Deri tani në botë janë prekur 5,3 milion individë nga sëmundja e COVID-19, nga të cilët 1.3 milion kanë humbur jetën. Përvec dëmeve njerëzore, virusi SARS-CoV-2 (pergjegjës për COVID-19) ka shkaktuar edhe dëme të mëdha ekonomike.
Shkencetarët dhe mjekët nga e gjithë bota po mundohen të studiojnë këtë virus në menyrë që të gjejnë një trajtim ose vaksinë efikase sa më shpejt.
Aktualisht po drejtoj në bashkëpunim me Profesor Jeroen Roose një studim, me anë të cilit po përpiqemi të kuptojmë se përse individët reagojnë në mënyrë të ndryshme ndaj SARS-CoV-2. Ky studim po realizohet pranë Universitetit të San Françiskos, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shkencëtaret po përdorin mini-mushkëritë njerëzore për të studiuar se si qelizat epiteliale të mushkërisë pergjigjen ndaj këtij virusi.
Mini mushkëritë prodhohen në laboratore duke u nisur nga qelizat staminale të njeriut dhe ngjajnë me epiteliumin e mushkërisë. Siç tregohet në videon, bashkangjitur këtij artikulli këto mini-mushkëri janë në formë sfere. Rrethi i sferës përbëhet nga qeliza staminale. Ndërsa nga ana e brendshme e sferës ka qeliza me qime që pastrojnë mukusin (gëlbazën), dhe gjithashtu qeliza që prodhojnë mukus. Këto mini mushkëri shprehin gjenet e dhuruesit të qelizave staminale. Kjo nënkupton që çdo mini mushkëri është e veçantë dhe i ngjan mushkërisë së njeriut që ka dhuruar këto qeliza. Kjo veçanti e bën modelin e mini mushkërive nje model shumë te mirë për të studiuar se cili është roli i gjenetikës apo epigjenetikës së një personi në simptomat që ai shfaq gjatë COVID-19.