Vitin e kaluar, një seri studimesh mbi njerëz të publikuara në prestigjiozen Science, zbuluan evidenca të reja për lidhjen ndërmjet kancerit dhe efikasitet terapeutik të disa medikamenteve në varësi të baktereve rezidente në trup. Në dy prej këtyre studimeve, kërkuesit mblodhën mostra fekale prej pacientëve me melanomë përpara se ti nënshtroheshin trajtimit me një klasë barnash të quajtura Inhibitorë të Pikave të Kontrollit (IPK) të anti-PD-1 (=proteinave që kontrollojnë vdekjen e programuar të qelizave). Këto barna bllokojnë receptorët e qelizave T imunitare të quajtur PD-1, të cilat qelizat kanceroze mund ti përdorin për të shmangur sulmet e sistemit imunitar – në një gjuhë dhe formë të thjeshtëzuar pasi procesi është pak më i ndërlikuar se kaq.
Të dy studimet identifikuan specie të caktuara bakteriale të cilat ishin të pranishme në një numër sinjifikativisht më të madh popullsie tek pacientët të cilët reaguan pozitivisht ndaj barit dhe pasi këto mikrobe u transferuan tek kavjet pa mikrobiomë (=aksenike) ato përmirësuan efektet e imunoterapisë ndaj tumoreve të këtyre rodentëve.
Pavarësisht ngjashmërive ndërmjet këtyre dy studimeve, karakteristikat e mikrobiomës që lidheshin me trajtimin ndryshonin. Në një studim u observuan sasi më të mëdha të Bifidobacterium longum, Collinsella aerofaciens dhe Enterococcus faecium tek pacientët me një imunoterapi të suksesshme [5], ndërkohë që hulumtimi tjetër gjeti se pacientët me diversitet më të lartë speciesh bakteriale dhe numra të lartë të baktereve të familjes Ruminococcasceae, kishin një tendencë të përgjigjeshin dukshëm më mirë ndaj trajtimit krahasuar me pacientët që kishin një kompozim mikrobial tjetër [6].
Rezultatet ndryshonin nga ato të gjetura prej studimeve të një viti më parë, ku sugjerohej se popullsia e lartë e specieve Faecalibacterium prausnitzii, Bacteroides thetaiotaomicron dhe Holdemania filiformis lidheshin me një reagim ndaj një përzierje të IPK anti-PD-1 nivolumab (për farmacistët që e lexojnë) dhe një lloji tjetër të IPK-je të quajtur ipilimumab tek pacientët me melanomë metastatike. Ndërkohë që pacientët që iu nënshtruan trajtimit me agjentë të anti-PD-1 pembrolizumab kishin një mikrobiomë të pasuruar me specien Dorea formicogenerans.
Një studim i tretë në Science, identifikoi një shtamë tjetër të baktereve intestinale, Akkermansia muciniphila, që lidhej me reagueshmëri pozitive tek pacientët me kancer të mushkërive, veshkave dhe karcinomë uroteliale, të cilët iu nënshtruan imunoterapisë me anti-PD-1 [7].
Për të zbuluar nëse ndryshimet ndërmjet teknikave të ndryshme analitike mund të shpjegonin këtë lëmsh rezultatesh, dy kërkues ri-analizuan të dhënat e të tria studimeve të Science dhe puna e tyre tregoi rezultate të ngjashme me publikimet origjinale dhe punimi i tyre i publikuar këtë vit, përfundon duke thënë se ‘ndryshimet në teknikat analitike nuk janë shkaku i variacionit të gjetjeve’ [8]. Po atëherë çfarë mund ta shpjegoj këtë variacion?
Autorët e kësaj ri-analize sugjerojnë se specie të ndryshme mikrobiale mund të kryejnë funksione të ngjashme, funksione të cilat kontribuojnë në efikasitetin e IPK-ve, një hipotezë kjo që duhet testuar duke observuar gjenet të cilat këto baktere shprehin. Megjithatë ekziston edhe një hipotezë tjetër që mund të shpjegojë këto mospërputhje. Kjo hipotezë bazohet në modele përllogaritëse që janë raportuar në vitin 2018, të cilat kur u aplikuan për të parashikuar kompozimin mikriobiomal të individëve që vuanin nga sëmundje metabolike të një lokaliteti të caktuar në Kinë patën rezultate dukshëm të ndryshme, kur e njëjta teknikë u aplikua për një lokalitet tjetër, pranë atij të parit. Ky fenomen sugjeron se individë të cilët jetojnë në të njëjtin rajon mund të kenë mikrobiomë tëngjashme intestinale, por specie të caktuara mikrobiale dominante mund të influencojnë efekte të caktuara shëndetësore në mënyra të ndryshmedhe kjo mund të shpjegoi faktin se pse kemi studime të bëra në të njëjtin rajon, por me gjetje të ndryshme.
Ndoshta mikrobioma është si një aleancë infeksioze mikroorganizmash të cilat mund të shkëmbehen ndërmjet individëve në të njëjtin rajon. Megjithatë përgjigja e përbashkët që këto hipoteza japin është se përcaktuesi më i rëndësishëm i kompozimit të mikrobiomës duket se është edhe vendi në të cilin njerëzit jetojnë – kjo të shtyn të mendosh seriozisht për të bërë një studim të tillë në Shqipëri për të parë se çfarë kompozimi mikrobiomal na karakterizon ne shqiptarëve …