Manifestimet neurologjike tek pacientët me SARS-CoV-2

Evolucioni SARS-Cov-2

Përmbledhur dhe përshtatur në shqip nga:

  • Ina Mexhitaj, PhD (c)

Recensente:

  • Teuta Muhollari, PhD (c)

Kur themi se SARS-CoV-2 ka aftësi të ‘pushtojë’ dhe si pasojë të dëmtojë sistemin nervor, patjetër nuk duhet të injorojmë/neglizhojmë faktin se ky virus shkakton gjithashtu dëmtime tek organet e tjera të trupit. Shumë studime kanë raportuar dëmtim të zemrës, mëlçisë dhe veshkave tek të infektuarit me COVID-19 1-5. Ndonëse një përqindje e konsiderueshme e të infektuarve (36.5%) me SARS-CoV-2 rezultojnë në manifestime neurologjike klinike, është e rëndësishme të theksohet se këto simptoma neurologjike janë shumë më të ulëta në krahasim me simptomat tipike të frymëmarrjes si: kollitja (82%) apo shkurtimet në frymëmarrjes (31%) 6-7.

Megjithatë, dy pika kryesore duhen përmbledhur dhe sqaruar përsa i përket rolit të këtij virusi në sistemin nervor:

  1. infeksioni i trurit me SARS-CoV-2 përmes gjakut vjen si pasojë e dëmtimit inflamator të qelizave alveolare në mushkëri (të cilat në mungesë të oksigjenit dhe së bashku me një stuhi citokinash e bëjnë më të lehtë hyrjen e virusit në sistemin nervor,duke e bërë barrierën gjak- tru më të depërtueshme)
  2. infeksioni i trurit përmes nervit të nuhatjes apo atij optik i japin SARS-CoV-2 një potencial ‘neuro-pushtues’ dhe për pasojë prekin qendrat e trurit të cilat kontrollojnë frymëmarrjen dhe në këtë rast shkaktojnë pamundësi për të marrë frymë tek pacientët me COVD-19 4-8.

Manifestimet klinike të infeksionit COVID-19 paraqiten në disa nivele/grada. Disa pacientë kanë simptoma të lehta si për shembull:

  • dhembje koke,
  • dispne (shkurtim i frymëmarrjes),
  • mialgji (dhimbje muskujsh) dhe
  • anosmi (humbja e nuhatjes),

Ndërsa disa të tjerë pas një jave prej momentit të infektimit zhvillojnë Sindromën e Distresit Respirator Akut (SDRA), gjë që mund të çojë deri në vdekje si pasojë e insufiçensës të organeve kryesore. Ndonëse nuk dihet ende qartë se çfarë roli ka dhe do të ketë ky virus në sëmundjet neurologjike akute apo kronike, ajo që mund të themi me siguri është se ka një ‘stuhi’ neurologësh e kërkuesish shkencorë në mbarë botën që po mundohen t’ju japin përgjigje këtyre fenomeneve.

Simptoma të lehta: Një studim retrospektiv në Kinë, i cili përfshiu 214 pacientë të infektuar me SARS-CoV-2 raportoi se dëmtimet neurologjike shfaqen në më shumë se 1/3-ta e pacientëve (~37%) 9. Në të njëjtin studim u vu re se dhembja e kokës (17%) dhe marramendja (13%) ishin simptomat më të zakonshme. Rreth 9% e individëve patën aftësi të dobësuara të nuhatjes (hiposmi) dhe të shijimit (hipogeusi). Megjithatë, një studim tjetër (i kryer në Europë) që përfshiu 417 individë sugjeroi se këto simptoma janë më të shpeshta, respektivisht, 90% dhe 86% 4.

Simptoma të rënda: Incidenca e manifestimeve të rënda neurologjike (si: aksidentet cerebrovaskulare (3%) dhe episodet epileptike (0.5%)), kanë qenë më të ulëta, por këta pacientë janë konsideruar të jenë pjesë e këtij grupimi për shkak të komplikime të tjera neurologjike 7, 9. Gati 6% e rasteve të rënda kanë pasur probleme në furnizimin e trurit me gjak si (goditje cerebrale dhe hemoragji), humbje të ndërgjegjes si dhe dhimbje të forta muskujsh. Raporte individuale treguan se disa pacientë patën komplikime psikiatrike dhe encefalopati (edhe pse ishin rastet më të rralla). Një përqindje e vogël e këtyre pacientëve humbën jetën 7, 10-12.

Një tjetër simptomë e rëndë ka qenë edhe polineuropatia akute autoimune (PAA) e cila manifestohet si gjendje e rënduar e bllokimit të muskujve, ku shkaku mendohet të jenë mungesa apo disbalanca e vitaminave dhe gjithashtu çrregullimet e elektroliteve (e vënë re eshtë në shumë sëmundje neuromuskulare)13-14. Një komplikim tjetër ka qenë edhe dukuria e Sindromës Guillain-Barre që karakterizohet nga një funksion i ulët i nervave periferikë (vihet re si një paralizë që nis nga këmbët e shkon në pjesën e sipërme të trupit) 1, 13, 16. Zakonisht tek disa pacientë kjo simptomë është e përkohshme por në disa të tjerë mund edhe të jetë fatale. Kjo simptomë është raportuar prej studimeve të kryera në disa shtete. Risi përbën fakti se në rastet me COVID-19 kjo dukuri po haset rreth 1000 herë më shpesh seç gjendej në popullsinë e para pandemisë 15. Këto raste priten që të jenë më të shpeshta në muajt në vijim.

Komorbiditetet: Hipertensioni dhe diabeti janë komorbiditetet (sëmundjet bashkëshoqëruese) më të shpeshta tek personat që kanë manifestime të rënda të infeksionit me SARS-CoV-2 13. Pacientët që janë të imuno-kompromentuar janë në rrezik më të lartë pasi shumë prej tyre kanë komorbiditete neurologjike 15.

Referencat:

  1. Avindra Nath. Neurologic complications of coronavirus infections. Neurology May 2020, 94 (19) 809-810; DOI: 10.1212/WNL.0000000000009455
  2. Zhang C, Shi L, Wang FS. Liver injury in COVID-19: management and challenges. Lancet Gastroenterol Hepatol 2020 Mar 4doi: 10.1016/S2468-1253(20)30057-1
  3. Jiang F, Deng L, Zhang L, Cai Y, Cheung CW, Xia Z. Review of the clinical characteristics of coronavirus disease 2019 (COVID-19). J Gen Intern Med 2020 Mar 4. [Epub ahead of print] doi: 10.1007/s11606-020-05762-w
  4. Li Z, Liu T, Yang N, et al. Neurological manifestations of patients with COVID-19: potential routes of SARS-CoV-2 neuroinvasion from the periphery to the brain [published online ahead of print, 2020 May 4]. Front Med. 2020;1-9. doi:10.1007/s11684-020-0786-5
  5. Ahmad I, Rathore FA. Neurological manifestations and complications of COVID-19: A literature review. J Clin Neurosci. 2020;77:8-12. doi:10.1016/j.jocn.2020.05.017
  6. Chen N, Zhou M, Dong X, Qu J, Gong F, Han Y. Epidemiological and clinical characteristics of 99 cases of 2019 novel coronavirus pneumonia in Wuhan, China: a descriptive study. Lancet. 2020;395:507–13.
  7. Whittaker A, Anson M, Harky A. Neurological Manifestations of COVID-19: A systematic review and current update. Acta Neurol Scand. 2020;142(1):14-22. doi:10.1111/ane.13266
  8. Li YC, Bai WZ, Hashikawa T. The neuroinvasive potential of SARS-CoV2 may play a role in the respiratory failure of COVID- 19patients. J Med Virol 2020 Feb 27. [Epub ahead of print] doi:10.1002/jmv.25728
  9. Mao L,Wang MD, Chen SH, He QW, Chang J, Hong CD, Zhou YF, Wang D, Li YN, Jin HJ, Hu B. Neurological manifestations of hospitalized patients with COVID-19 in Wuhan, China: a retrospective case series study. medRxiv 2020; doi: 10.1101/ 2020.02.22.20026500
  10. Yin R, Feng W, Wang T, Chen G, Wu T, D C. Concomitant neurological symptoms observed in a patient diagnosed with coronavirus disease 2019. J Med Virol. 2020;
  11. Filatov A, Sharma P, Hindi F, P E. Neurological Complications of Coronavirus Disease (COVID-19): Encephalopathy. Cureus. 2020;
  12. Li Y, Wang M, Zhou Y, Chang J, Xian Y, Mao L. Acute Cerebrovascular Disease Following COVID-19: A Single Center, Retrospective, Observational Study. SSRN Electron J. 2020
  13. Berger JR. COVID-19 and the nervous system. J Neurovirol. 2020;26(2):143-148. doi:10.1007/s13365-020-00840-5
  14. Lahiri D, Ardila A. COVID-19 Pandemic: A Neurological Perspective. Cureus. 2020;12(4):e7889. Published 2020 Apr 29. doi:10.7759/cureus.7889
  15. Montalvan V, Lee J, Bueso T, De Toledo J, Rivas K. Neurological manifestations of COVID-19 and other coronavirus infections: A systematic review. Clin Neurol Neurosurg. 2020;194:105921. doi:10.1016/j.clineuro.2020.105921
  16. Zhao, H, D Shen, H Zhou, J Liu, S Chen. “Guillain-Barre syndrome associated with SARS-CoV-2 infection: causality or coincidence?” The Lancet Neurology.

Për informacione të tjera konsultoni edhe:

  1. Patologjia dhe manifestimet neurologjike të COVID-19    
  2. Si infektohet sistemi nervor nga SARS-CoV-2?
  3. Mekanizmat e infektimit të sistemit nervor nga SARS-CoV-2