Sa të rrezikuar jemi nga fruthi?

Fruthi është një sëmundje infektive që shkaktohet nga morbillivirus. Është sëmundje tepër ngjitëse dhe prek më shpesh fëmijët e moshës 1-3 vjeç, por mund të prekë çdo moshë, nëse individët nuk janë të imunizuar.

Simptomat shfaqen 10-14 ditë pas ekspozimit ndaj virusit dhe përfshijnë:

  • temperaturë  
  • kollë të thatë  
  • rrjedhje të hundëve
  • dhembje fyti
  • konjuktivit
  • njolla me qendra të bardha në gojë, në pjesën e brendshme të faqeve (njollat Koplik)
  • rash me njolla të sheshta që shpesh mbivendosen, por mund të ngrihen pak.

Pas fazës së parë sëmundja përkeqësohet me:

  • përhapje e rash-it në të gjithë trupin  
  • temperaturë që rritet me shpejtësi deri në 40-41°C.

Fruthi mund të transmetohet nga personi i infektuar tek të tjerët, që 4 ditë para se t’i shfaqen simptomat në lëkurë e deri në 4-7 ditë pasi rash-i është shfaqur.

  • Pothuajse 90% e njerëzve që takojnë dikë me fruth, infektohen.

Virusi qëndron në mjedisin, ku hyn i sëmuri, për së paku dy orë. Gjatë kësaj kohe individët që hynë në këtë mjedis, mund të infektohen.

Faktorët e rrezikut:

  • Mungesa e vaksinimit.
  • Udhëtimet në vendet, ku rreziku i përhapjes është i lartë.
  • Mungesa e vitaminës D në organizëm.

Ndërlikimet:

  • Infeksion veshi, një ndër komplikacionet më të shpeshta
  • Bronkiti, laringiti.
  • Pneumoni. Njerëzit me sistem imunitar të kompromentuar mund të shfaqin një lloj pneumonie që në disa raste është vdekjeprurëse.
  • Encefalit, i cili shfaqet menjëherë pas shfaqjes së fruthit ose dhe një muaj më vonë.

Parandalimi:

  • Izolimi i personave të pavaksinuar.
  • Vaksinimi. Doza e parë në moshën 12-15 muajshe. Doza e dytë në moshën 4-6 vjeçare.

Situata aktuale në botë dhe Shqipëri:

Në vitin 1973 u mendua se fruthi u çrrënjos në Shqipëri, por epidemia e madhe e vitit 1988, si dhe rastet e kësaj sëmundje pas janarit 2018 treguan se realiteti, jo gjithmonë përputhet me pritshmëritë. 

  • Nëse nënvlerësohet një sëmundje e tillë, apo nëse çalojnë hallkat e parandalimit të saj, çrrënjosja e fruthit ngelet një utopi.

Para pak kohësh, Kryetari i Bashkisë së New Yorkut shpalli gjendjen e emergjencës shëndetësore, për shkak se nga 30 Shtatori 2018, deri në fund të Marsit 2019, vetëm në New York,  janë deklaruar 258 raste me fruth.

Organizata Botërore e Shëndetësisë që ka qenë shumë optimiste për çrrënjosjen e kësaj sëmundje në rang botëror brenda vitit 2025, është shprehur se: “duhet rishikuar një pritshmëri e tillë dhe duhen ndryshuar taktikat për kontrollin e kësaj sëmundjeje”.

Në mbarë botën, edhe atje ku më parë epidemia mendohej se ishte asgjësuar tërësisht, gjatë vitit 2018 virusi i fruthit infektoi mbi 300 mijë persona ose 50% më shumë se një vit më parë. Sipas Henrieta For (Drejtuese Ekzekutive në UNICEF), 74% e rasteve u përqendruan në vetëm 10 vende. Kryesojnë Ukrahina me 30 mijë të prekur, Filipinet me 13 mijë raste, por edhe Serbia me 4,300 të tilla.

Këto fakte përbëjnë një sirenë alarmi. Për këtë sëmundje jashtëzakonisht infektive kemi një vaksinë të sigurt, efikase dhe aspak të shtrenjtë.  Prej dy dekadash kjo vaksinë shpëton 1 milion jetë njerëzish çdo vit.

  • Nëse nuk marrim masa sot, pasojat për brezin e ardhshëm të fëmijëve do të jenë katastrofike.”

Rikujtoj dhe këshilloj të gjithë qytetarë se:

  • Duhet të vaksinoheni, nëse nuk jeni të sigurtë për imunizimin ndaj Fruthit.
  • Mos e neglizhoni vaksinimin e fëmijëve tuaj, në përputhje me Kalendarin Kombëtar të Vaksinimit.
  • Fruthi ka jo vetëm ndërlikime, por edhe vret.

Shpresoj në mirëkuptimin tuaj për Imunizimit Pasiv ndaj Fruthit.

Për kolegët kam një mesazh sensibilizimi:

  • Të shtojnë përpjekjet e tyre për diagnostikimin e drejtë e në kohë të çdo rasti, duke mundësuar kufizimin e përhapjes së tij.