Paraqitja klinike
Hernia diskale lumbare është shkaktari kryesor i dhembjes në zonën e nervit shiatik. Pacienti ankohet për dhembje të mesit, duke përfshirë zonën e shtyllës kurrizore dhe të belit, e cila zbret përgjatë kofshës dhe arrin deri te këmba. Pacienti e përshkruan dhembjen e këmbës si ndjesi të një shkarkese elektrike të shoqëruar shpesh me ndjesinë e mpirjes dhe parestezi (miza miza J).
Çfarë është Hernia Diskale dhe Disku Intervertebral?
Hernia diskale është një spostim i materialit diskal nga disku intervertebral në kanalin vertebral ose foramen e koniugacionit ku kalon rrënja nervore. Ajo shkakton shtypje të rrënjës nervore dhe si pasojë dhembje në zonën që kjo rrënjë nervore inervon.
Disku Intervertebral është i përbërë prej indi kartilagjen (kërc) dhe është i formuar nga dy pjesë:
- Anulusi fibroz, pjesa e jashtme e diskut intervertebral që shërben si mburojë dhe si mbajtëse e bërthamës polpoze.
- Bërthama polpoze, e cila shërben për amortizimin e forcave që zhvillohen në segmentet vertebrale.
Anulusi Fibroz ka disa shtresa, të cilat, me kalimin e viteve, nën efektin e forcave që zhvillohen mbi të, pësojnë dëmtime. Në momentin që dëmtimi i anulusit fibroz është total, bërthama polpoze spostohet/migron në kanalin spinal dhe në foramen e koniugacionit ku shtyp rrënjën nervore. Hernia diskale ndodh më shpesh në moshën 30-50 vjeçare, kur bërthama polpoze është akoma e hidratuar dhe shtresat e anulusit fibroz kanë pësuar dëmtime.
Një nga shkaqet që shtyjnë për herniet diskale janë sforcimet fizike ose punët e rënda. Hernia mund të shfaqet edhe si pasojë e një sforcimi fizik të menjëhershëm, si për shembull: një ngritje peshe në pozicion të gabuar apo më banale një kollitje apo teshtimë. Ka disa profesione që janë më të prirura të kenë këto probleme, si p.sh.: punëtorët e ndërtimit dhe shoferët.
Faktorët e rrezikut që mund të favorizojnë shfaqjen e Hernies Diskale janë:
- Duhanpirja
- Diabeti
- Obeziteti
- Punët e rënda
- Faktorët gjenetikë (receptorët e Vit. D)
Për të parandaluar apo për të minimizuar mundësitë e shfaqjes së hernies diskale këshillohet një stil i shëndetshëm jetese. Punëtorët që kryejnë punë të rënda duhet të përdorin korse lumbarë, në mënyrë që të mbrojnë shtyllën kurrizore. Në shumë shtete pajisja e punëtorëve me këto korse është e detyrueshme.
Diagnostikimi
Pacientit që drejtohet tek specialisti duke u ankuar për dhembje mesi e cila arrin deri në zonën e nervit shiatik, i bëhet një vizitë e plotë dhe më pas i jepet trajtimi përkatës. Analiza që jep diagnozën e saktë të hernies diskale është Rezonanca Magnetike ose Tomografia e Kompjuterizuar (Skaner).
Trajtimi
Trajtimi fillestar i pacientit me hernie diskale, me dhembje dhe pa deficite neurologjike (pa mungesë force ose vështirësi të sfinkterëve të urinës dhe fekalë) bëhet me barna kundër dhembjes. Barnat që përdoren janë:
- Paracetamoli
- Antiinflamatorët josteroid, si: nimesulide, ketoprofeni.
- Kortizonikët
- Opiatet
- Miorilaksantët.
- Barnat për dhembjet neuropatike (pregabalin, gabapentin)
- Integratorët ushqimorë për rrënjët nervore
Përveç trajtimit farmakologjik me barnat e lartpërmendur mund të bëhen edhe trajtime me fizioterapi (manipulime me duar, tekar terapi, terapi me lazer etj), injeksione afër nervit dhe ozonoterapi.
Trajtimi Kirurgjikal
Përsa i përket ndërhyrjes kirurgjikale, ajo përfshin dy lloje indikacionesh: absolut dhe relativ.
Indikacioni absolut i ndërhyrjes kirurgjikale është kur pacienti ka defiçite neurologjike, si: Sindroma e Kaudes Ekuine, që paraqitet me dëmtim të funksionit të sfinkterëve (vështirësi në urinim dhe në defekim), anestezi të zonës sellare (zona perineale), në raste më të rënda me vështirësi në lëvizjen e gjymtyrëve të poshtme. Në këtë situatë mjeku duhet të kërkojë urgjentisht një Rezonancë Magnetike dhe në rast të një hernie diskale të kryejë urgjentisht ndërhyrjen. Një tjetër indikacion absolut është mungesa e forcës, në këtë rast ndërhyrja mund të programohet në disa ditë.
Indikacionit relativ përfshin të gjithë pacientët me hernie diskale që kanë akoma dhembje pas ciklit të terapisë. Ndërhyrja kirurgjikale merret në konsideratë pas 4-6 javë terapie joefikase kundër dhembjes.
Rastet klinike:
1. Hernie diskale e përthithur nga reaksioni inflamator. Paciente femër 35 vjeçe me hernie lumbo-shiatalgjike të djathtë. Rezonanca magnetike tregon një hernie diskale ekspulse me përmbajte të lartë hidrike (fig 1). Pacientja i nënshtrohet terapisë farmakologjike me përmirësim gradual të dhembjes deri në eliminim të plotë të saj. Pacientja përsërit Rezonancën Magnetike e cila tregoi më pas një përthithje totale të hernies diskale. Vlen për t’u theksuar që Herniet diskale ekspulse me përmbajtje të lartë hidrike kanë mundësi të larta përthithjeje.
2. Hernie diskale me Sindromë të Kaudes Ekuina. Paciente 36 vjeçare që i referohej urgjencës për vështirësi në urinim dhe anestezi të zonës sellare. Pacientja i nënshtrohet Rezonancës Magnetike dhe rezultati është një hernie diskale voluminoze me shtypje të rrënjëve nervore. Pacientja i nënshtrohet ndërhyrjes urgjente kirurgjikale duke sjellë një përmirësim të gjendjes së saj klinike.