Në ditët e sotme, strategjia për të pasur një shëndet sa më të mirë udhëhiqet nga motoja “Ha Ylberin“.
Në larmishmërinë e
ngjyrave të frutave dhe perimeve gjejmë dhe larmishmërinë e vitaminave, mineraleve,
antioksidantëve dhe fitokimikateve që kanë një vlerë të çmueshme për shëndetin
tonë.
Nëse do t’i referohemi ushqimeve që secili duhet të konsumojë në bazë ditore, ato do t’i kategorizonim në karbohidrate, proteina, fruta, perime dhe produkte me origjinë shtazore.
- Karbohidratet, si: buka, makaronat dhe drithërat e ndryshme, duhet të jenë baza e dietës sonë, sepse janë burim energjie për trupin. Drithërat e pazhveshura nga lëvozhga janë të pasura me fibra dhe nutrientë të tjerë që japin shumë benefite për shëndetin, ulin rreziqet e sëmundjeve të zemrës, të kancerit, të diabetit dhe të obezitetit.
- Proteinat janë një grup tjetër i rëndësishëm për dietën, sidomos kur flasim për fëmijët, gratë shtatzëna dhe personat që merren me aktivitet fizik. Kur sëmuremi, konsumimi i proteinave e ndihmon trupin në luftimin në mënyrë të shpejtë dhe efikase të mikroorganizmave.
- Frutat dhe perimet janë një tjetër burim i rëndësishëm nutrientësh për organizmin. Frutat janë të pasura me vitamina që konsiderohen, si nutrientë esencialë. Ato janë të pasura me fibra që ndihmojnë në kontrollin e nivelit të kolesterolit dhe parandalimin e konstipacionit. Që të përfitoni sa më shumë nga fibrat, konsumojini frutat, ashtu siç janë, duke evituar konsumimin e tyre në formën e lëngjeve. Acidi folik është prezent, jo vetëm tek drithërat, spinaqi dhe fasulet, por edhe tek fruta, si: qitroja dhe portokalli. Ai është shumë i rëndësishëm, sidomos për mbarëvajtjen e shtatzënësisë. Prezenca e kaliumit tek frutat ndihmon në parandalimin e tensionit të lartë. Edhe perimet janë të pasura me vitamina, fibra, kalium dhe acid folik, duke i bërë ato po aq të preferuara sa frutat.
- Specialistët rekomandojnë gjithashtu të konsumohen produkte me bazë shtazore me përqindje të ulët yndyrore, në mënyrë që trupi ynë të marrë sasinë e nevojshme të kalciumit,vitaminës D, grupit të vitaminave B dhe proteinave. Megjithatë, ekziston dhe një grup dietologësh dhe nutricionistësh që nuk janë shumë pozitivë kundrejt kësaj kategorie produktesh dhe mendojnë se nutrientët e gjetur në produktet shtatzore mund të zëvendësohen kollaj me kategori të tjera ushqimore. Duhet theksuar se bulmeti është i pasur me probiotikë që na përmirësojnë tretjen dhe ndihmojnë personat që vuajnë nga kontispacioni ose diarreja.