Kanceri i Vezoreve (OvCA) është një nga shkaqet më të shpeshta të vdekjeve nga tumoret gjinekologjike. Ai karakterizohet nga incidencë e lartë, prognozë jo e mirë dhe vdekshmëri të lartë. Nëse do arrinim ta zbulonim kancerin e vezoreve që në stadin e parë përpara se ai të përhapej, do të trajtohej me shumë sukses nga qasjet terapeutike konvencionale.
Rënia e shkallës së mbijetesës lidhet ngushtë me kohën kur diagnostikohet ky kancer. Shkalla e mbijetesës nga ky kancer bie dukshëm kur krijon metastaza në organet e brendshme. Trajtimet standarde të kancerit të vezoreve janë: kirurgjia dhe kemoterapia, por pavarësisht përparimit dhe përmirësimit të terapive në OvCA, shumica e pacientëve, pas këtyre trajtimeve standarde, shfaqin përsëritje të tumorit. Arsyeja, pse ndodh kjo, mendohet të jetë prania e një mikromjedisi tumoral kompleks dhe e një konteksti imunitar në OvCA, këtu i emëruar si mikromjedis imunitar i tumorit (TIME), i cili vepron si orkestruesi kryesor në përparimin e kancerit të vezoreve (OvC).
TIME në OVCA është i përbërë nga qeliza të sistemit imunitar të lindur dhe adaptiv, të cilat duhet të neutralizojnë në mënyrë efikase qelizat tumorale dhe përparimin e tumorit. Ajo që ndodh shpesh është se këto qeliza, të ndodhura në një ambient imunosupresiv, ushtrojnë aktivitete pro-tumorale (përkeqësojnë tumorin), duke mbështetur kështu metastazën dhe vaskularizimin e OvCa.
Për këtë arsye, vitet e fundit është rritur vëmendja e studiuesve për rolin që ka sistemi imunitar në progresin e tumorit të vezoreve dhe për formulimin e terapive specifike, të njohura si imunoterapi.
Aktualisht, karakterizimi fenotipik dhe funksional i limfociteve infiltruese të tumorit mund të na japë disa përgjigje dhe të kontribuojë në përmirësimin e rezultatit klinik.
Në artikullin që mund të lexoni të plotë në linkun e mëposhtëm, kemi paraqitur një përmbledhje të literaturës për disa përbërës të TIME ne OvCA, të tillë, si: makrofagët, neutrofilet, limfocitet γδ T dhe qelizat vrasëse natyrale (NK). Këto qeliza mund të kenë një rol të dyfishtë, në mbështetjen ose në kufizimin e OvCA, në varësi të stimujve të TIME ( mikromjedisit imunitar të tumorit).
Artikulli shtron dhe diskutimin për metodat kryesore (imune)-terapeutike të përdorura aktualisht për të fuqizuar makrofagët, neutrofilet, limfocitet T γδ dhe qelizat NK në luftimin dhe neutalizimin e tumorit të vezoreve.
Formulimi i terapive të reja duhet të llogarisë imunosupresionin dhe duhet të fuqizojë aktivitetin antitumoral të sistemit imunitar. Studime të mëtejshme mund të ndihmojnë në planifikimin e strategjive efektive për eradikimin e qelizave tumorale, përmes goditjes së efektorëve të imunitetit të lindur.
Artikulli i plotë është i publikuar në revistën shkencore Zviceriane ‘International Journal of Molecular Sciences’ https://www.mdpi.com/1422-0067/21/9/3125/htm