Për një përdorim të sigurtë të medikamenteve

Shpeshherë ndodhemi në situatën e një gjendje shëndetësore, e cila na dikton marrjen e disa medikamenteve në të njëjtën kohë. Kjo nuk ndodh vetëm për pacientët kronikë, që janë mësuar të bashkëjetojnë me sëmundjen dhe mund të përdorin disa medikamente çdo ditë, por edhe me pacientë të tjerë, të cilët ndodhen përpara një situate klinike kalimtare.

Ajo që duhet të kemi parasysh për një përdorimin të sigurtë të medikamenteve, është marrja e tyre në zbatim të plotë të udhëzimeve të mjekut dhe të farmacistit. Qëllimi parësor i këtyre udhëzimeve është përfitimi i një efektshmërie më të lartë të medikamentit dhe parandalimi ose minimizimi i shfaqjes së efekteve të padëshiruara, të cilat mund të vinë si rrjedhojë e një përdorimi të gabuar. 

Për ilustrim po paraqesim rastin e një pacienti që trajtohet rregullisht me medikament kundër aciditetit të stomakut (ranitidine, omeprazol etj.) dhe në një moment të caktuar e ka të nevojshme të marrë për një kohë të shkurtër edhe një antibiotik. Në këtë situatë i duhet kushtuar një kujdes i veçantë kohës së marrjes së tyre. Medikamentet kundër aciditetit ndryshojnë Ph-in e stomakut dhe si rrjedhojë reduktojnë shpejtësinë e përthithjes nga organizmi të disa antibiotikëve. Për këtë arsye, këshilla më e vlefshme në këto raste është marrja e medikamentit kundër aciditetit 20-30 min përpara ushqimit, kurse  antibiotiku të merret 2 orë para ose pas ushqimit.

Kjo që sapo thamë, duket sikur kundërshton perceptimin e zakonshëm që antibiotiku rëndon në stomak, por secili medikament kur prodhohet për t’u marrë nga goja, parashikohet të përthithet në aparatin tretës. Në varësi të karakteristikave kimiko-fizike të medikamentit një pjesë përthithet në stomak e një pjesë në zorrë. Pjesa më e madhe e antibiotikëve që përdorim, (si, p.sh., Amoksicilina) përthithet në stomak dhe në qoftë se ne ndryshojmë Ph-in e këtij ambienti (nga përdorimi i antiacidëve ose prania e ushqimit) atëherë në mënyrë indirekte do të ndikojmë në kushtet, në të cilat ky medikament do për të përthithet, rrjedhimisht edhe në sasinë dhe cilësinë e përthithjes së tij. 

Rastet kur duhet të marrim disa medikamente njëherësh mund të jenë të shpeshta, prandaj duhet të këshillohemi gjithmonë me farmacistin për mënyrën dhe rendin më të përshtatshëm të marrjes së tyre. Ai, duke njohur karakteristikat e secilit medikament, ju jep sqarimet dhe rekomandimet përkatëse.