Përmbledhur nga AIRinforma dhe përshtatur në shqip nga:
- Aldi Pupuleku, PhD
Recensente :
- Teuta Muhollari, PhD (c)
Oksigjenimi membranor ekstra-korporal ose ndryshe ECMO, është një formë e modifikuar e bypass-it kardiopulmonar, në të cilën gjaku venoz hiqet nga trupi dhe shtyhet përmes një membrane artificiale, gjë që është e dobishme për pacientët me insufiçencë të rëndë kardiake ose pulmonare. Pas shtimit të oksigjenit dhe heqjes së dioksidit të karbonit, gjaku pompohet përsëri tek pacienti, nëpërmjet një vene për të siguruar mbështetjen e frymëmarrjes dhe nëpërmjet një arterie për të mbështetur qarkullimin e gjakut.
Kjo është një formë mbështetje jetësore intensive, e sofistikuar dhe e kushtueshme, që mund të ketë komplikime potenciale të rëndësishme (veçanërisht hemoragjike dhe infektive). Evidencat e fundit sugjerojnë se përdorimi i ECMO në Sindromën e Distresit Respirator Akut (SDRA) shoqërohet me ulje të vdekshmërisë. Gjithsesi, roli i ECMO në menaxhimin e COVID-19 është ende i paqartë. Edhe pse ECMO mund të jetë një praktikë e dobishme për pacientët COVID-19 me insuficiencë respiratore hipoksemike refraktare, njohuritë që kemi rreth këtij virusi janë ende të kufizuara (sidomos për sa i përket historisë natyrore, komplikimeve afatgjata, persistencës, etj.).
Përtej kësaj pasigurie që ekziston, momentalisht po bëhen përpjekje serioze për të shtuar kuptueshmërinë më të mirë mbi këtë procedurë dhe implikimet shëndetësore. Aktualisht po kryhet riorganizimi i regjistrave dhe grupeve kërkimore që bëjnë mbledhjen e të dhënave sistematike në këtë fushë dhe një shembull i tillë është regjistri i “Extracorporeal Life Support Organization”, i cili po adaptohet për të marrë të dhëna të reja.
Procedura me ECMO nuk i jep mbështetje të drejtpërdrejtë organeve të tjera përveç mushkërive ose zemrës, përtej përmirësimit të dukshëm të transportit të oksigjenit dhe minimizimit të dëmtimeve pulmonare të shkaktuara prej ventilimit (VILI). Një pjesë e konsiderueshme e pacientëve në gjendje kritike me COVID-19, zhvillojnë aritmi dhe shok, por nuk është e qartë se sa prej tyre pësojnë insuficiencë multiorganore. Rrjedhimisht, ECMO nuk do të përbënte dobi në këto raste. Si pasojë, është thelbësore të kuptohet më mirë mënyra sesi virusi shkakton dëmtime kritike të cilat mund të çojnë deri në vdekje.
Përhapja e rasteve me COVID-19 në vendet që disponojnë dhe operojnë ECMO, do të lejojë mbledhjen e të dhënave për të qartësuar efikasitetin e kësaj procedure, por edhe për të parashikuar kërkesën e mundshme globale. Një aspektet i pafavorshëm i kësaj procedure është fakti që qendrat të cilat nuk disponojnë ECMO, mund kërkojnë transferimin e pacientëve të tyre në qendrat referente – gjë që potencialisht mund ti mbingarkojë këto të fundit. Për më tepër, duke marrë në konsideratë numrin e lartë të pacientëve që i nënshtrohen një trajtimi intensiv, kjo mund të mos jetë kosto-efektive.
Gjithsesi, nëse nuk do të kishte një nivel kaq të lartë vdekshmërie që lidhet me shkaqe përtej atyre kardiake ose pulmonare, atëherë do të ishte e nevojshme përzgjedhja e kujdesshme e pacientëve për t’iu nënshtruar procedurës ECMO. Duhet gjithashtu të marrim në konsideratë se stacionet ECMO nuk janë të pakufizuara, për sa i përket numrit të pajisjeve, shtretërve dhe veçanërisht stafit të specializuar – i cili nevojitet për operacionalizimin dhe mirëfunksionimin e procedurës.
Fakti që ka qendra ECMO referimi në Itali garanton standardizimin e treguesve, menaxhimit dhe mbledhjes së të dhënave; ana negative është ajo e përshkruar më lart, domethënë rreziku që këto spitale të mbingarkohen, një dukuri që mund të shmanget në qoftë se realizohet një koordinim qendror.
Sigurisht, në lidhje me vendet të cilat kanë burime të kufizuara, kjo zgjidhje nuk është pjesë e trajtimit bazë të linjës së parë. Prioritetet duhet të përfshijnë ngadalësimin e epidemisë, izolimin e pacientëve pozitivë, terapinë e oksigjenit, ventilimin mekanik dhe ECMO.
Artikulli origjinal:
MacLaren G, Fisher D, Brodie D. Preparing for the Most Critically Ill Patients With COVID-19: The Potential Role of Extracorporeal Membrane Oxygenation. JAMA, 19 shkurt 2020.