Përmbledhur dhe përshtatur në shqip nga:
- Erand Llanaj, PhD (c)
Recensente:
- Teuta Muhollari, PhD (c)
Shpërthimi epidemik nga koronavirusi i ri SARS-CoV-2 dhe infeksionit COVID-19 që ai sjell, ka iniciuar një shpërthim hulumtimesh që ofrojnë perspektivë dhe informojnë mbi diferencat ndërmjet përdorimit të testit në kohë reale të reaksionit zinxhir të polimerazës me transkriptim të kundërt (ndryshe i njohur si testi rRT-PCR ose thjesht RT-PCR dhe që përdoret si standart i artë [ose referencë] për diagnozën e COVID-19) dhe diagnostikës së tomografisë së kompjuterizuar të kraharorit (në zhargon CT).
Një studim (lexo të plotë këtu) i publikuar së fundmi në formën e një letre kërkimore (në revistën shkencore të Shoqatës Amerikane të Mjekësisë, e njohur si ‘JAMA’) i titulluar ‘Detektimi i SARS-CoV-2 në specimen të ndryshëm klinik’, analizon sensitivitetin (=aftësia e testit për të identifikuar saktë personat e sëmurë kur ata janë të sëmurë në të vërtetë) dhe specificitetin (=aftësia e testit për të identifikuar saktë personat jo të sëmurë kur ata nuk janë të sëmurë në të vërtetë) e RT-PCR-së për inde të ndryshme të njeriut. Në këtë studim u ekzaminuan gjithsej 1070 specimen (=mostra) të mbledhur nga 205 pacientë të shtruar në spital pasi ishin konfirmuar me COVID-19.
Nga të gjithë specimenët e mbledhur :
- Ata fluid (të lëngshëm) të përftuar nga lavazhi bronkoalveolar demonstruan nivelin më të lartë të pozitivitetit, rreth 93% (numri i mostrave = 14).
- Nivelin e dytë më të lartë të pozitivitetit e kishin specimenët e sputumit (=pështymës) me 72% (numri i mostrave = 75).
- Më tej pasonin tamponët nazal (=mostra të marra nga sekrecionet hundore) me nivel 63% (numri i mostrave = 5)
- Biopsia me fibrobronkoskopi 46% (numri i mostrave = 6/13)
- Tamponët faringeal me nivel 32% (numri i mostrave = 126),
- Feçet me 29% (numri i mostrave = 44) dhe
- Gjaku me 1% (numri i mostrave = 3).
Autorët e këtij studimi theksuan faktin që testimi i specimenëve prej siteve (=vendndodhjeve) të shumta indore mund të përmirësojë sensitivitetin dhe reduktojë rezultatet fals-negative (=individët të cilët janë realisht të sëmurë, por që rezultojnë negativ në test).
Në një studim tjetër (lexo të plotë këtu), të publikuar në revistën shkencore ‘Radiology’ me titull ‘Lidhshmëria e ekzaminimeve të tomografisë së kompjuterizuar të kraharorit (CT) dhe testit RT-PCR për sëmundjen e koronavirusit 2019 në Kinë’, studiuesit observuan një sensitivitet diagnostik më të lartë të CT-ve të kraharorit për COVID-19 krahasuar me RT-PCR-të e mostrave fillestare të mbledhura me tamponë faringeal. Në këtë hulumtim retrospektiv u përfshinë 1014 pacientë të hospitalizuar të dyshuar për COVID-19 në Vuhan , Kinë – pacientë të cilët iu nënshtruan si testimit diagnostikues në seri me RT-PCR, po ashtu edhe CT-së së kraharorit.
Hulumtuesit kërkuan prej radiologëve (studim me verbëri të njëfishtë, ku radiologët nuk ishin në dijeni të rezultateve të RT-PCR-së së pacientëve) të identifikonin personat me COVID-19 nëpërmjet imazherisë. Përveç kësaj, pacientët të cilët rezultuan negativ në testin RT-PCR (75%, numri i mostrave = 308), kishin gjetje pozitive me CT. Përgjatë analizës së eseve të RT-PCR-ve në seri dhe CT-ve, intervali mesatar ndërmjet gjetjeve fillestare negative e deri tek gjetjet pozitive të RT-PCR-së u përcaktua 5.1 ditë, me një devijacion standart 1.5 ditë. Ndërkohë i njëjti interval, por kësaj here ndërmjet rezultatit fillestar pozitiv dhe atij pasndjekës negativ me RT-PCR ishte 6.9 ditë, me devijacion 2.3 ditë.
Duke përdorur rezultatet e RT-PCR-së si standart referencë, sensitiviteti, specificiteti dhe saktësia e CT-së në diagnostikimin e COVID-19 ishin respektivisht në vlerat 97% (n = 580), 25% (n=105) dhe 68% (n=685). Vlera parashikuese pozitive (=probabiliteti që individët të cilët rezultojnë pozitiv në depistim, janë vërtetë të sëmurë) ishte 68% (n=580) dhe vlera parashikuese negative (=probabiliteti që individët të cilët rezultojnë negativ në depistim, janë vërtetë jo të sëmurë) ishte 83% (n=105). Sensitiviteti i testimit fillestar me tamponë faringeal luhatej ndërmjet 66%-80%, në varësi të supozimeve që bëheshin për pacientët me të dhëna diagnostike konfliktuale.
Autorët theksuan faktin që të dhënat ishin mbledhur në Vuhan (Kinë) – epiqendra e shpërthimit epidemik – dhe për rrjedhojë radiologët kanë pasur më shumë gjasa të raportonin diagnozë për COVID-19 në rastet kur shfaqeshin veçoritë tipike në imazhet e CT-së.
Në një studim tjetër (lexo të plotë këtu) të publikuar në prestigjiozen ‘New England Journal of Medicine’, me titull ‘Karakteristikat klinike të sëmundjes të shkaktuar nga koronavirusi 2019 në Kinë’, hulumtuesit analizuan dhe përbashkuan kartelat mjekësore dhe të dhëna të tjera shtesë, për 1099 raste të hospitalizuara, të konfirmuara laboratorikisht me COVID-19. Në këtë studim, rastet e konfirmuara me COVID-19 u përkufizuan si rezultate pozitive nga sekuencimi me rendiment të lartë (për profesionistët ‘high-throughput sequencing’) ose RT-PCR-së në kohë reale të specimenëve të mbledhur me tamponë nazal dhe faringeal.
Në këtë hulumtim, 86% (n=840) e pacientëve rezultuan me gjetje pozitive CT, gjë që sugjeroi praninë e infeksionit. Gjetjet pozitive të CT-së përfshinë pamjen ‘stuhia e borës’ (për profesionistët ‘ground-glass opacity’), hijëzim lokal të fragmentuar, hijëzim bilateral të fragmentuar ose anomali intersticiale. Përveç këtyre gjetjeve, asnjë anomali tjetër radiografike apo me CT nuk u gjet në 17.9% (n=157) të pacientëve me manifestim jo të ashpër të sëmundjes dhe në 2.9% (n=5) të pacientëve me manifestim të ashpërsuar të sëmundjes.
Vlen të përmendet se Udhëzimet e CDC-së për Specimenët Klinik të COVID-19 rekomandojnë që mjekët të mbledhin e testojnë vetëm një tampon nazofaringeal (=të rrugëve të sipërme respiratore) për pacientët të cilët përmbushin kriteret e përcaktuar për tu testuar (lexo të plotë këtu).
Në përmbledhje mendoj se është shumë e rëndësishme të kuptohet sensitiviteti i RT-PCR-së, siç dhe e përshkrova më sipër, nuk është definitiv. Një rezultat i vetëm negativ i RT-PCR-së nuk duhet domosdoshmërisht të përjashtojë mundësinë për COVID-19, veçanërisht nëse dyshimi klinik është i fortë. Mesazhi kryesor i gjetjeve të këtyre studimeve është se nevojitet një konsideratë që kombinon manifestimet simptomatologjike, historinë e ekspozimit, veçoritë tipike të CT-së, si dhe ndryshimet dinamike të njohura për identifikimin e COVID-19 me një sensitivitet të lartë.
Referencat:
- Wang W, Xu Y, Gao R, et al. Detection of SARS-CoV-2 in Different Types of Clinical Specimens. JAMA. Published online March 11, 2020. doi:10.1001/jama.2020.3786
- Tao Ai, Zhenlu Yang, Hongyan Hou, et al. Correlation of Chest CT and RT-PCR Testing in Coronavirus Disease 2019 (COVID-19) in China: A Report of 1014 Cases. Published online February 26, 2020. doi.org/10.1148/radiol.2020200642
- Wei-jie Guan, Ph.D., Zheng-yi Ni, et al. Clinical Characteristics of Coronavirus Disease 2019 in China. Published online: February 28, 2020. doi: 10.1056/NEJMoa2002032
- Centers for Disease Control and Prevention. Interim Guidelines for Collecting, Handling, and Testing Clinical Specimens from Persons for Coronavirus Disease 2019 (COVID-19). Published online March 25, 2020.