Minireview e COVID-19: Stuhia e citokinave dhe terapia imunosupresive

Emergjenca Covid 19

Përmbledhur dhe përshtatur nga AIRInforma:

·         Denisa Baci  PhD

 

Rishikuar dhe redaktuar nga:

·         Teuta Muhollari, PhD (c)

 

Shkaku i parë i vdekjes tek pacientët me COVID-19 është Sindroma e Distresit Respirator Akut (SDRA). Limfohistiocitoza Sekondare Hemofagocitike (LSH) është një sindromë që shkaktohet nga gjendja e hiperinflamacionit që karakterizohet nga një prani e lartë e citokinave dhe kemokinave, të cilat mund të shkaktojnë kolaps në funksionimin e organeve të ndryshme. LSH mund të karakterizohet me: temperaturë të lartë, citopeni, hiperferritinemi, dhe në 50% të rasteve pneumoni, shpesh duke përfshirë edhe SDRA.

Një nga artikujt e fundit i publikuar në Lancet (Mehta et al.,16 Mars 2020), raporton se profili i
citokinave në rastet më të rënda të COVID-19 është i ngjashëm me LSH, më specifikisht me nivele të larta të IL-2, IL-7, G-CSF, MIP1a, CXCL10, MCP-1 dhe TFN -së.

Një studim tjetër ku u përfshinë 150 pacientë me COVID-19 në Wuhan, Kinë, zbuloi praninë e niveleve të larta të ferritinës (1297.6 ng / ml vs 614 ng / mL, p <0.0001) dhe IL-6 (p <0.0001) tek rastet fatale, krahasuar me të mbijetuarit, duke sugjeruar që rritja e vdekshmërisë mund të jetë për shkak të këtij hiperinflamacioni të shkaktuar nga infeksioni COVID-19.

Autorët dolën në përfundimin se të gjithë pacientët me profil të rëndë klinik të COVID-19 duhet të kontrollohen dhe të ekzaminohen për statusin e gjendjes hiperinflamatore, nëpërmjet testeve laboratorike (ferritina, trombocitet, VES) dhe të vlerësohen sipas HScore për të identifikuar pacientët potencialë që mund t’i nënshtrohen terapisë imunosupresive.

Për trajtimin e inflamacionit, Russell et al. (Lancet, 15 shkurt 2020), pas një analize të thelluar të
literaturës mbi përdorimin e kortikosteroideve për infeksionet me koronavirus, dhe duke u bazuar në efektet anësore dhe zgjatjen e infeksionit tek pacientët me SARS dhe MERS, doli në përfundimin se përdorimi i kortikosteroidëve nuk rekomandohet për COVID-19. Mehta et al. në studimin e tyre, gjithashtu raportuan disa nga këto konsiderata, por shtuan gjithashtu se gjendja e hiperinflamacionit mund t’i përgjigjet llojeve të tjera të imunosupresantëve, të cilat mund të
bllokojnë nivelet e larta ose ‘stuhinë’ e citokinave, dhe njëkohësisht të pakësojnë efektet anësore.

Në lidhje me këtë konsideratë, autorët citojnë një provë klinike në të cilën po testohet inhibitori i receptorit IL-6 Tocilizumab (ChiCTR2000029765) në pacientët me COVID-19 dhe nivele të larta të IL-6. Ky bar është përdorur, sipas një raportim-rasti të kohëve të fundit nga Asami Masui-Ito et al., ku rezultoi se mund të përmirësojë gjendjen shëndetësore tek një paciente femër 26-vjeçare, me përgjigje inflamatore që shkaktoi agravim të sëmundjes ‘Still’ tek kjo paciente. Për të vërtetuar rëndësinë që citokinat dhe kemokinat kanë, autorët gjithashtu raportuan potencialin e dyfishtë të Baracitinib (i cili frenon JAK dhe GAK) dhe rezultatet pozitive të përdorimit të frenuesit IL-1 (Anakinra), në një studimi klinik tek pacientët me sepsis.

Një strategji alternative imunomoduluese, mund të jetë gjithashtu përdorimi i Interferon-β-1a FP-1201. Në një provë klinike (EudraCT Number: 2008-000140-13), pacientët me SDRA të trajtuar
me 10 μg/ditë (FP-1201) patën një rritje të shkallës së mbijetesës (Bellingan et al 2014).

Si përfundim mund të themi që komuniteti shkencor mendon se ndërlikimet më serioze të COVID-19 vijnë kryesisht për shkak të një “stuhie citokine” të identifikueshme nga shenjat klinike (të tilla si splenomegalia dhe temperatura e lartë) dhe testet laboratorike (ferritina, IL-6, indekset inflamatore). Për më tepër, nivele të larta të inflamacionit mund të përbëjnë një indikacion për trajtim imunosupresiv që kanë si target IL-1, IL-6 ose JAK.

Referencat:

  • Bellingan
    G, Maksimow M, Howell DC, Stotz M, Beale R, Beatty M, Walsh T, Binning A, Davidson A, Kuper M, Shah S, Cooper J, Waris M, Yegutkin GG, Jalkanen J, Salmi M, Piippo I, Jalkanen M, Montgomery H, Jalkanen S. The effect of intravenous interferon-beta-1a (FP-1201) on lung CD73 expression and on acute respiratory distress syndrome mortality: an open-label study. Lancet Respir Med. 2014 Feb;2(2):98-107.
  • Masui-Ito A, Okamoto R, Ikejiri K, Fujimoto M, Tanimura M, Nakamori S, Murata T, Ishikawa
    E, Yamada N, Imai H, Ito M. Tocilizumab for uncontrollable systemic inflammatory response syndrome complicating adult-onset Still disease: Case report and review of literature. Medicine (Baltimore). 2017 Jul;96(29):e7596.
  • Mehta P, McAuley DF, Brown M, Sanchez E, Tattersall RS, Manson JJ; HLH Across Speciality Collaboration, UK. COVID-19: consider cytokine storm syndromes and immunosuppression. Lancet. 2020 Mar 16. pii: S0140-6736(20)30628-0.
  • Russell CD, Millar JE, Baillie JK. Clinical evidence does not support corticosteroid treatment for 2019-nCoV lung injury. Lancet. 2020 Feb 15;395(10223):473-475.