Nisur nga eksperienca e këtyre muajve jemi mësuar të përqasim infeksionin nga SARS-CoV-2 me dy manifestime klinike kryesore: atë të sistemit të frymëmarrjes dhe atë të sistemit vaskular, por eksperienca ka treguar se ky virus mund të sulmojë aparate dhe organe të ndryshme, si:
- Aparatin e tretjes1
- Sistemin urinar
- Aparatin e riprodhimit mashkullor2
Të dhënat e deritanishme tregojnë se meshkujt janë të prekur më shpesh se femrat nga COVID-19 dhe përveç kësaj shfaqin simptoma më të rënda dhe kanë një prognozë më të keqe.3 Shkaku i kësaj diference është ende i panjohur, por mendohet të jetë i lidhur me ndryshimet e hormoneve seksuale, si:
- te meshkujt testosteroni që prodhohet kryesisht nga testikujt,
- te femrat estrogjenet të prodhuara nga vezoret.
Rëndësi të veçantë kanë mënyrat e ndryshme sesi këto hormone, në të dy gjinitë, ndërveprojnë me aparatet e tjera te organizmit.
Virusi SARS-COV-2 lidhet me qelizat nëpërmjet receptorit ACE-2 i vendosur në sipërfaqen e jashtme të tyre.4,5 Kjo lidhje i dërgon sinjale qelizës dhe e “detyron” këtë të fundit të “gëlltisë” virusin në brendësi. Teorikisht, çdo qelizë që ka receptorin, mund të infektohet.
Baza botërore e të dhënave “THE HUMAN PROTEIN ATLAS PORTAL” tregon se receptori ACE-2 është i vendosur në disa qeliza të ndryshme të organizmit, si: në aparatin gastrointestinal, në veshka, në fshikëzën e urinës dhe në testikuj, të cilët kanë përqindjen më të lartë të kësaj proteine, kurse vezoret kanë një përqindje të ulët.
Vetë testikuli ka disa qeliza të ndryshme që kanë receptorin ACE-2. Kjo proteinë gjendet tek qelizat e Leydig që janë përgjegjëset kryesore të prodhimit të testosteronit; tek spermatogonet që janë paraardhësit e spermatozoideve; tek qelizat e Sertolit që veshin muret e tubulave seminifere (kanalet ku prodhohen spermatozoidet).6
Viruse të ndryshme si Zika, Ebola, HIV, Marburg janë gjetur në testikuj dhe në spermë.7 SARS-CoV-2 përgjegjës për sëmundjen COVID-19 ka një ngjashmëri që arrin deri në 80% me virusin SARS-COV, përgjegjës për sindromën e SARS-it në vitin 2002/2003.8 Në atë kohë u kryen post-mortem studime mikroskopike të testikujve që kishin evidentuar dëmtime të indeve nga inflamacioni.9
Kjo do të thotë që në kushte viremie (kur virusi kalon në gjak), SARS-CoV-2 mund të tejkalojë barrierën hemato-testikulare dhe, ashtu siç ndodh me shumë viruse të tjera, të infektojë aparatin e riprodhimit mashkullor dhe ka mundësi të sekretohet edhe në spermë.
Infeksioni mund të japë shenja klinike dhe të shfaqet në formë orki-epididimiti me dhembje, fryerje, skuqje etj; mund të dëmtojë prodhimin hormonal dhe spermatogjenezën.
Këto dëme mund të jenë të përkohshme, por në qoftë se inflamacioni është agresiv dhe i zgjatur në kohë, një përqindje e madhe e qelizave mund të vdesin duke shkaktuar dëme të pariparueshme të indeve e duke çuar deri në fibrozë dhe reduktim/humbje të funksionit të testikulit me kalimin e kohës. Pasojat mund të jenë:
- infertiliteti,
- humbja e dëshirës seksuale,
- disfunksioni erektiv, etj.
Në stadin aktual, të dhënat mbi infeksionin testikular nga SARS-CoV-2 dhe dëmet që pasojnë nga ky infeksion janë të pakta dhe vazhdojnë të jenë objekt i studimeve.
Edhe pse gati një e pesta e meshkujve ankohen për dhembje testikulare, të pakta janë rastet e sinjalizuara të orki-epididimiteve klinikisht të manifestuara gjatë COVID-1910.
Me shumë vështirësi, virusi është izoluar me mikroskop në testikujt e meshkujve11, kjo evidencë ka hedhur hipotezën që virusi mund të depozitohet në indet e këtyre organeve, të cilat kanë një barrierë natyrale nga sistemi imunitar, dhe të shërbejë si rezervuar për sëmundjen.12
Akoma nuk ka konfirmime nëse ky virus mund të kalojë në spermë dhe të transmetohet nëpërmjet marrëdhenieve seksuale. Deri tani janë të pakta studimet që verifikojnë një ndryshim të niveleve homonale gjatë sëmundjes13 dhe dëmtime të rënda të indeve testikulare në kufomat e vdekura nga COVID 19.
Studime të mëtejshme janë të nevojshme, por një arsyetim logjik na detyron të kemi kujdes të veçantë për individët në moshë pjellore, që kanë kaluar infesionin nga COVID-19. Shëndeti seksual i këtyre personave duhet të testohet periodikisht nga mjeku urolog/androlog.
Referencat bibliografike:
1)Hao Zhang, Zijian Kang, Haiyi Gong, et al. The digestive system is a potential route of 2019-nCov infection: a bioinformatics analysis based on single-cell transcriptomes. bioRxiv, 2020.doi: https://doi.org/10.1101/2020.01. 30. 927806
2)Fan C, Li K, Ding Y,et al. ACE2 expression in kidney and testis may cause kidney and testis damage after 2019-nCoV infection. medRxiv preprint.
3)Huang, C. et al. Clinical features of patients infected with 2019 novel coronavirus in Wuhan, China. Lancet 395, 497-506, doi:10.1016/S0140-6736(20)30183-5 (2020).
4)Markus Hoffmann, Hannah Kleine-Weber, Nadine Krüger, et al. The novel coronavirus 2019 (2019-nCoV) uses the SARS-coronavirus receptor ACE2 and the cellular protease TMPRSS2 for entry into target cells. bioRxiv, 2020, doi: https://doi.org/10.1101/2020.01.31.929042
5)Yu Zhao, Zixian Zhao, Yujia Wang, et al. (2020) Single-cell RNA expression profiling of ACE2, the putative receptor of Wuhan 2019-nCov. bioRxiv, 2020, doi: https://doi.org/10.1101/2020.01.26.919985
6)Wang, Z., Xu, X. scRNA-seq Profiling of Human Testes Reveals the Presence of ACE2 Receptor, a Target for SARS-CoV-2 Infection, in Spermatogonia, Leydig and Sertoli Cells. Preprints 2020, 2020020299 (doi: 10.20944/preprints202002.0299.v1)
7)Weihua Liu, Ruiqin Han, Han Wu, et al. Viral threat to male fertility. Andrologia, 2018, 50(11): e13140. doi: 10.1111/and.13140
8)Gralinski, L.E. and V.D. Menachery, Return of the Coronavirus: 2019-nCoV. Viruses, 2020. 12(2)
9)Xu J, Qi L, Chi X, et al. Orchitis: a complication of severe acute respiratory syndrome (SARS). Biol Reprod, 2006, 74(2): p. 410-416.
10)Gagliardi L, Bertacca C, Centenari C, et al. ORCHIEPIDIDYMITIS IN A BOY WTH COVID-19 [published online ahead of print, 2020 May 26]. Pediatr Infect Dis J. 2020;10.1097/INF.0000000000002769. doi:10.1097/INF.0000000000002769
11)Yang, M. et al. (2020). Pathological Findings in the Testes of COVID-19 Patients: Clinical Implications. Urology Focus. https://doi.org/10.1016/j.euf.2020.05.009
12)Shastri A, Wheat J, Agrawal S, et al. Delayed clearance of SARS-CoV2 in male compared to female patients: high ACE2 expression in testes suggests possible existence of gender-specific viral reservoirs. medRxiv preprint.
13)Ma L, Xie W, Li D, et al. Effect of SARS-CoV-2 infection upon male gonadal function: a single center based study. medRxiv preprint.