Përpara se të arrijmë në përfundimin se nuk ndihem mirë për shkak të vaksinës së gripit si fillim duhet të informohemi në lidhje me simptomat e gripit, të ftohtit të zakonshëm apo të virozave intestinale. Shumë njerëz mund të ngatërrojnë të ftohtit e zakonshëm ose një virozë gastrointestinale me të qënit me grip. Është e rëndësishme si fillim të dallojmë simptomat e gripit stinor, të cilat përfshijnë ethe, temperaturë, grykë të acaruara, hundë të zëna/me rrjedhje, dhimbje trupi, këputje dhe dhimbje koke, me të ftohtit e zakonshëm, i cili mund të paraqitet me simptoma të ngjashme, por me një manifestim shumë më të butë se gripi. Ndërkohë virozat gastrointestinale ose gastroenteritet mund të shkaktohen nga baktere ose viruse të ndryshme dhe simptomat përfshijnë të vjella, të përziera ose diarre (bark).
Në disa raste shumë të rralla, ata që bëjnë vaksinën e gripit edhe sëmuren me grip – çfarë mund të themi për këtë kategori? Kjo gjë ndodh, por nuk ndodh prej vaksinës, por për shkaqe të ndryshme si:
- Së pari, mund të ndodhë që individi të jetë ekspozuar ndaj virusit të gripit, përpara se ta ketë bërë vaksinën. Kini parasysh që duhen deri në dy javë mesatarisht pas vaksinës që të zhvillohet ‘imuniteti’ i plotë ndaj gripit. Për rrjedhojë, nëse sëmureni me grip gjatë kësaj periudhe, ka shumë gjasa që të jeni ekspozuar ndaj virusit të gripit pak para se të vaksinoheshit ose pak para se trupi juaj të konsolidonte imunitetin ndaj gripit.
- Së dyti, në varësi të shtamës (variantit, ‘nëntipit’) virale të gripit ndaj të cilit jeni ekspozuar, ju mund të sëmureni me grip edhe nëse vaksinoheni. Çdo vit, vaksina e gripit prodhohet në mënyrë që të ketë përputhje sa më të mirë me shtamën e virusit gripal që është në qarkullim. Për pasojë, efektiviteti i vaksinës së gripit varet nga ngjashmëria ndërmjet virusit të gripit në qarkullim dhe atij virusi të ‘vrarë’ që ndodhet në vaksinë. Nëse ka një ngjashmëri të lartë ndërmjet këtyre të fundit, atëherë vaksina e gripit do të ketë një efektivitet shumë të lartë. Nëse nuk ka ngjashmëri ndërmjet shtameve atëherë efektiviteti i vaksinës mund të reduktohet. Megjithatë, është shumë e rëndësishme që të kuptojmë, se edhe kur nuk ka ngjashmëri të lartë ndërmjet shtamës në qarkullim dhe shtamës së përdorur për prodhimin e vaksinës gripale, kjo e fundit prapëseprapë mundëson një zbutje të dukshme të ashpërsisë së simptomave në rast gripi, si dhe ndihmon në parandalimin e komplikacioneve të lidhura me gripin.
Si përfundim, ju NUK mund të infektoheni me grip nga vaksina e gripit! HEDA Albania inkurajon të gjithë që të kryejnë vaksinën e gripit stinor, e veçanërisht grupet në rrezik. Kujdesi nuk vret, neglizhenca mundet!
Për më tepër informacion vizitoni: https://www.heda.al/emergjenca-covid-19 dhe përditësimin shkencor këtu: https://www.heda.al/artikuj/menaxhimi-epidemiologjik-dhe-klinik-i-covid-19
Përgatiti: Ekipi Anti-COVID
* Erand Llanaj, MPH, MSc, PhD (c), Denisa Baci, PhD, Aldi Pupuleku PhD, Julia Daragjati PhD, Livia Tepshi PhD,Teuta Muhollari, MPH, MSc, PhD (c), Ina Mexhitaj, PhD, Irma Kuka MSc,