Me ftohjen e motit dhe afrimin e stinës së dimrit gripi sezonal përbën një nga çështjet më të rëndësishme të shëndetit publik. Gripi (influenza) është një infeksion viral i rrugëve të frymëmarrjes që mund të prekë çdokënd. Gripi mund të transmetohet lehtë kryesisht nëpërmjet spërklave kur njerëzit e infektuar kolliten ose teshtiten, por edhe nëpërmjet kontaktit me sipërfaqet e kontaminuara. Virusi mund të shkaktojë sëmundje të lehtë por edhe gjendje të rënda shendetësore, nevojë për hospitalizim dhe humbje jete. Mënyra më e mirë për të parandaluar gripin është vaksinimi!
Virusi i gripit ndryshon formë (pëson mutacione) vazhdimisht. Çdo vit, Organizata Botërore e Shëndetësisë parashikon llojet kryesore të virusit që mund të qarkullojnë më shumë dhe shkaktojnë sëmundje në secilën hemisferë, sipas së cilave vaksina e gripit riformulohet. Sa më e lartë të jetë përputhja e vaksinës me viruset në qarkullim, aq më i lartë është përfitimi nga vaksinimi. Sidoqoftë, vaksinimi mund të sigurojë mbrojtje dhe mundëson që sëmundja të kalojë më lehtë, edhe në rast infektimi.
Vaksinimi çdo vit është i domosdoshëm sepse vaksinat dhe sëmundjet e mëparshme të gripit nuk ofrojnë mbrojtje. Imuniteti i trupit kundër gripit dobësohet me kalimin e kohës. Vaksina e gripit pritet të jetë efektive të paktën gjatë sezonit të gripit. Aktiviteti i gripit fillon të rritet në muajt tetor dhe nëntor, arrin kulmin midis dhjetorit dhe shkurtit dhe mund të zgjasë deri në maj. Pas vaksinimit, duhen mesatarisht 2 javë që trupi të krijojë imunitet (antitrupa specifikë) kundër infeksionit. Gjatë kësaj periudhe, vaksina e gripit nuk siguron mbrojtje ndaj virusit. Prandaj rekomandohet që vaksinimi të kryhet pak më parë se virusi i gripit të përhapet. Muajt ideal për t’u vaksinuar janë tetor – nëntor, por vaksinimi mund të kryhet edhe më vonë.
Përveç disa përjashtimeve, rekomandohet vaksinimi i çdo individi mbi 6 muajsh me një vaksinë gripi të përshtatshme për moshën dhe gjendjen shëndetësore. Është veçanërisht i rëndësishëm vaksinimi i grupeve të rrezikuara: të moshuarve, fëmijëve të vegjël, grave shtatzëna, personave me sëmundje kronike si dhe personelit shëndetësor.
Efikasiteti dhe siguria e vaksinës së gripit është vërtetuar nëpërmjet studimeve të shumta shkencore:
- Vaksina nuk shkakton grip.
- Vaksinimi stimulon sistemin imunitar duke bërë të mundur mbrojten nga infeksioni i gripit
- Parandalon mijëra hospitalizime dhe humbje jete çdo vit.
Si çdo ilaç, vaksina e gripit mund të shkaktojë efekte anësore përgjithësisht të lehta si skuqje ose ënjtje në vendin e injeksionit, dhimbje koke, temperaturë të lehtë që zhduken vetvetiu brenda disa ditësh.
Referenca:
World Health Organization: WHO, https://www.who.int/
TC Sağlık Bakanlığı, Mevsimsel grip, https://www.grip.gov.tr/tr/