Shumica dërrmuese e ekspertëve dakordësohen se e gjitha ka filluar me lakuriqët e natës dhe kjo nuk është hera e parë që ndodh diçka e tillë. Bazuar në hulumtimet më të detajuara dhe në gjetjet gjenomike duket se çdo gjë nisi vërtet me lakuriqët e natës, por prapëseprapë këtu mungon një detaj i rëndësishëm.
Për ta kuptuar këtë detaj nevojitet një shqyrtim me një perspektivë ndryshe.
Kjo pandemi mund të ketë filluar me lakuriqët dhe ndoshta për sa kohë që ka lakuriqë nate, do të ketë edhe viruse që ‘kapërcejnë’ tek njerëzit dhe i infektojnë. Megjithatë disa detaje të rëndësishme të kësaj historie duket sikur ‘fshihen’ me ose pa qëllim në diskutimet e përditshme mbi këtë pandemi.
Lakuriqët janë të vetmit gjitarë që janë në gjendje të fluturojnë. Të fluturarit bën që këto kafshë të kenë rrahje të zemrës krahasimisht të jashtëzakonshme (mbi 1000 rrahje/minutë, krahasuar me njeriun 60-100 rrahje/minutë). Kjo krijon një nevojshmëri për këto specie për të ‘djegur’ shumë energji, në raport me madhësinë trupore. Një ritëm i tillë energjiprodhues, kaq intensiv mund të shkaktojë dëmtime të materialit gjenetik (ADN-së), dëmtime të cilat do të vrisnin çdo gjitar tjetër!
Mirëpo lakuriqët, krahas aftësisë së tyre për të fluturuar, kanë zhvilluar një prej mekanizmave më të sofistikuar riparues të ADN-së në botën e gjitarëve. Gjenomi i tyre përmban një kopje të dytë të P53, një nga proteinat më të famshme në biologji, që shërben si ‘gardiani’ i gjenomit dhe ‘patrullon’ rregullisht ADN-në për të gjetur mutacione të rëndësishme dhe për të nisur procesin e ndreqjes së këtyre ‘gabimeve’.
Lakuriqët gjithashtu janë në gjendje të shprehin relativisht më shumë interferone – proteina sinjalizuese – të cilat prodhohen prej qelizave për të luftuar viruset. Në këtë mënyrë lakuriqët përballojnë më së miri ‘kaosin’ gjenetik që mund të krijohet prej infektimit me viruse, si, për shembull, nga koronaviruset. Këto koronaviruse qëndrojnë në sistemin e lakuriqëve pa ndonjë efekt të rëndësishëm mbi shëndetin e tyre, por në momentin që këto viruse ‘kapërcejnë’ te njerëzit, ndoshta nëpërmjet specieve ndërmjetëse, atëherë çdo gjë ndryshon. Këto viruse kanë evoluar që të përballen me sistemin imunitar superior të lakuriqëve dhe në sistemin tonë imunitar situata për koronavirusin ndryshon: virusi fillon të krijojë sfida serioze fiziologike!
Siç edhe e përmendëm më sipër, ende mungon një ‘copëz’, një detaj shumë i rëndësishëm: Nuk është aspak e zakonshme që lakuriqët të infektojnë njerëzit me viruset e tyre!
Nëse kjo do të ishte e zakonshme, do të kishim shpërthime epidemike koronavirusesh çdo muaj apo vit, pasi lakuriqët ndodhen kudo nëpër vendbanimet tona. Gjenomet e lakuriqëve janë aq të sofistikuara e të afta në monitorimin/kontrollin e koronaviruseve dhe për këtë arsye këta gjitarë nuk përbëjnë (pothuajse) kurrë problem për njerëzit – përveç rasteve kur imuniteti i tyre vendoset nën ‘stres’.
Nëse këta gjitarë përjetojnë ‘strese imunologjike’ të fuqishme, ngarkesa virale (=numri i viruseve që shumohet brenda tyre) rritet eksponencialisht, duke u mbajtur shumë pak ose duke mos u mbajtur aspak në kontroll. Kjo rritje krijon variante virusesh me një potencial real për të ‘kapërcyer’ lehtësisht te njerëzit, në kushtet e stresit imunologjik.
Po cilët janë faktorët që shkaktojnë këto ‘strese imunologjike’ për specien e lakuriqëve?
Përgjigjja është e thjeshtë dhe e natyrshme: shpyllëzimi, humbja e habitateve, shkatërrimi i ekosistemeve, urbanizimi, ndryshimi i klimës, vrasja për konsum i lakuriqëve, etj.
Siç edhe e kuptoni, kjo pandemi nuk paska filluar me lakuriqët, por me atë specie që po e shpyllëzon planetin, që po ia ndryshon terrenin dhe klimën, që po dëmton ekosisteme dhe zhduk habitate…
Ajo specie jemi ne, njerëzit, dhe pandemia e vërtetë që duhet të vendosim nën kontroll urgjentisht është ajo e shkatërrimit të ekuilibrit me natyrën, është ndryshimi i klimës. Ky është ekuilibri më i rëndësishëm që ne, njerëzit duhet dhe mundemi të mbrojmë, pasi e ardhmja është e marrë borxh nga brezat pasues askush nuk do të na mbrojë nga vetvetja…