Rëndësia e shërbimit veterinar në shëndetin publik dhe rasti i COVID-19

Evolucioni SARS-Cov-2

Përmbledhur dhe përshtatur në shqip nga:

  • Klevis Haxhiaj DVM

Recensent:

  • Erand Llanaj MPH, MSc, PhD (c)

Origjina e infeksionit

Pas raportit zyrtar të Komisionit të Shëndetit në Bashkinë e Wuhan-it (31 Dhjetor 2019), u komunikua zyrtarisht një shpërthim epidemik i lokalizuar, në individë me infeksione respiratore e pneumoni – raportim ky i cili u reflektua menjëherë në një komunikim zyrtar të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (WHO, 2020a). Përhapja me shpejtësi dhe në masë e këtij infeksioni respirator në Kinë, aktivizoi njësitë e hetimit epidemiologjik në OBSH dhe organizata të tjera shëndetësore.

Shkaktari i këtij infeksioni të emërtuar COVID-19, dyshohej të ishte  një koronavirus i ri e ende i pa identifikuar më parë. Në një hulumtim analitik kompleks në prestigjiozen Nature mbi veçoritë e dukshme të gjenomit të SARS-CoV-2, prejardhja e virusit mendohej të ishte një nga kafshët që shërbente si rezervuar natyror i tij, përmes adaptimit ndaj proceseve klasike të përzgjedhjes natyrore (Andersen et al., 2020). Më tej, një analizë më gjithëpërfshirëse, qartësoi dyshimet, pasi këto kafshë tregtoheshin të gjalla në tregjet e famshme të gjësë së egër për konsum në Kinë (Slaughter, 2020). Më 1 Janar 2020 OBSH-ja krijoi Ekipin e Menaxhimit të Mbështetjes për Incidentet IMST (ang. Incident Management Support Team) përgjatë të tri niveleve të organizatës: seli qëndrore (Gjenevë), seli rajonale dhe në nivel vendi – duke vendosur gjithë strukturat e saj në gjendje emergjence për të filluar përballjen me shpërthim epidemik të mundshëm jashtë Kinës (WHO, 2020b).

Rasti i parë jashtë Republikës Popullore të Kinës u regjistrua në Tailandë në 13 Janar 2020 (WHO, 2020b). Vende të tjera si Kanadaja e raportoi rastin e parë më 15 Janar (Slaughter, 2020), ndërsa në Shqipëri konfirmimi i prezencës së virusit u bë në 8 Mars (MSHMS, 2020).Ndërkohë që në fund të Janarit, Drejtori i Përgjithshëm  i OBSH, Dr. Tedros deklaroi gjendjen e emergjencës më të lartë të mundshme për shëndetin publik (gjendjen e “Emergjencë e Shëndetit Publik me Rëndësi Ndërkombëtare”) dhe një javë më pas gjendjen e Pandemisë (WHO, 2020c; d).

Sa shpesh hasim infeksione të këtij lloji?

Këto infeksione nuk janë të rralla, pasi çdo gjashtë nga dhjetë sëmundje infektive kanë natyrë zoonotike (Doherty, 2020). Specifikisht, 50% e baktereve dhe 80% e viruseve shkaktojnë sëmundje në njerëz (Asokan and Asokan, 2016). Ne këtë rast, ky virus ka arritur të infektojë njerëzit, pasi ndërveprimi ndërmjet këtij koronavirusi dhe njeriut është shtuar, si pasojë e konsumit të kafshëve që shërbejnë si rezervuar natyror i këtyre viruseve në tregjet e gjësë së egër (Hyskaj, 2020). Rezervuari natyror, lakuriqi i natës dhe pangolini ishin delikatesa ushqimore në zonat e prekura. Në përgjithësi, rastet e infeksioneve në kafshët për konsum nga njeriu (shpend, gjitarë, etj.) janë më të kontrolluara, përmes sistemeve të survejancës, monitorimit dhe parandalimit, që të mos shmanget përhapja kaq e gjerë dhe e shpejtë si në rastin e COVID-19 (Doherty, 2020). Kjo pandemi bëri që ne si njerëzim të përballemi me faktin se jemi në rrezik për shëndetin e mirëqenien e jetës në Tokë. Në një numër shumë të vogël (por në rritje) në qen, mace apo rodent po provohet prania dhe transmetueshmëria e SARS-CoV-2 (Chen, 2020). Lajm i mirë është që drejtimi i transmetimit të virusit është provuar nga njeriu tek këto kafshë, por e kundërta nuk ka ndodhur (Sit et al., 2020).

Kur flasim për transmetim të një sëmundjeje infektive, kemi parasysh  agjentin sëmundje-shkaktues, bujtësin ose strehuesin dhe mjedisin. Të gjitha këto janë të ndërlidhura dhe në fokusin global të iniciativës ‘Një Shëndet’ (One Health ) si dhe principet bazë të epidemiologjisë (Bedford et al., 2019; OIE, 2020).

Figura 1. Koncepti i platformës “Një Shëndet” ka në qendër bashkëveprimin me njëri-tjetrin të ekosistemit njeri-kafshë-mjedis. Burimi: Bedford et al., 2019.

Rëndësia e shërbimeve veterinare

Shërbimet mjekësore në fushën e veterinarisë janë thelbësore, veçanërisht për ruajtjen e shëndetit të njeriut. Shfaqja e një koronavirusi të ri që infekton njeriun, pas SARS-CoV-1,,HCoV-229E, HCoV-OC43, HCoV-HKU1 dhe së fundmi në 2012 MERS-CoV, apo edhe rastet e viruseve si Ebola, Zika, Nipah, gripi shpendëve dhe i derrave, këto dekadat  fundit tregon se investimi në aftësitë tona parandaluese apo trajtuese nuk mjafton për të shmangur kërcënimet për shëndetin, ekonominë dhe sigurinë globale, që këta patogjen paraqesin (Tiwari et al., 2020; Walzer, 2020). Rreth 1.6 milion viruse bujtës në shpendë dhe gjitarë të ndryshëm, janë ende të paidentifikuar dhe rreth 700,000 prej tyre konsiderohen me potencial zoonotik (Walzer, 2020). Për më tepër, vlen për t’u theksuar edhe aftësia për mutacione që viruset zotërojnë duke e rritur akoma më shumë rëndësinë e tyre edhe të punës tonë. Qysh në 2017 është bërë një përpjekje për të ndërtuar hartën me pikat më kritike dhe vendet me potencial të lartë për shpërthim epidemik prej këtyre patogjenëve (Allen et al., 2017).

Figura 2. Shpërndarja e zonave dhe probabiliteti që ato kanë për tu prekur nga sëmundje zoonotike. Burimi: Allen et al., 2017.

Motivi që përmbledh kuadrin tematik të OBSH-së për Ditën Botërore të Sigurisë Ushqimore (7 Qershor) përmblidhet me një fjali: “Siguria Ushqimore është përgjegjësi e të gjithëve” (WHO, 2020e). Për një mirëqenie shëndetësore më të mirë, duhet të respektohen kategorikisht të gjithë hapat vlerësues, monitorues, parandalues dhe etik të zinxhirit që fillon prej fermës e shkon deri në pirunjtë tanë. Nëse kjo qasje zbatohet, këto infeksione mund të kontrollohen dhe monitorohen më mirë. Imunizimi dhe vaksinimi i shpendëve kundrejt salmonelës gjatë dekadave të fundit ka ulur ndjeshëm infeksionet me orgjinë ushqimore (Desin et al., 2013). Rritja e zbatueshmërisë së masave dhe kujdesit ndaj shëndetit të kafshëve, respektimit të normave higjeno-sanitare dhe rritja e ndërgjegjësimit ndaj konsumit të produkteve të pa certifikuara apo kontrolluara, duhet të jetësohen në prioritetet e politikave shëndetësore dhe bujqësore, për të evituar praktikisht sfidat shëndetësore që mbartin (Yuan et al., 2020).

COVID-19 ishte një sprovë për njerëzimin dhe demonstroi nevojën e një qasjeje ‘Një Shëndet’ për zhvillim të qëndrueshëm dhe krijimit të masave parandaluese për hyrjen dhe përhapjen e infeksioneve midis kafshëve dhe njerëzve (biosiguria) (Bonilla-Aldana et al., 2020).

A mund të përsëriten infeksione të tilla në të ardhmen?

Në përmbledhje, mund të kuptohet se shfaqja e një tjetër infeksioni zoonotik në të ardhmen ka gjasa reale të ndodhë (Tiwari et al., 2020). Thënë kjo, zhvillimi i ecurisë së hartimit, implementimit dhe aplikimit të programeve për mbrojtjen e integritetit të biodiversitetit dhe mirëqenies së jetës në Tokë është një çështje me rëndësi të lartë për shëndetin e njeriut dhe për objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm dhe socio-ekonomik (Amuasi et al., 2020). Një tjetër çështje po kaq e rëndësishme si shfaqja apo ri-shfaqja e sëmundjeve të komunikueshme (infektive) apo atyre jo të komunikueshme (kronike) është dhe fenomeni i antibiotiko-rezistencës në kafshë apo njerëz, çështje që ka pasoja direkte dhe indirekte në shëndetin publik.

Figura 3. Skema e transmetimit dhe përhapjes së SARS-CoV-2. Burimi: Tiwari et al., (2020).

Referenca:

  1. Allen, T., K.A. Murray, C. Zambrana-Torrelio, S.S. Morse, C. Rondinini, M. Di Marco, N. Breit, K.J. Olival, and P. Daszak. 2017. Global hotspots and correlates of emerging zoonotic diseases. Nat. Commun. 8:1–10. doi:10.1038/s41467-017-00923-8.
  2. Amuasi, J.H., C. Walzer, D. Heymann, H. Carabin, L.T. Huong, A. Haines, and A.S. Winkler. 2020. Calling for a COVID-19 One Health Research Coalition. Lancet 395:1543–1544. doi:10.1016/S0140-6736(20)31028-X.
  3. Andersen, K.G., A. Rambaut, W.I. Lipkin, E.C. Holmes, and R.F. Garry. 2020. The proximal origin of SARS-CoV-2. Nat. Med. 26:450–452. doi:10.1038/s41591-020-0820-9.
  4. Asokan, G. V, and V. Asokan. 2016. Bradford Hill’s criteria, emerging zoonoses, and One Health. J. Epidemiol. Glob. Health 6:125–129. doi: https://doi.org/10.1016/j.jegh.2015.10.002
  5. Bedford, J., J. Farrar, C. Ihekweazu, G. Kang, M. Koopmans, and J. Nkengasong. 2019. A new twenty-first century science for effective epidemic response. Nature 575:130–136. doi:10.1038/s41586-019-1717-y.
  6. Bonilla-Aldana, D.K., K. Dhama, and A.J. Rodriguez-Morales. 2020. Revisiting the One Health Approach in the Context of COVID-19: A Look into the Ecology of this Emerging Disease. Adv. Anim. Vet. Sci. 8. doi:10.17582/journal.aavs/2020/8.3.234.237.
  7. Chen, H. 2020. Susceptibility of ferrets, cats, dogs, and different domestic animals to SARS-coronavirus-2. bioRxiv 2020.03.30.015347. doi:10.1101/2020.03.30.015347.
  8. Desin, T.S., W. Köster, and A.A. Potter. 2013. Salmonella vaccines in poultry: Past, present and future. Expert Rev. Vaccines 12:87–96. doi:10.1586/erv.12.138.
  9. Doherty, S. 2020. Improving ‘One Health’ Is More Important than the COVID-19 Blame Game. Accessed June 9, 2020. https://www.healtheuropa.eu/improving-one-health-is-more-important-than-the-covid-19-blame-game/100229/.
  10. Hyskaj, A. 2020. Si ndikon mjedisi ne shfaqjen e zoonozave si COVID-19?. HEDA. https://www.heda.al/artikuj/si-ndikon-mjedisi-ne-shfaqjen-e-zoonozave-si-covid-19
  11. OIE. 2020. OneHealth: OIE – World Organisation for Animal Health. Accessed June 9, 2020. https://www.oie.int/en/for-the-media/onehealth/.
  12. Sit, T.H.C., C.J. Brackman, S.M. Ip, K.W.S. Tam, P.Y.T. Law, E.M.W. To, V.Y.T. Yu, L.D. Sims, D.N.C. Tsang, D.K.W. Chu, R.A.P.M. Perera, L.L.M. Poon, and M. Peiris. 2020. Infection of dogs with SARS-CoV-2. Nature 1–6. doi:10.1038/s41586-020-2334-5.
  13. Slaughter, M.S. 2020. COVID-19 Update. Accessed June 8, 2020. https://www.onehealth.ca/ab/ABCovid-19.
  14. Sociale, M. e S. dhe M. 9 Mars 2020/ Informacion i Përditësuar Për Koronavirusin COVID_19 – Ministria e Shëndetësisë. Accessed June 8, 2020. https://shendetesia.gov.al/9-mars-2020-informacion-i-perditesuar-per-koronavirusin-covid_19/.
  15. Tiwari, R., K. Dhama, K. Sharun, M. Iqbal Yatoo, Y.S. Malik, R. Singh, I. Michalak, R. Sah, D.K. Bonilla-Aldana, and A.J. Rodriguez-Morales. 2020. COVID-19: animals, veterinary and zoonotic links. Vet. Q. 40:169–182. doi:10.1080/01652176.2020.1766725.
  16. Walzer, C. 2020. The COVID-19 Pandemic Has Introduced Us to a New Word: Zoonosis (Op-Ed). Accessed June 9, 2020. https://www.livescience.com/dangers-of-zoonoses-pandemics.html.
  17. WHO. 2020a. Pneumonia of Unknown Cause – China. Accessed June 15, 2020. https://www.who.int/csr/don/05-january-2020-pneumonia-of-unkown-cause-china/en/.
  18. WHO. 2020b. WHO Timeline – COVID-19. Accessed June 8, 2020. https://www.who.int/news-room/detail/27-04-2020-who-timeline—covid-19.
  19. WHO. 2020c. WHO Director-General’s opening remarks at the media briefing on COVID-19 – 11 March 2020. WHO Dir. Gen. speeches 4.
  20. WHO. 2020d. Statement on the meeting of the International Health Regulations (2005) Emergency Committee regarding the outbreak of novel coronavirus (2019-nCoV). WHO Newsl. 1–6.
  21. WHO. 2020e. World Food Safety Day. Accessed June 9, 2020. https://www.who.int/news-room/campaigns/world-food-safety-day/2020.
  22. Yuan, J., Y. Lu, X. Cao, and H. Cui. 2020. Regulating wildlife conservation and food safety to prevent human exposure to novel virus. Ecosyst. Heal. Sustain. 6. doi:10.1080/20964129.2020.1741325.