Kur duhet të përdoret rivaroxaban – Xarelto® tek pacientët me Covid-19?

xarelto

Studimet e fundit tregojnë se COVID-19 mund të predispozojë pacientët për trombozë arteriale dhe venoze, sidomos ata që janë të sëmurë rëndë. Një mundësi tërheqëse për të parandaluar këto raste në periudhën para shtrimit në spital, veçanërisht për pacientët me sëmundje kardiovaskulare ekzistuese ose që paraqesin faktorë të lartë rreziku për VTE (tromboembolizëm venoz) janë antikoagulantët oral. (direct oral anticoagulants; DOACs). Ndër to veçojmë frenuesit e faktorit Xa, siç janë rivaroxaban, apixaban, edoxaban, betrixaban, të cilët mund të ushtrojnë edhe efekte anti-inflamatore në COVID-19.

Rivaroxaban, i cili njihet me emrin tregtar Xarelto®, është një bar antikoagulant oral, i cili përdoret për trajtimin dhe parandalimin e mpiksjes së gjakut. Ai është përdorur posaçërisht për të trajtuar trombozën e venave të thella, trombo-embolinë pulmonare dhe për të parandaluar mpiksjen e gjakut në fibrilacionin atrial. Së fundmi ky medikament ishte pjesë e një analizë dytësore të studimit klinik MARINER, ku ju administrua 10 mg për 45-ditë pacientëve pas daljes nga spitali dhe u vu re një ulje e rasteve fatale me 28%  tek ata pacientët të cilët kishin faktorë rreziku shtesë për tromboembolizëm venoz. Përveç kësaj, tromboembolizmi venoz simptomatik, infarkti miokardiak, goditjet jo hemorragjike apo vdekjet kardiovaskulare u raportuan në 1.28% të pacientëve të trajtuar me rivaroxaban kundrejt 1.77% në placebo.

Efekti anësor kryesor i këtij medikamenti është hemorragjia. Studiuesit kanë raportuar se trajtimi me rivaroxaban nuk ka shkaktuar hemorragji në pjesën më të madhe të pacientëve të trajtuar, por ata që duhet të trajtohen me rivaroxaban duhen përzgjedhur me kujdes, duke shqyrtuar rreziqet dhe përfitimet nga ky trajtim. Rivaroxaban është aprovuar nga FDA (Federata e Ushqimit dhe Barnave) për profilaksinë pas daljes nga spitali të pacientëve me VTE për t’u përdorur deri në 39 ditë në raste akute, bazuar në rezultatet e studimeve MARINER dhe MAGELLAN.

Sipas studimit të Spyropoulos, të gjithë pacientët me COVID-19 të cilët plotësojnë kriteret e rrezikut të lartë, ku shumica dërrmuese janë mbi 60 vjec dhe kanë D-dimers të lartë, do të duhet të marrin një profilaksi të zgjatur.  Ndërkohë nuk mund të thuhet akoma diçka e sigurtë për sa i përket rolit të tromboprofilaksisë në pacientët në karantinë me COVID-19 që mund të kenë simptoma të lehta, por me sëmundje të tjera bashkëshoqëruese, ose për pacientët pa COVID-19, të cilët per shkak te karantinës janë më pak aktivë. Këtyre pacientëve u këshillohet të qëndrojnë aktivë gjatë qëndrimit në shtëpi. Në mungesë të të dhënave me cilësi të lartë, profilaksia farmakologjike duhet të kufizohet për ata pacientë me rrezik më të lartë, përfshirë ata me lëvizshmëri të kufizuar dhe histori paraprake të VTE.

Cilat janë ndërveprimet e rivaroxaban me medikamentet e tjera që po përdoren për COVID-19?

Në studimin përmbledhës rreth ndërveprimeve apo reaksioneve mes medikamenteve që po përdoren kundër COVID-19 dhe agjentëve antitrombotikë është vënë re se rivaroxaban shfaq rrezik të lartë dhe serioz ndërveprimi me lopinavir/ritonavir, prandaj nuk rekomandohet që këto medikamente të bashkë-administrohen. Ndërkohë rivaroxaban tregoi rrezik të ulët ose të moderuar në bashkëveprim me Tocilizumab, Sarilumab dhe rrezik të ulët kur përdoret së bashku me remdesivirhidroksilklorokinën, ribavirinën, metilprednizolonin dhe anakinra. Në rast përdorimi të rivaroxaban me azitromicinë, duhet të tregohet kujdes i veçantë në rregullimin e dozës së rivaroxaban.

Ende nuk ka asnjë provë që tregon rrezikun e përdorimit të rivaroxaban në kombinim me agjentët antitrombotikë siç është aspirina, në pacientët me COVID-19. Ka shumë të panjohura për sa i përket përdorimit dhe dobisë së tyre.

  • Së pari, nuk është e qartë se cila fazë e sëmundjes mund t’i përgjigjet më së miri terapive që po studiohen.
  • Së dyti, ilaçi optimal dhe doza optimale për të shtuar efikasitetin dhe për të ulur rrezikun e gjakderdhjes janë të panjohura.

Sidoqoftë, nuk mund të përjashtohet një sinergji e rëndësishme antitrombotike midis rivaroxabanit me dozë profilaktike dhe terapisë antitrombotike. Aktualisht ekziston një provë klinike e regjistruar (C-19-ACS) që po teston dhe vlerëson përdorimin e rivaroxaban me dozë të ulët së bashku me terapinë e dyfishtë antitrombotike( si aspirine dhe clopidogrel), statina dhe një frenues të pompës-protonike (omeprazol) tek pacientët me COVID-19 (NCT04333407).

Studimet kërkimore me cilësi të lartë për medikamentet, dozën dhe kohëzgjatjen optimale të terapive për të parandaluar dhe trajtuar komplikacionet trombotike të COVID-19 ofrojnë mundësinë për të përmirësuar trajtimin e pacientëve të infektuar. Në këtë pandemi, kërkimet shkencore dhe klinike janë tashmë në studim e sipër për t’iu përgjigjur pyetjeve në lidhje me dozën më të mirë dhe përdorimin antitrombotik në COVID-19, por nuk duhet harruar që mund të kalojnë muaj për të marrë përgjigje të sigurta.

Referencat kryesore:

Bikdeli B, et al. “COVID-19 and Thrombotic or Thromboembolic Disease: Implications for Prevention, Antithrombotic Therapy, and Follow-Up” J Am Coll Cardiol. 2020; 75(23):2950-2973

Bikdeli B, Madhavan MV, Gupta A, et al. Pharmacological Agents Targeting Thromboinflammation in COVID-19: Review and Implications for Future Research. Thromb Haemost. 2020;120(7):1004-1024. doi:10.1055/s-0040-1713152

Spyropoulos AC, Ageno Ë, Albers GË, et al. Post-Discharge Prophylaxis With Rivaroxaban Reduces Fatal and Major Thromboembolic Events in Medically Ill Patients. J Am Coll Cardiol. 2020;75(25):3140-3147

https://clinicaltrials.gov/

https://www.medpagetoday.com/