Pse fëmijët janë më rezistentë ndaj COVID-19?

femijet COVID-19

Edhe pse fëmijët e të gjitha moshave mund të preken nga COVID-19 me një frekuencë infektimi të ngjashme me të gjithë popullatën, studimet në Kinë, Itali, Spanjë dhe Amerikën Veriore kanë treguar se fëmijët kanë një zhvillim më të reduktuar të sëmundjes në krahasim me të rriturit. Sipas një studimi në Amerikën Veriore, shumë nga fëmijët e hospitalizuar për shkak të infektimit akut me COVID-19 kanë qenë me probleme shëndetësore ekzistente.

Por cilat janë arsyet se pse fëmijët janë më rezistentë ndaj infektimit me SARS-CoV-2?

1. Shprehja e receptorit ACE2 që lejon hyrjen e virusit në qelizë është më e ulët në traktin respirator të fëmijëve.

Virusi SARS-CoV-2 futet në qelizë përmes receptorit ACE2. Te moshat pediatrike ai është më pak i shprehur dhe si rrjedhojë ulet mundësia që fëmijët të infektohen nga SARS-CoV-2. Gjithashtu, qelizat e mushkërive tek fëmijët kanë një prirje të ulët të shprehin reaksionin eksploziv imunitar të njohur si ‘stuhi e citokinave’(Decker et al, 2017).

2. Infeksionet e shpeshta respiratore në fëmijëri mbrojnë nga SARS-CoV-2

Një faktor shpjegues se si infeksionet e shpeshta të sistemit respirator tek fëmijët rrisin rezistencën ndaj COVID-19, është interferenca virale. Një fenomen që ndodh kur një virus ndikon në riprodhimin e një virusi tjetër, pra bën që qelizat e infektuara me një virus të jenë më rezistente ndaj një infektimi të dytë me një virus tjetër. Fëmijët janë më të predispozuar ndaj këtij fenomeni duke qenë se shpesh infektohen nga më shume se një agjent viral. Një tjetër faktor shpjegues është interferenca imunologjike. Në këtë aspekt, sistemi imunitar adaptiv tek fëmijët, të cilët janë shpesh të ekspozuar ndaj viruseve të zakonshme të të ftohtit, mund të ofrojë mbrojtje ndaj SARS-CoV-2 duke qenë se ky virus ka ngjashmëri të konsiderueshme me koronaviruset e asociuara me të ftohtin e zakonshëm.

3. Roli mbrojtës i qelizave ndihmëse T tek fëmijët

Qelizat ndihmëse T (T Helper) të sistemit imunitar kategorizohen në 3 ndarje kryesore Th1, Th2, Th3. Një studim i Sajuthi et al. te një grup fëmijësh azmatikë dhe të shëndetshëm, ka treguar se përgjigja imunitare e ndërmjetësuar nga Th2 rezulton në ulje drastike të ACE2 në traktin respirator, çka i ndihmon individët ta kalojnë më lehtë COVID-19 (Sajuthi et al, 2020). Citokinat e prodhuara nga Th2 ndikojnë gjithashtu në rritjen e numrit te eozinofileve (tip i rruazave të bardha të gjakut), dukuri e njohur si eozinofili. Për shkencëtarët është surprizuese fakti se përgjigja imunitare e ndërmjetësuar nga Th2, që është e asociuar me sëmundjet alergjike përfshirë astmën dhe me eozinofilinë, mundet njëkohësisht të ofrojë mbrojtje ndaj COVID-19 tek fëmijët.

Referenca:

https://www.pnas.org/content/early/2020/09/02/2012358117#ref-20

Artikulli është bazuar në shkrimin dhe referencat e përmendura në Steinman, J. B., Lum, F. M., Ho, P. P. K., Kaminski, N., & Steinman, L. (2020). Reduced development of COVID-19 in children reveals molecular checkpoints gating pathogenesis illuminating potential therapeutics. Proceedings of the National Academy of Sciences.

Bala, P. C., Eisenreich, B. R., Yoo, S. B. M., Hayden, B. Y., Park, H. S., & Zimmermann, J. (2020). OpenMonkeyStudio: automated markerless pose estimation in freely moving macaques. bioRxiv.

Decker, M. L., Grobusch, M. P., & Ritz, N. (2017). Influence of Age and Other Factors on Cytokine Expression Profiles in Healthy Children—A Systematic Review. Frontiers in pediatrics, 5, 255.

Park, Y., Choe, Y., Park, O., Park, S., Kim, Y., Kim, J….Jeong, E. (2020). Contact Tracing during Coronavirus Disease Outbreak, South Korea, 2020. Emerging Infectious Diseases, 26(10), 2465-2468. https://dx.doi.org/10.3201/eid2610.201315.

Sajuthi, S. P., DeFord, P., Jackson, N. D., Montgomery, M. T., Everman, J. L., Rios, C. L., … & Mak, A. C. (2020). Type 2 and interferon inflammation strongly regulate SARS-CoV-2 related gene expression in the airway epithelium. Biorxiv.