Paracetamoli dhe ibuprofeni janë barna që kërkohen dhe përdoren gjerësisht nga pacientët. Në farmaci i gjejmë në forma të ndryshme si: tableta, kapsula xhelatinoze, suposta, shurupe dhe si pjesë përbërëse e medikamenteve të tjera. Të dy këto preparate përdoren për të lehtësuar dhembjen dhe për të ulur temperaturën e lartë, por paraqesin disa dallime mes tyre për mënyrën se si veprojnë në organizëm.
Paracetamoli i përket klasës së medikamenteve analgjezikë (greqisht. an-pa, algos-dhembje), ndërsa ibuprofeni klasës së medikamenteve antiinflamatorë josteroid. Të dy këto medikamente qetësojnë dhembjen, por ibuprofeni ul dhe inflamacionin. Për një përdorim të duhur të tyre, si tek fëmijët ashtu dhe tek të rriturit, është shumë i rëndësishëm këshillimi me farmacistin ose me mjekun.
Kujdes të veçantë duhet treguar për përdorimin e këtyre dy medikamenteve në moshën pediatrike. Për fëmijët nën moshën 2 vjeçare duhet të merren me rekomandimin e mjekut, i cili bën llogaritjen e dozës më të përshtatshme në varësi të gjendjes shëndetësore, moshës dhe peshës së fëmijës. Nuk duhet të përdoren asnjëherë në të njëjtën kohë paracetamoli dhe ibuprofeni për uljen e temperaturës te fëmijët. Në qoftë se keni dyshime mbi përmbajtjen e shurupit për uljen e temperaturës drejtohuni pranë farmacisë për sqarimet e duhura.
Përveç efektit të dëshiruar, sigurisht këto dy medikamente kanë edhe efekte anësore të padëshiruara. Efektet anësore të paracetamolit kanë lidhje të drejtpërdrejtë me dozën e përdorur. Ndër ta më i rëndësishmi është dëmtimi i mëlçisë. Nëse keni probleme me mëlçinë duhet të konsultoheni me mjekun përpara se të përdorni këtë medikament. Kujdes i veçantë duhet bërë për mospërdorimin e paracetamolit në të njëjtën kohë me alkolin. Përzierja e tyre, qoftë edhe për një herë të vetme, ka efekte anësore të rrezikshme duke shkaktuar dëmtime serioze për mëlçinë.
Efektet anësore kryesore të ibuprofenit janë dhimbje stomaku e nausea. Në qoftë se përdoret për një kohë të gjatë në doza të larta mund të japë ulcerë në stomak, të rrisë mundësinë e një ataku kardiak dhe të goditjeve në tru. Përdorimi i ibuprofenit ndërkohë që merrni edhe medikamente të tjera si varfarinë, aspirinë e antiinflamatorë të tjerë, si dhe nëse keni ose keni patur më përpara ulcerë në stomak, hemoragji në stomak apo zorrë ose probleme të tjera me hemoragjitë kërkon një vëmendje dhe kujdes të veçantë. Për çdo paqartësi këshillohet konsultë me mjekun ose farmacistin tuaj.
Të dy këto medikamente trajtojnë dhembjen, por mënyra se si veprojnë dhe ndikojnë në organizëm është e ndryshme. Secili prej tyre mund të paraqesë rreziqe, sidomos kur jeni në një gjendje shëndetësore, për të cilën ndiqeni ose jeni në trajtim, ndaj edhe, nëse ju kërkohet të kryeni analiza gjaku, duhet të njoftoni mjekun se jeni duke përdorur këto medikamente.