Po marr oksigjen në shtëpi, çfarë duhet të di?

Oksigjenterapi

Këshilla praktike për pacientët:

Marrja e oksigjenit në kushtet e shtëpisë me aparate që lëshojnë 5-10 L oksigjen apo dhe me bombula oksigjeni është një realitet që në Shqipëri fatkeqësisht po përjetohet.

Oksigjenoterapia ju është këshilluar nga mjeku për arsye se:

Mushkëritë tuaja në këtë moment nuk arrijnë të funksionojnë me kapacitetin e plotë të nevojshëm, duke mos arritur të furnizojnë gjakun me sasinë e oksigjenit që nevojitet. Koronavirusi SARS-CoV-2  prek disa organe të trupit tuaj, por në pjesën më të madhe ai përqendrohet në mushkëritë tuaja. Si kundërpërgjigje, organizmi juaj përqendron në mushkëritë tuaja rruazat e bardha që quhen leukocite dhe që kane funksion të mbrojnë organizmin. Kjo luftë midis koronavirusit dhe rruazave të bardha në mushkëritë tuaja prodhon atë që quhet inflamacion dhe si rezultat i tij funksioni i mushkërive tuaja ulet dhe nuk mundëson furnizimin e nevojshëm me oksigjen të gjakut, pra të organeve jetësore. Për këtë arsye, në ekzaminimet e mushkërive tuaja me skaner apo radiografi, ato paraqiten me ngjyrë të bardhë.

Kujdes! Mos filloni në asnjë mënyrë një trajtim me oksigjen në shtëpi pa rekomandimin e nje mjeku të specializuar në këtë fushë. Përdorimi i këtij aparati pa rekomandimin e mjekut është shumë i rrezikshëm sepse së pari mund të dëmtojë organizmin nëse përdoret pa kriteret e nevojshme  dhe së dyti dhe më kryesorja, vonon trajtimin me urgjencë të disa rasteve tek të cilat nevojitet një ndërhyrje më e specializuar në spital.

Sa herë në ditë duhet të kontrolloj veten me puls-oksimetër?

Disa herë në ditë. Përpara se te bëni matjen e oksigjenit me oksimetër, bëni një masazh të shkurtër (4-5 sekonda) gishtit tuaj. Lëreni aparatin të kryejë matjen për disa sekonda. Regjistroni vlerën më të lartë që tregon aparati (mund të fillojë me një vlerë të vogël të O2 dhe që rritet gradualisht).

CIlat janë vlerat kufi të oksimetrit të cilat kërkojnë shtrim urgjent në spital, pasi aparatet apo bombula që mbajmë në shtëpi nuk është e mjaftueshme? 

Nëse shikoni që vlera e O2 në oksimeter tregon SpO2 nën 93, atëherë duhet të kërkoni ndërhyrjen e një mjeku sepse keni nevoje për një trajtim më të specializuar në spital.

Çfarë duhet të kem parasysh gjatë qëndrimit në shtëpi? Si duhet të rri?

Pozicioni i preferuar është ulur dhe pa kryqëzuar këmbët, por pa kaluar në sforcim. Nëse e ndjeni të nevojshme të rrini shtrirë, dëgjoni nevojën e trupit tuaj dhe mbi të gjitha, respektoni rekomandimin e mjekut

Çfarë medikamentesh duhet të marr ndërkohë që jam me oksigjenoterapi?

Asnjë medikament nuk duhet të merret pa rekomandimin e mjekut. Ai e di më mirë se kushdo tjetër trajtimin që merret gjatë oksigjenterapisë.