Përgatiti ekipi anti-COVID I HEDA Albania*
Konfirmohet njeriu i parë i ri-infektuar me SARS-CoV-2. Studimi u pubikua në revistën Clinical Infectious Diseases (e gjeni këtu) dhe tregoi se pas një analize rigoroze të kombinuar epidemiologjike, klinike, serologjike dhe gjenomike, u konfirmua se një pacient i moshës 33 vjeçare (Mashkull) kishte ri-infektim nga një variant tjetër viral i SARS-CoV-2, pas atij të parit (të kladeve V de G [linja B.2 dhe B.1.79, respektivisht] i gjeni këtu) të cilët kishin diferenca të vogla në glikoproteinën e gjilpërës (figura më poshtë për profesionistët).
A duhet të shqetësohemi?
Nuk ka asgjë për t’u shqetësuar dhe po japim argumentat shkencorë bazuar në të dhënat e vetë këtij hulumtimi.Fillimisht duhet të kuptojmë që ky rast ri-infektimi është bërë me një distancë kohore 142 ditore. Ajo që dimë është se rasti i ri-infektimit (ose infektimit të dytë) ishte asimptomatik. Edhe pse imuniteti i individit të ri-infektuar nuk ishte mjaftueshëm ‘i fortë’ për të bllokuar ri-infektimin, prapësëprapë kjo përgjigje imunitare e adaptuar e mbroi këtë strehues nga ashpërsia dhe simptomatologjia e sëmundjes (figura më poshtë).
Më tej, pacientit nuk ju gjetën antitrupa në momentin e ri-infektimit, por ai arriti të zhvillonte antitrupa pas ri-infektimit. Kjo tregon se si në momentin që mund të ndodhë eventi i ri-infektimit, përgjigjia jonë imunitare është përgjithësisht më efektive dhe tashmë e ‘trajnuar’ (figura më poshtë).
Kjo është tepër inkurajuese dhe jo vetëm kaq, por duke qenë se ri-infektimi është tashmë i mundur (dhe kjo provohet pikërisht nga ky hulumtim) imuniteti i tufës nga infektimi nuk është një strategji që mund të funksionojë në rastin e SARS-CoV-2. Përse? Shiko figurën më poshtë!
Arsyen përse imuniteti i tufës nuk është zgjidhja dhe se mënyra e vetme për të arritur një imunitet tufe efektiv dhe të sigurtë është vetëm nëpërmjet një vaksine, mund ta konsultoni Këtu.
Në përfundim, mund të themi se ky është një shembull se si infektimi primar mund të mbrojë nga ashpërsia e sëmundjes dhe herën e dytë të kalohet më lehtë. Gjithsesi nevojiten studime të mëtejshme për të kuptuar skenarët e ri-infektimit. Duhet të mos harrojmë, se këtu po flasim për rast ri-infektimi, e jo për ato raste që e humbasin betejën me COVID-19. Kështu që ky është edhe një mesazh për të ndërgjegjësuar që të kemi kujdes, pasi kujdesi nuk vret!
* Aldi Pupuleku PhD, Denisa Baci PhD, Erand Llanaj MPH, MSc, PhD(c), Ina Mexhitaj PhD(c), Irma Kuka, Julia Daragjati PhD, Livia Tepshi PhD, Teuta Muhollari PhD(c)