Shumë prej nesh janë të familjarizuar me shprehjet “Ne jemi çfarë hamë” dhe “Mendje e shëndoshë, për trup të shëndoshë”. Këto shprehje, kaq popullore për ne, e kanë zanafillën pikërisht në ekzistencën e një marrëdhënie të ngushtë mes ushqimit dhe shëndetit.
- Si ndikon në shëndet mënyra si ushqehemi?
- Çfarë duhet të konsumojmë në përditshmërinë tonë?
Ndjekja e një diete të pasur, duke përfshirë konsumimin e një game të gjerë ushqimesh të shëndetshme na ndihmon:
- të përballojmë ditën me energji;
- të jemi më pak të prekshëm nga sëmundjet e ndryshme.
Nga ana tjetër, abuzimi me ushqime jo të shëndetshme e sidomos ato që sot në kohët moderne njihen si ushqime të shpejta, ndikon në shfaqjen e problemeve shëndetësore dhe na bën më të prekshëm nga sëmundjet e ndryshme.
- Shpesh herë ajo që është e shëndetshme për ne, nuk është e shëndetshme për një person tjetër.
- Kultura të ndryshme kanë koncepte të ndryshme në lidhje me atë që është, apo nuk është e shëndetshme.
Megjithatë, specialistë të ushqimit, si: mjekë, nutricionistë e dietologë kanë etalone të mirëpërcaktuara në përkufizimin e ushqimeve që konsiderohen të shëndetshme dhe që japin benefite për organizmin.
- Çfarë duhet të konsumojmë?
- Cilat janë ushqimet që duhet të përmbajë shporta ushqimore?
Kjo është pyetja që bëjmë e ndeshim çdo fillim dite. Pyesim veten se çfarë do hamë, teksa nxitojmë të shkojmë në punë apo në shkollë. Shpeshherë, për mungesë kohe ose për neglizhencë, bëjmë zgjedhje të gabuara.
- Në ditët e sotme, strategjia për të pasur një shëndet sa më të mirë udhëhiqet nga motoja “Ha Ylberin“.
Kjo strategji bazohet në një dietë të pasur me shumëllojshmëri produktesh, perimesh e frutash duke u përpjekur të shmangë rutinën ose zakonin e gabuar të ngënies së një numri të kufizuar ushqimesh.
Në larmishmërinë e ngjyrave të frutave dhe perimeve gjejmë dhe larmishmërinë e vitaminave, mineraleve, antioksidantëve dhe fitokimikateve që kanë një vlerë të çmueshme për shëndetin tonë.
- Ndaj këshillohet konsumimi i një game të gjerë ushqimesh me bazë bimore dhe shtazore, në mënyrë që trupi të marrë të gjithë nutrientët e duhur.