Rreziku dhe parandalimi i infeksioneve pneumonike nga koronavirusi i ri tek pacientët e spitaleve psikiatrike

Emergjenca Covid 19

Përmbledhur nga AIRinforma dhe përshtatur në shqip nga:

  • Aldi Pupuleku, PhD

Recensente:

  • Teuta Muhollari, PhD (c)

Kjo letër drejtuar Redaktorit, përshkruan situatën e spitaleve psikiatrike në Kinë që nga fillimi i epidemisë së re të pneumonisë shkaktuar nga koronavirusi i ri.

Tre elementë janë përgjegjës për infeksionin e pacientëve të shtruar në spital të diagnostikuar me psikozë:

  • burimi i infeksionit (pacientë me pneumoni nga koronavirusi i ri)
  • rrugët e transmetimit (përmes transmetimit me spërkla gjatë kollitjes ose të teshtiturit)
  • ndjeshmëria e pacientëve (gjendje të dobët/ulët të vetëdijës).

Në Kinë, stafi që punonte në spitalet psikiatrike nuk ishte i mirëinformuar për faktorët që mund të rrisnin rrezikun e përhapjes së epidemisë. Specifikisht, duhet të konsiderohej se pacientët shpesh nuk ishin reaktivë apo të shqetësuar nga lajmet, veçanërisht pas një periudhe të tyre të izolimit shoqëror. Pikërisht kjo gjendje i vë ata në vështirësi për të toleruar dhe ndjekur masat e izolimit. Personeli i shëndetit mendor shpreh se nuk ishte i trajnuar për të menaxhuar infeksione të tilla të frymëmarrjes . Për më tepër, mungesa e protokolleve specifike klinike që synojnë këtë grup të veçantë pacientësh e vështirëson menaxhimin e situatës.

Çfarë u mësua në këtë rast?

  • Domosdoshmëria e modifikimit të strategjive për parandalimin e rrezikut të përhapjes së virusit në këtë grup pacientësh.
  • Psikiatrët duhet të sensibilizohen dhe informohen njësoj si specialitetet e tjera të mjekësisë se si të mbarësojnë në mënyrë të përshtatshme situata të tilla.
  • Pacientët psikiatrik janë një grup i ndjeshëm, prandaj duhet të trajtohen me vëmendje të veçantë.
  • Ashtu si vlerësimi para-shtrimit edhe trajtimi gjatë shtrimit në spital (përfshirë izolimin) duhet të shpjegohen dhe menaxhohen në mënyrë të kujdesshme duke qenë se ky target grup paraqet nevoja të veçanta shtesë.
  • Nuk duhet të harrohet asnjëherë se ashtu si pacientët e tjerë në popullatë, edhe këta pacientë mund të kenë probleme shëndetësore ekzistuese si: hipertensioni, diabeti dhe sëmundje të tjera kronike.

Për më tepër, kushtet e stresit psikologjik që shkaktohen nga i gjithë informacioni mbi situatën aktuale, mund të afektojnë edhe njerëz të shëndetshëm mendërisht, të cilët mund të kenë nevojë për të marrë shërbim shëndetësor edhe në departamente të shëndetit mendor. Kjo mund të bëjë që spitalet psikiatrike të gjenden ne situata të pazakonta ku do t’u duhej të menaxhonin një ngarkesë më të madhe pune.

Strategjitë e mundshme për të përballuar situatën

Në Kinë, gjatë epidemisë së re të koronavirusit:

  • rekomandohej izolimi i plotë i qendrave të shëndetit mendor
  • përveç strategjive të miratuara tashmë për karantinë, vizitat ndaloheshin përkohësisht dhe u zëvendësuan me video chat
  • punonjësve të komunitetit dhe mjekëve të familjes iu ofruan më shumë shërbime për mbështetje psikologjike me qëllim ndihmesën në komunikimin me anëtarët e familjeve të tyre rreth kufizimeve të imponuara nga qeveria.

Për më tepër, në këtë situatë duhet të merret parasysh gjithashtu edhe stresi të cilit i nënshtrohen punonjësit e shëndetësisë. Kjo gjendje mund të krijojë probleme të shëndetit mendor siç janë çrregullime serioze psikosomatike ose probleme që mund të ndikojnë në proceset e vendimmarrjes. Do të ishte gjithashtu e nevojshme të parashtroheshin shërbime depistuese dhe mbështetje psikologjike për të zvogëluar ankthindepresionin dhe çrregullimin e stresit post traumatik (PTSD). Psikoterapia në formë elektronike dhe përdorimi i shtuar i telefonit dhe aplikacioneve të chat-it janë forma të rekomandueshme për minimizimin e efekteve të padëshirueshme të krijuara prej situatës.

Për të lehtësuar uljen e incidencës së shqetësimeve psikologjike, duhet të merren masa të përshtatshme për të mbështetur shëndetin mendor publik, duke përfshirë:

  1. shpërndarjen e njohurive të shëndetit mendor te publiku
  2. krijimi e linjave telefonike këshilluese psikologjike në shkallë vendi
  3. mbështetje psikologjike të individualizuar nga psikiatër dhe psikologë
  4. inkurajimi i mjekëve, si në sferat publike ashtu edhe në ato private, të ofrojnë ndihmë psikologjike.
  5. inkurajimi i mbështetjes vullnetare nga të mbijetuarit apo të shëruarit e situatës.
  6. planifikimi për një mbulim sigurimesh për shëndetin mendor në periudha të veçanta siç është kjo e tanishmja.

Së fundmi, njerëzit me rrezik të lartë duhet të identifikohen në kohën e duhur për të shmangur shfaqjen e ngjarjeve ekstreme si vetëvrasje, sjellje impulsive dhe krizë masive psikologjike. Për këta subjekte do të ishte e përshtatshme:

  1. dhënia e medikamenteve me recetë për pacientët ambulator për një kohë më të gjatë se ajo që parashikohet në ligj.
  2. sigurimi i monitorimit në distancë për pacientët që qëndrojnë në kushte shtëpiake
  3. njoftim i menjëhershëm për pacientët që kanë nevojë për shtrimi në spital dhe planifikimi i shpejtë i masave parandaluese.

Artikulli origjinal i botuar në 25 shkurt 2020: Yuncheng Zhu; Liangliang Chen; Haifeng Ji; Maomao Xi; Yiru Fang; Yi Li, The Risk and Prevention of Novel Coronavirus Pneumonia Infections Among Inpatients in Psychiatric Hospitals, Neurosci Bull. 2020 Mar;36(3):299-302.