MEMORANDUMI SHQIPTAR PËR RUAJTJEN E SHËNDETIT

memorandumi i shendetit

Ekipi shkencor i HEDA Albania,

Mirënjeh faktin se pandemia aktuale e COVID-19 përbën një nga sfidat më serioze shëndetësore në Shqipëri, Kosovë, trevat shqiptare e më gjerë, me një ndikim të drejtpërdrejtë mbi shëndetin (mirëqenien fizike, mendore e sociale) dhe humbjen e jetës. Në të njëjtën kohë, shqetësohemi për ndikimin negativ që kjo situatë është duke prodhuar mbi nevojat bazike të familjeve më të prekura, duke krijuar sfida reale për të drejtat e njeriut, ushqyerjen, arsimin, ekonominë, e për më tepër zhvillimin e qëndrueshëm të shoqërisë.

Shprehim solidaritet me të gjithë kombin dhe përcjellim ngushëllimet më të sinqerta për familjet e atyre që kanë humbur jetën nga COVID-19 dhe simpatinë për të gjithë ata, jeta e të cilave është prekur në forma të ndryshme prej kësaj pandemie.

Si një palë e pavarur, transparente e shkencore, me qëllim kryesor përmirësimin e shëndetit të komunitetit shqipfolës, shprehim mirënjohjen më të thellë për të gjithë profesionistët e shëndetit që janë duke u përballur me këtë sfidë, e veçanërisht ekipet jetë-shpëtuese në vijën e parë.

Bazuar në projeksionet më të besueshme, vlerësojmë një situatë në rëndim dhe tërheqim vëmendjen për disa aspekte të rëndësishme shkencore si më poshtë vijon:

1. Imuniteti i tufës – që i referohet mbrojtjes së individëve të rrezikuar (=suseptibël) nga një infeksion, kur ekziston një numër i mjaftueshëm individësh imun në popullatë, nuk duhet të shihet kurrsesi jashtë kontekstit të vaksinave. Me fjalë të tjera, imuniteti i tufës mund të arrihet kur individët e imunizuar (=të vaksinuar) ndihmojnë në pengimin e transmetimit të virusit tek individët e rrezikuar. Sipas përllogaritjeve aktuale, përqindja-kufi që duhet të arrihet për të pasur imunitet të tufës është mbi 50-67% e popullatës së rrezikuar. Për ta kuptuar më mirë këtë koncept, po e zbërthejmë matematikisht, bazuar në formulën epidemiologjike për gjetjen e kufirit për arritjen e Imunitetit të Tufës (IT):

Ku: Ro është numri i rasteve të reja që potencialisht infektohen nga një rast aktual me COVID-19. Aktualisht, ky numër lëviz ndërmjet 2 dhe 3 individë. Nëse marrim si shembull rastin e  Shqipërisë, në skenarin kur Ro është 2, IT mund të arrihet nëse infektohen të paktën 50% e popullsisë totale në Shqipëri (~1.4 milionë). Në skenarin kur Ro është 3, IT mund të arrihet nëse infektohen të paktën 67% e popullsisë (~1.9 milionë). Edhe pse numri aktual i rasteve totale në Shqipëri, gjatë shkrimit të këtij dokumenti, nuk përbën më shumë se 2% të popullsisë (shumëfish më pak se % për të arritur imunitetin e tufës), sistemi i kujdesit shëndetësor është vendosur nën presion shumë të madh dhe kemi humbje të përditshme jetësh.  Imagjinoni sikur i njëjti sistem të vihet nën një presion me të paktën 1.4 milionë raste!

Rrjedhimisht, nëse do të përdorej si strategji me justifikimin për të dalë më shpejt nga kjo pandemi, do të ishte e papranueshme, fatale, jo etike, si dhe do të kushtonte shumë jetë të humbura njerëzish. Madje, në këto kushte  edhe sistemi shëndetësor më i mirë në botë do të kolapsonte në prani të këtyre shifrave.

2. Imuniteti mbrojtës – për momentin, nuk ekzistojnë ende të dhëna të mjaftueshme shkencore, që të provojnë se individët të cilët e kanë kaluar COVID-19, zhvillojnë imunitet mbrojtës ndaj SARS-CoV-2 (këtu, këtu dhe këtu). Gjithashtu, edhe pse rrallë, ka raste të konfirmuara ri-infektimi me prova gjenomike (këtu dhe këtu). Për pasojë, një strategji e bazuar në imunitetin e tufës prej infektimit natyral nuk do ti jepte fund COVID-19, por do të rezultonte në shpërthime epidemike të herë-pas-hershme, siç ndodh me shumë sëmundje infektive që nuk mund të adresohen me vaksinë. Do të ishte gjithashtu e papranueshme, pasi do të krijohej një barrë shëndetësore e jashtëzakonshme mbi ekonominë e vendit dhe punonjësit e kujdesit shëndetësor, një pjesë e të cilëve kanë humbur jetën.

Çdo strategji e menaxhimit të pandemisë që konsideron zgjidhje imunitetin e tufës ‘të fituar’ prej infektimit natyral është e papranueshme, fatale dhe bie ndesh me parimin themelor të profesioneve të shëndetit:

‘Primum non nocere’ (lat. ‘Fillimisht mos dëmto’)…

Për më tepër, transmetimi në masë në radhët e të rinjve, do të rrezikonte shtimin e infektimeve dhe vdekjeve të parandalueshme/shmangshme në të gjithë popullsinë shqiptare. Përveç kostos njerëzore, kjo do të ndikonte në fuqinë punëtore në tërësi dhe do të minonte aftësinë e sistemit tonë shëndetësor për të ofruar kujdes shëndetësor urgjent apo rutinë.

3. Parandalimi në burim – ekipi shkencor i HEDA Albania, gjykon se përdorimi i maskës/mbulesave të fytyrës (përtej debatit aktual dhe nivelit të evidencave) është i rekomandueshëm për uljen e rrezikut ndaj infektimit në bazë të kontrollit në burim. Ky rekomandim bazohet në provat që tregojnë se një dozë virale më e pakët në ekspozim shoqërohet me ashpërsi më të ulët të sëmundjes dhe gjasa më të pakta për të humbur jetën.

Për më tepër, ngarkesa virale tek individët e infektuar shtohet përpara shfaqjes së simptomave dhe disa ditë pas shfaqjes së tyre (këtu dhe këtu). Individët asimptomatikë janë gjithashtu në gjendje të infektojnë. Rrjedhimisht maska shërben për të mbrojtur të tjerët, por edhe vetë mbajtësin dhe duhet parë si një mundësi që çdo individ ka për të kontribuar në kontrollin dhe mospërkeqësimin e mëtejshëm të kësaj pandemie.

4. Modeli i djathit – masat dhe përgjegjësitë për kontrollin e transmetimit, të paraqitura gjithashtu në modelin e mëposhtëm, duhen parë dhe kuptuar në kompleks dhe jo të marra më vete. Disa prej masave janë përgjegjësi e individit, dhe disa jo vetëm e tij.5. Terapitë – në mungesë të një terapie efektive dhe specifike për COVID-19, si dhe bazuar në udhërrëfyesin zyrtar të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (këtu), literaturën aktuale dhe përditësimin shkencor të ekipit HEDA ALBANIA (këtu), rekomandohet që  klorokuina dhe hidroksiklorokuina (me ose pa azitromicinë), lopinavir/ritonavir, remdesivir, umifenovir, favipiravir, imunomodulatorët (përfshirë tocilizumab, interferon- α/β) dhe terapinë me plazmë hiperimune, të përdoren vetëm brenda kontekstit të provave klinike të randomizuara.

 6. Konsiderata – ndërhyrjet aktuale duhet të konsiderojnë (1) shpërndarjen e fakteve dhe informacioneve të bazuara në shkencë, (2) komunikimin e qartë të faktit që ne do të përballemi me këtë situatë dhe (3) përfshirjen e ekspertëve të shëndetit mendor nëpër qendra spitalore, duke shfrytëzuar gjithashtu telekonsultimet, linjat e ndihmës për parandalim e vetëdëmtimeve, dhunës, agravimit të shëndetit mendor, etj. Këto sfida sociale duhet të adresohen me vendosmëri për të shmangur pasoja shumë të rënda. Strategjitë potenciale për trajtimin e shëndetit mendor e të prekurve nga COVID-19, nuk duhet të lenë pa përfshirë familjarët dhe komunitet e tyre.

7. Plan gjithëpërfshirës – në këtë fazë është me rëndësi krijimi i një plani, me një qasje githëpërfshirëse e shumëpalëshe, me skenarë të ndryshëm, të cilët marrin në konsideratë mënyrën e hyrjes dhe daljes nga këta skenarë të mundshëm. Diskutimi aktual duhet të përqendrohet në heqjen apo vënien e masave bazuar në dinamikën e përhapjes së SARS-CoV-2 dhe kapacitetin e sistemit të kujdesit shëndetësor, duke marrë një qasje të bazuar në nivel lokal për të informuar dhe orientuar vendim-marrjen qendrore.

8. Protokolle – të  përditësohen në mënyrë periodike protokolle të unifikuara për menaxhimin klinik të pacientëve me ashpërsi të ndryshme të COVID-19.

9. Kërkimi shkencor – bazuar në pikën 5, rekomandojmë të krijohet një fond i dedikuar i kërkimit shkencor, me qëllim nxitjen e hulumtimeve në të gjitha nivelet e sistemit shëndetësor në mënyrë që të rrisim njohuritë aktuale mbi dinamikën e COVID-19 dhe sfidave të tjera potenciale shëndetësore.

10. Vaksinimi dhe parandalimi – rekomandojmë hartimin e një plani për shpërndarjen dhe prioritizimin e vaksinave në momentin që ato do të jenë të disponueshme. Ekipi i HEDA Albania propozon skemën e mëposhtme:

Ekipi i HEDA Albania, fton të gjithë profesionistët shqipfolës t’i bashkohen kësaj iniciative, për të dhënë kontributin e tyre në përmirësimin e statusit shëndetësor të shqiptarëve, duke luftuar keqinformimin shëndetësor dhe promovimin e të vërtetës.

Familja jonë shqipfolëse nuk e ka privilegjin të përballojë shtimin e barrës së parandalueshme shëndetësore, ekonomike, sociale, mendore, etj. që vjen si pasojë e keqinfromimit. Le të ndihmojmë të gjithë për një përgjigje jetë-shpëtuese ndaj COVID-19. Është e rëndësishme të veprojmë shpejt dhe bazuar në gjithësinë e fakteve dhe evidencave shkencore dhe jo copëzat e tyre.

Kliko për të parë listën e firmëtarëve

Kliko për të parë dokumentin në PDF

Të gjithë profesionistët mund të bëhen pjesë e kësaj nisme duke dërguar e-mail në adresën info@heda.al dhe emri juaj do të shtohet në listën e firmëtarëve.