeksionin COVID-19 dhe ai që shkakton gripin sezonal kanë një paraqitje simptomatologjike të ngjashme. Kjo ngjashmëri lidhet me faktin se të dy viruset shkaktojnë simptoma kryesisht në aparatin e frymëmarrjes, simptoma këto të cilat mund të jenë të një spektri të gjerë, nga ato pa simptoma fare ose të butat (kollë, sputum, etj.) e deri tek ato më të ashprat (vështirësi të mëdha në frymëmarrje, shok septik, etj.), por këto të fundit janë të rralla.
Së dyti, të dy viruset transmetohen nëpërmjet kontaktit, spërklave, sekrecioneve dhe atyre që në zhargonin profesional quhen ‘fomite’(=të gjitha objektet që mundësojnë transmetimin e virusit të tilla si qelizat e lëkurës, rrobat, flokët ose çarçafët). Për pasojë, duhet të merren të njëjta masa klasike të shëndetit publik, të tilla si higjiena e duarve (shih video të hollësishme këtu: https://www.bbc.com/news/av/health-51754472/coronavirus-how-to-wash-your-hands-in-20-seconds ) dhe rregullat bazike të edukatës respiratore (kur kollitemi apo teshtijmë, të vendosim gropëzën e bërrylit para fytyrës ose një kartopecetë, të cilën duhet ta hedhim menjëherë në kosh të mbyllur pas përdorimit).
Shpejtësia e transmetimit është një pikë referimi informuese për të kuptuar më mirë diferencën ndërmjet këtyre dy viruseve.
- Gripi ka një periudhë mesatare inkubimi më të shkurtër (koha prej infektimit e deri tek shfaqja e simptomave) dhe
- Një interval serial më të vogël (koha ndërmjet rasteve pasuese të infektuara) krahasuar me COVID-19. Ky interval serial në rastin e COVID-19, sipas vlerësimeve më serioze, ka një kohëzgjatje 5-7 ditë, ndërkohë që në rastin e virusit të gripit, intervali serial është 3 ditë. Kjo do të thotë se gripi mund të përhapet më shpejtë se COVID-19. Më tej, transmetimi i virusit gjatë 3-5 ditëve të para pas infektimit, ose ndryshe transmisioni potencial pre-simptomatik (transmetimi i virusit përpara shfaqjes së simptomave) është një faktor madhor në përhapjen e gripit. Në rastin e COVID-19, individët e infektuar mund ta transmetojnë virusin brenda 24-48 orëve përpara se simptomat të shfaqen.
- Një tjetër indikator i dobishëm është edhe numri riprodhues (numri i infeksioneve dytësore të gjeneruara prej një individ që është infektuar). Në rastin e virusit të COVID-19 është ndërmjet 2 dhe 2.5, shifër që është më e lartë se në rastin e gripit. Megjithatë, duhet të kuptojmë se vlerësime të hollësishme për këta indikator varen edhe prej kontekstit dhe kohës, gjë që e vështirëson krahasimin e drejtpërdrejtë të dy viruseve në këtë aspekt.
- Fëmijët, janë një vektor (=transportues të infeksionit) i rëndësishëm në rastin e përhapjes së gripit në komunitet. Për virusin e COVID-19, të dhënat paraprake tregojnë se fëmijët janë më pak të prekur në krahasim me të rriturit dhe niveli i sulmit klinik në moshat 0-19 vjec është më i ulët, në krahasim me pjesën tjetër të popullatës..
- Ndërkohë që spektri i simptomave për të dy viruset është i ngjashëm, fraksioni i rasteve me ashpërsim të simptomatologjisë është i ndryshëm. Për COVID-19, të dhënat tregojnë se (shifrat janë mesatare të përafruara):80% e infeksioneve klasifikohen si të buta ose pa simptoma (=asimptomatike), 15% kanë infeksione të rënda që kërkojnë oksigjen dhe vetëm,5% klasifikohen si infeksione kritike, të cilat kanë nevojë për ventilim klinik. Këto fraksione të infeksioneve të rënda apo kritike janë më të larta në krahasim me infeksionin e gripit.
- Ata të cilët rrezikohen më së shumti nga infeksioni i gripit stinor janë fëmijët, gratë shtatzëna, të moshuarit dhe individët të cilët kanë kushte shëndetësore kronike ekzistuese dhe ata të cilët kanë imunitet të dobët (=imunosupresuar). Për COVID-19, kuptueshmëria aktuale epidemiologjike sugjeron se mosha e madhe (50+ vjeç) dhe kushtet shëndetësore kronike ekzistuese shtojnë rrezikun për një infeksion më të ashpër.
- Vdekshmëria nga COVID-19 është aktualisht më e lartë se ajo e gripit, veçanërisht krahasuar me gripin sezonal.
- Vdekshmëria e vërtetë e COVID-19 mund të jetë e mbivlerësuar për shkak të pranisë së rasteve me kushte shëndetësore ekzistuese dhe rasteve me një moshë relativisht të madhe. Megjithatë, edhe pse nevojitet më tepër kohë për ta konfirmuar këtë shifër, të dhënat aktuale dëshmojnë për një nivel vdekshmërie krudo rreth 1-5% (numri i individëve që janë raportuar të vdekur pjesëtuar me rastet totale të raportuara), ndërkohë që niveli i vdekshmërisë prej infeksionit (numri i vdekjeve të raportuara pjesëtuar me numrin e infeksioneve) është më i ulët. Për gripin sezonal, vdekshmëria është zakonisht nën 0.1 %. Megjithatë, duhet të kuptojmë se në të dyja rastet niveli vdekshmërisë diktohet nga aksesi dhe cilësia e shërbimit shëndetësor.