Plazma konvaleshente si terapi për pacientët me COVID-19: Aplikimet dhe kufizimet

Përdorimi i plazmës konvaleshente për trajtimin e  pacientëve me COVID-19 është mjaft i njohur, debatuar dhe eksperimentuar brenda komunitetit shkencor. Kjo terapi mund të përdoret, por pa iluzione të rreme, pasi nuk mund të jetë kura definitive me kosto të ulët dhe gjithmonë e disponueshme për të gjithë.

Po përse?

Çdo sëmundje ka karakteristikat e veta, çka nënkupton që nëse ky trajtim do jetë efikas në një sëmundje mund të mos jetë i tillë në një sëmundje tjetër, p.sh plazma nuk mund të trajtojë pacientët me SIDA apo Grip.

Izolimi i plazmës (plazmafereza – shiko posterin) dhe përdorimi i saj për qëllime terapeutike ka njëqind vite që studjohet (kliko). Përdorimi i plazmës konvaleshente u përdor edhe gjatë epidemisë së Ebolës në 2013(kliko), pra nuk kemi të bëjmë me diçka të re, por me një trajtim të eksperimentuar dhe më parë.

Në rastin konkret po trajtojmë plazmën e pacientëve me COVID-19, të cilët kanë kaluar sëmundjen dhe kanë krijuar antitrupa specifikë.

Eksperimentet e para janë kryer në Kinë në janar të këtij viti. Përdorimi i plazmës është trajtuar dhe në publikime shkencore në revistat Lancet dhe PNAS. Gjithsesi efikasiteti dhe përdorimi si terapi në shkallë të gjerë janë akoma objekt studimi dhe presin konfirmime nga studime të mëtejshme klinike. Në shumicën e rasteve vërehen përmirësime dhe derimë tani nuk janë raportuar efekte të veçanta anësore siç ka ndodhur për shembull me medikamente të tilla si hidroksiklorokuina. Efektet anësore të këtij trajtimi përfshijnë alergji të lidhura me vetë plazmën, citratin e natriumit dhe metilenin blu. Gjithashtu duhet të bëhet kujdes te pacientët me një histori të sëmundjes autoimune sistemike ose mangësi selektive IgA. Aplikimi i plazmës konvaleshente duhet të vlerësohet me kujdes nga një mjek klinik.

Në nje studim retrospektiv (kliko) mbi 6 pacientë COVID-19 të trajtuar me plazmë konvaleshente u tregua që një terapi e tillë mund të mos kufizojë fatalitetin, por vetëm të ndërpresë përhapjen virale, veçanërisht kur terapia aplikohet në fazat e avancuara të sëmundjes ( 21.5 ditë pas testit pozitiv, 300 ml plazmë konvaleshente).

Për një terapi të suksesshme me plazmë konvaleshente ka shumë faktorë që duhen studiuar dhe uniformuar sic janë: përbërja dhe titulli i antitrupave neutralizues, si dhe korniza e saktë kohore e trajtimit.

Gjithashtu edhe FDA ka dhënë udhëzime për studimin e plazmës konvaleshente në trial klinikë dhe në pacientë me sëmundje të rëndë(kliko).

Në parim, plazma konvaleshente nuk duhet të përdoret në pacientët COVID  te të cilët sëmundja zgjat më shumë se tre javë. Sidoqoftë, në praktikën klinike, terapia e plazmës është treguar efektive në pacientët, sëmundja e të cilëve zgjati më shumë se tre javë dhe testet e të cilëve, nga mostrat e traktit respirator, për acidin nukleik viral ishin vazhdimisht pozitive. Përdorimi i saj mund të shpejtojë pastrimin nga virusi, të rrisë numrin e limfociteve plazmatike dhe qelizave NK (qelizat natyrore vrasëse), të zvogëlojë nivelin e laktatit plazmatik dhe të përmirësojë funksionimin e veshkave. Kështu që plazma praktikisht mund të përdoret te:

  • Pacientët COVID-19 të sëmurë rëndë ose kritik, të testuar pozitivisht për infeksionin e traktit respirator
  • Pacientët COVID – 19 që nuk janë të sëmurë rëndë, por janë në gjendje të imunosupresuar apo me përparim të shpejtë të sëmundjes së mushkërive.

Por përse nuk e përdorin të gjithë këtë terapi? Cilët janë kufizimet?

  • Ka vështirësi në gjetjen e dhuruesve , të cilët duhet të përmbushin kritere të rrepta sigurie dhe cilësie. Përveç përzgjedhjes së pacientëve/kandidatëve të përshtatshëm për të kryer dhurim, ata duhet gjithashtu të kenë dhe një numër të lartë antitrupash.
  • Një dhurues gjaku nuk mund të dhurojë më shumë se 4-20 herë në vit (në bazë të nivelit te hemoglobinës së dhuruesve).
  • Nga secili dhurim mund të kurohen maksimumi 1-2 individë. Kjo tregon dhe arsyen përse kjo lloj terapie nuk mund të aplikohet në shkallë të gjerë.
  • Mbetet ende e panjohur kohëzgjatja e përgjigjes së sistemit imunitar. Me kalimin e kohës titri i antitrupave (numri i antitrupave specifikë në gjak) është i destinuar të ulet. Kjo tregon që kjo terapi është efektive vetëm në një afat të shkurtër kohor.
  • Transfuzioni i plazmës tek pacientët mund të çojë ne një çekuilibër në proceset e koagulimit të gjakut të cilët në vetvete jane të çrregulluar nga prania e COVID-19.

Konkluzione

Studimet shkencore deri në ketë moment e konfirmojnë terapinë me plazmë, si një terapi esigurtë dhe potencialisht e dobishme. Gjithsesi nevojiten më tepër studime klinike të kontrolluara për të konfirmuar efikasitetin dhe strategji më të strukturuara për testimin dhe përdorimin në një shkallë të gjerë.

Shiko posterin