Përgatiti: Ekipi i zgjeruar Anti-COVID-19*
Gjurmimi i kontakteve është një masë thelbësore në luftën kundër pandemisë aktuale të COVID-19, kur zbatohet në kombinim me gjetjen aktive të rasteve dhe testimin e rasteve që plotësojnë kriteret epidemiologjike (Tabela 1). Ky proces duhet të jetë gjithashtu në sinergji me masa të tjera mbështetëse të tilla si distancimi fizik dhe përdorimi i barrierave mbrojtëse/maskave aty ku nuk është i mundur ky distancim, veçanërisht në ambiente të mbyllura dhe/ose me ajrosje të pamjaftueshme.
Hulumtimet e deritanishme tregojnë se gjurmimi efiçient i kontakteve ndihmon në reduktimin e kohës, nga shfaqja e simptomave e deri në izolim, si dhe mund të rrisë ndjeshëm gjasat e uljes së transmetueshmërisë së virusit.
Literatura rekomandon që nëse ka burime njerëzore/infrastrukturore të kufizuara, duhet të prioritizohet gjurmimi i kontakteve (= të ngushta) me rrezik më të lartë ekspozimi, e më pas i kontakteve që janë punonjës të shërbimit të kujdesit shëndetësor ose kontakteve që punojnë ngushtë me grupe vulnerabël. Të gjitha këto hapa duhet të ndiqen nga testimi i sa më shumë kontakteve të tjera, të cilat ndoshta nuk përbëjnë rrezik aq të lartë ekspozimi/përhapjeje.
Në zonat ku ka qarkullim më të shprehur të virusit, gjurmimi lipset të përfshijë të paktën rastet që kanë kontakt më të lartë me grupe/institucione me rrezik të lartë për përhapje dhe ndoshta gjasa për mortalitet më të lartë potencial në rast infektimi, si p.sh. qendrat ditore, burgjet, kampet, etj. Nëse kemi të bëjmë me punonjës të shërbimit të kujdesit shëndetësor, gjurmimi i kontakteve duhet përqendruar në kontaktet e praktikës spitalore/shëndetësore, në mënyrë që të identifikohen sa më shpejt individë të ekspozuar, potencialisht vulnerabël, që i vizitojnë shpesh këto qendra (të sëmurë kronikë, të moshuar, etj).
* përveç rasteve që individi ka qëndruar në aeroplan sipas specifikimeve të bëra në kolonën e majtë të tabelës
Kohëzgjatja më e madhe e kontaktit prezumohet që të shtojë gjasat e transmetimit të virusit. Rregulli i 15 minutave është një kriter arbitrar që është vendosur për arsye praktike. Autoritetet e shëndetit publik (p.sh. IShP) mund të konsiderojë një kohëzgjatje tjetër bazuar në vlerësimin rast-pas-rasti.
Referenca : https://www.heda.al/artikuj/menaxhimi-epidemiologjik-dhe-klinik-i-covid-19
*Erand LLANAJ, MPH, MSc, PhD (c), Denisa BACI, PhD, Aldi PUPULEKU PhD, Julia DARAGJATI PhD, Mirela KUKA PhD, Livia TEPSHI PhD,Teuta MUHOLLARI, MPH, MSc, PhD (c), Ina MEXHITAJ, PhD, Irma KUKA MSc, Aseda TENA MSc, PhD (c), Lisiena HYSENAJ MSc, PhD, Novrus CAUSHAJ MD, MSc, Edvin ZEKAJ MD, Geriolda TOPI MD, PhD (c), Ambra HYSKAJ MPH, MSc, PhD (c), Rigers GJYLI MD, , Hamëz GACAFERI, MD, DPhil (c), Drieda ZAÇE, MD, MSc, PhD (c), Ilda HOXHAJ, MD, MSc, PhD (c), Eriona HETA, MSc, PhD, Meri LUKA MD, Bledi MASATI MD, Nertil PETRO MD, Genada SINANI, PhD , Gentian MUSA,PhD